​Osmani: Dialogu ka kuptim kur në fund të tij do të pasojë njohja reciproke

Aktuale

​Osmani: Dialogu ka kuptim kur në fund të tij do të pasojë njohja reciproke

Më: 21 shtator 2021 Në ora: 20:58
Foto nga takimi

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani deklaroi sot në Nju Jork se dialogu me Serbinë ka kuptim kur në fund të tij do të pasojë njohja e ndërsjellë në kufijtë aktualë dhe sipas rendit juridik aktual.

Ajo këto komente i bëri gjatë një takimi me presidentin e Guajanës, Mohamed Irfaan Ali, ku mori pjesë edhe ministrja e Jashtme Donika Gërvalla.

Presidentja Osmani ofroi pasqyrë të zhvillimeve në Kosovë dhe në rajon, përfshirë këtu zhvillimet politike, ekonomike, por edhe sfidat me pandeminë.

Edhe në këtë takim, Osmani i kërkoi Guajanës përkrahje për lobim te shtetet e saj fqinje në Amerikën Qendrore e Jugore për ta njohur pavarësinë e Kosovës.

Më tej, Osmani ka folur edhe për thellimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve. Ajo përmendi promovimin e mundësive për investime, shkëmbime tregtare dhe ekonomike.

Ministrja e Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit në arsim, turizëm dhe fusha të tjera të interesit të dyanshëm.

Ndërsa presidenti Ali ka thënë se Guajana e ka përkrahur vazhdimisht Kosovën dhe shprehu gatishmërinë për thellim të raporteve mes dy shteteve. Ai shprehu gatishmërinë e institucioneve të Guajanës që t’i intensifikojnë marrëdhëniet me Kosovën dhe e ritheksoi mbështetjen e tij për procesin e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat