Qeveria deklarohet pas takimit të Kurtit me ambasadorët e vendeve të Quint-it për situatën në veri

Aktuale

Qeveria deklarohet pas takimit të Kurtit me ambasadorët e vendeve të Quint-it për situatën në veri

Nga: G.B Më: 21 shtator 2021 Në ora: 14:10
Pamje nga takimi i kryeministrit Albin Kurti me ambasadorët e vendeve të Quintit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim ambasadorët e vendeve të Quintit, lidhur me situatën në veri.

Përmes një komunikate për media, Qeveria ka thënë se në këtë takim, u diskutua mbi vendimin e djeshëm rreth pajisjes me targa të përkohshme për automjetet që mbajnë targa të Serbisë dhe hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës, përcjell Bota sot.

Kurti ka thënë se vendimi i djeshëm nuk është provokim e as diskriminim ndaj askujt dhe se Policia e Kosovës ka qenë dhe është profesionale, korrekte dhe efikase.

Ai ka shtuar se "ose do t’i mbajmë aso lloj targash të dyja shtetet, ose le t’i heqim ato edhe Kosova edhe Serbia".

Njoftimi i plotë:

Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, së bashku me Ministrin e Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla, priti në takim ambasadorët e vendeve të Quint-it dhe shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë: të ngarkuarin me punë në ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Nicholas Giacobbe, ambasadorin e Gjermanisë, z. Joern Rohde, ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, z. Nicholas Abbott, ambasadoren e Francës, znj. Marie-Christine Butel, zëvendës-shefin e Misionit të Italisë në Kosovë, z. Ugo Ferrero, dhe Përfaqësuesin e Posaçëm e Shefin e Misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë, z. Tomas Szunyog.

Në këtë takim, u diskutua mbi vendimin e djeshëm rreth pajisjes me targa të përkohshme për automjetet që mbajnë targa të Serbisë dhe hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës.

Kryeministri Kurti i informoi ambasadorët se në asnjë vendkalim kufitar dje dhe sot nuk ka pasur incidente. Ai tha se vendimi i djeshëm nuk është provokim e as diskriminim ndaj askujt dhe se Policia e Kosovës ka qenë dhe është profesionale, korrekte dhe efikase.

Ligji është zbatuar, trajtimi i barabartë është siguruar, tha kryeministri, duke theksuar se njësitë speciale janë aty vetëm për të mbrojtur policinë kufitare dhe vendkalimet kufitare. Prania e tyre aktuale është aty për shkak se dhjetëra protestues kanë bllokuar me makineri rrugët që shpiejnë te pikat kufitare 1 dhe 31 e në afërsi të tyre. Policia ka biseduar me protestuesit dhe nuk i ka cenuar ata, tha kryeministri Kurti, duke shtuar se liria e lëvizjes është e drejtë dhe vlerë që nuk bën të shkelet.

Te ky reciprocitet i targave të përkohshme për vetura ose Kosova dhe Serbia kanë të dyja të drejtë, ose e kanë të dyja gabim. Pra, ose do t’i mbajmë aso lloj targash të dyja shtetet, ose le t’i heqim ato edhe Kosova edhe Serbia, theksoi kryeministri Kurti.

Ai i njoftoi ambasadorët edhe për bisedën telefonike që ka pasur mbrëmë me Zëvendës Presidentin e Komisionit Evropian dhe Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, z. Josep Borrell.

Ministri Sveçla tha se policët tanë janë në nivel të detyrës dhe po kontribuojnë në ruajtjen e rendit dhe sigurisë. Qytetarët serbë nuk kanë pse të ndjehen të frikësuar, potencoi ai. Masat e ndërmarra nuk janë kundër atyre dhe as kundër ndokujt tjetër. Policia nuk merret me nacionalitetin e udhëtarëve. Ajo i mbron e respekton të gjithë qytetarët pa dallim, tha ministri.

Ambasadorët dhe kryeministri Kurti u pajtuan që duhet ruajtur paqen dhe qetësinë, stabilitetin dhe sigurinë, dhe se dialogu duhet të vazhdojë e situata duhet të de-eskalojë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat