Tri ditë bllokadë: Policia dhe protestuesit nuk tërhiqen

Aktuale

Tri ditë bllokadë: Policia dhe protestuesit nuk tërhiqen

Më: 22 shtator 2021 Në ora: 11:28
Pjesëtarë të njësive speciale të Policisë së Kosovës në afërsi të pikëkalimit kufitar në Jarinjë më 21 shtator 2021.

Kosova ka hyrë në ditën e tretë që kur janë bllokuar dy rrugë nacionale në veri të vendit nga serbë lokalë të cilët po protestojnë kundër masave të reciprocitetit për targat e veturave nga Serbia.

Të dy rrugët që shpijnë në pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak po mbahen të bllokuara nga dhjetëra kamionë dhe vetura të vendosura nga protestuesit serbë.

Protestuesit po përkrahen nga liderët lokalë në komunat në veri të Kosovës si dhe nga Beogradi.

Në këto pika kufitare, që nga dita e hënë po qëndrojnë edhe pjesëtarë të njësive speciale të Policisë së Kosovës. Ata janë të bllokuar mes pikave kufitare dhe protestuesve. Policia deri tash nuk ka marrë asnjë aktivitet për lirimin e rrugëve.

Kurti i bën thirrje Serbisë: T’i heqim targat e përkohshme

Në mbledhjen e qeverisë të mbajtur më 22 shtator, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur për situatën e krijuar në veri të Mitrovicës, pas vendimit për reciprocitet me Serbinë sa u përket targave të automjeteve.

Ai tha se të dyja shtetet duhet të largojnë targat e përkohshme.

Më 20 shtator, gjatë një seance plenare, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti shfaqi targat e përkohshme që përdoren nga Kosova dhe Serbia.

“Oferta jonë publike besoj që është tejet praktike, përveçse gjeneroze, e kjo është le t’i heqin tabelat e përkohshme edhe Serbia edhe Kosova dhe në këtë mënyrë që qytetarët le të qarkullojnë sa më shumë e më sa më pak vonesa”, tha Kurti.

Kryeministri Kurti tha po ashtu se nuk është në interesin e Serbisë që të refuzojë dialogun dhe bisedimet, pasi sipas tij, ka dhënë përgjigje negative për bisedimet me Kosovën.

“Ne besojmë që Brukseli është vendi ku duhet të zhvillohen takimet dhe bisedimet dhe natyrisht që siç gjithmonë jemi të gatshëm, të hapur e të interesuar sepse është interesi i qytetarëve për një gjë të tillë”, tha Kurti.

Ndërkohë, të mërkurën, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, bashkë me ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, kanë takuar sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Në njoftimin për media thuhet se presidentja Osmani e ka informuar sekretarin Stoltenberg edhe për zhvillimet e fundit në dialogun me Serbinë, duke përmendur edhe Marrëveshjen e Brukselit për lirinë e lëvizjes.

“Presidentja e informoi sekretarin Stoltenberg edhe për zhvillimet e fundit në dialogun me Serbinë. Ajo theksoi se Republika e Kosovës i ka zbatuar marrëveshjet e Brukselit për lirinë e lëvizjes dhe i dënoi kërcënimet dhe veprimet e Serbisë dhe të strukturave ilegale të saj në Kosovë”, thuhet në njoftimin e publikuar në ueb-faqen zyrtare të Presidencës së Kosovës.

Serbia i heq targat e kosovarëve që nga viti 2008

Të martën, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq tha se fillimisht duhet të tërhiqen trupat e Kosovës nga veriu “e më pas të ulemi të bisedojmë”. Ai po ashtu ka kërkuar një përgjigje urgjente nga Bashkimi Evropian nëse marrëveshjet e Brukselit janë në fuqi apo jo.

Pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për reciprocitet me Serbinë, shoferët me targa të Serbisë kur hyjnë të Kosovë duhet të marrin targa të përkohshme, njësoj siç obligohen qytetarët e Kosovës me targa RKS që t’i ndërrojnë ose t’i mbulojnë targat kur futen në Serbi.

Çështja e targave është e rregulluar me Marrëveshjen për lirinë e lëvizjes midis Kosovës dhe Serbisë, e cila është arritur në vitin 2011 në Bruksel.

Në këtë marrëveshje ishte përcaktuar që të gjithë pronarët e veturave që banojnë në Kosovë, duhet të përdorin targat KS (Kosovë) ose RKS (Republika e Kosovës) dhe kështu t’i hiqnin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë./Rel/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat