Mjaft! Kosova i dha goditje të fuqishme sot Serbisë, ky duhet të jetë veprimi i radhës...

Aktuale

Mjaft! Kosova i dha goditje të fuqishme sot Serbisë, ky duhet të jetë veprimi i radhës...

Nga: Mimozë Lakna, Bota sot Më: 20 shtator 2021 Në ora: 20:55
Qeveria e Kosovës e kishte përgatitur tashmë planin dhe të hënën me ndihmën e Policisë së Kosovës nisi zbatimin e tij.

Qysh të dielën politikanët dhe mediet në Serbi ngjallën panik tek qytetarët e Mitrovicës veriore.  

Marrëveshjes 5 vjeçare për targat e automjeteve do t`i skadonte afati të hënën.  

Gjithçka ishte gati për vendosjen e masës së reciprocitetit, ku nuk do të lejohej hyrja e asnjë automjeti me targa serbe brenda territorit të Kosovës.  

Qeveria e Kosovës e kishte përgatitur tashmë planin dhe të hënën me ndihmën e Policisë së Kosovës nisi zbatimin e tij. Në vend të targave serbe dhe atyre “KS” do të vendosej një targë e përkohshme RKS.  

Për ta siguruar zbatimin e vendimit të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e reciprocitetit për targat me Serbinë, në pikën kufitare në Jarinje u vendosën edhe njësitë e Specializuara të Policisë së Kosovës. 

Ndodhi ashtu siç duhej të ndodhte në një shtet të pavarur. Qeveria, i tha mjaft përbuzjes disa vjeçare që Serbia ua bëri qytetarëve të Kosovës, duke mos i lejuar që të hyjnë në territorin e saj me targa RKS. Tash edhe qytetarët e Serbisë janë të detyruar që t`i përdorin tabelat e përkohshme “RKS” kur hyjnë brenda territorit të Kosovës.  

Në qeveritë paraprake, kishte premtime e fjalë të shumta për shtrirjen e sovranitetit në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.  

Një tentim i tillë në vitin 2011, çoi në vrasjen e policit të Njësisë Speciale të Republikës së Kosovës, Enver Zymberi. Gjithçka mbaroi aty dhe tentime për shtrirje të sovranitetit të Kosovës në atë pjesë s`kishte thuajse fare.  

Problemi i Mitrovicës përmendej në kohë fushatash elektorale, atëherë kur politikanët kishin nevojë për votat e qytetarëve, por në të tjera raste vetëm heshtje dhe asgjë më shumë.  

Ishte e frikshme t`a shihnim heshtjen e drejtuesve të shtetit ndaj zhvillimeve atje, ku gjithçka frymonte në gjuhën serbe.   

Tani që u bë reciprociteti me targat, qeveria e Kosovës duhet ta shtyj përpara edhe çështjen e dokumenteve të identifikimit. Pra, gjithçka kompletohet kur Kosova të mos e njoh si dokument valid për udhëtim pasaportën e Serbisë.  

Kjo pasi qytetarëve të Republikës së Kosovës u ndalohet hyrja në Serbi me pasaportë. Vetëm kështu do të zbatohej plotësisht kjo masë qenësore për qytetarët e shtetit tonë.  

Mbase në kohën që po jetojmë janë të rralla rastet kur politika mban peng lëvizjen e lirë të qytetarëve (përjashto këtu BE-në me çështjen e liberalizimit) sidomos kur shtetet janë në kufi me njëra tjetrën.  

Por, kjo çështje do të zgjidhej më së miri me njohjen reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.  

Në të kundërtën duhet reciprocitet dhe kundërpërgjigje në çdo veprim që ndërmerr Serbia kundër shtetit të Kosovës!  

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat