Ish-presidenti i Kroacisë: Serbia nuk mund ta pushtojë Kosovën, as t’i imponojë zgjidhje të saj

Aktuale

Ish-presidenti i Kroacisë: Serbia nuk mund ta pushtojë Kosovën, as t’i imponojë zgjidhje të saj

Nga: G.B Më: 22 shtator 2021 Në ora: 09:01
Stjepan Mesiq.

Ish-presidenti i Kroacisë, Stjepan Mesiq.ka thënë se Serbia nuk mund ta pushtojë Kosovën me ushtrinë e saj e as nuk mund t’i imponojë Kosovës zgjidhje të saj.

Në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, ai ka deklaruar se Serbia ka iluzione për Kosovën, kjo e fundit është e pranuar nga shumë shtete dhe shumë të tjera që nuk e kanë bërë ende, do ta bëjnë, përcjell Bota sot.

“Askush në Serbi nuk guxon të thotë se Kosova është çështje teknike për Serbinë. Serbia, as nuk mund ta pushtojë Kosovën me ushtrinë e saj, as nuk mund t’i imponojë Kosovës zgjidhje të saj. Rrëfimet se ajo është “zemra e Serbisë” ose “shpirti i saj” mund të sjellin disa kujtime, por gjërat duhet shikuar në kontekstin aktual. Serbia ka mundur të ketë një politikë ndryshe ndaj Kosovës. Në fund, Serbia ndoshta ka mundur të pranojë bashkëpunimin federal me Kosovën, marrëdhënie konfederale. Shumë ka mundur të bëhet. Por, pas luftës, e cila i është imponuar Kosovës, këto tani janë iluzione. Nuk ka më mundësi që të ndryshohet diçka në marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës. Kosova është e njohur në masë të madhe. Të tjerët që nuk e kanë pranuar, do ta bëjnë këtë. Kjo shkon me rrjedhën e vet. Do të ishte mirë sikur të kishte më shumë informacione në Serbi, që shoqëria të kuptojë se politika e Sllobodan Millosheviqit ka qenë e gabuar dhe tani duhet pranuar realiteti. Dhe, realitet është pavarësia e Malit të Zi, pavarësia e republikave të tjera që janë bërë të pavarura pas rënies së Jugosllavisë, por realitet është edhe ekzistenca e Kosovës”, ka deklaruar ai.

Mesiq po ashtu ka thënë se Serbia edhe nëse nuk mund ta njohë Kosovën, mund të lejojë që në kufirin Kosovë-Serbi, të mos ketë probleme, të stabilizohet gjithçka.

“Nëse Serbia, për arsye të brendshme, nuk mund ta njohë Kosovën, ajo mund të bëjë diçka tjetër. Mund të lejojë që në kufirin midis Serbisë dhe Kosovës të kalojë kapitali, qytetarët, kompanitë, të bëhet bashkëpunim ekonomik, njerëzit të mos kenë probleme për të kaluar kufirin, të stabilizohet... atëherë edhe zgjidhjet do të jenë më të mira”, ka thënë ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat