​Nikolla viziton Kosovën: Të punojmë bashkë që krimet serbe të dihen botërisht

Aktuale

​Nikolla viziton Kosovën: Të punojmë bashkë që krimet serbe të dihen botërisht

Më: 22 shtator 2021 Në ora: 13:41
Foto nga takimi

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë Lindita Nikolla, në vizitën e saj të parë në Kosovë, ka deklaruar se Shqipëria do të intensifikojë dhe do të përdorë të gjitha organizmat ndërkombëtarë ku ajo bënë pjesë që të ngrihet zëri për gjenocidin që Serbia ka kryer gjatë luftës në Kosovë.

Nikolla që është pritur në takim nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, u shpreh se Kosova dhe Shqipëria, duhet të punojnë më shumë në forumet ndërkombëtare që krimet serbe të bëhen të ditura botërisht dhe opinioni botëror të bindet që Serbia ka kryer gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

E para e Kuvendit të Shqipërisë, tha se duhet të ketë bashkëpunim edhe sa i përket procesit të njohjeve të reja për Kosovës, procesin e liberalizimit të vizave, derisa theksoi se destinacioni i Kosovës dhe Shqipërisë është anëtarësimi në Bashkimin Evropian.

Nikolla: Të punojmë më shumë që të bëhet e ditur që Serbia ka kryer gjenocid

“Duhet të bashkëpunojmë në të gjitha forumet ndërkombëtare ashtu që të rivitalizojmë procesin e njohjeve ndërkombëtare të Kosovës dhe të punojmë së bashku me partnerët tanë që të ndalojmë ofensivën diplomatike të Serbisë për tërheqjen e njohjeve. Ashtu sikurse duhet të ndërveprojmë dhe të punojmë më shumë në të gjitha forumet ndërkombëtare që krimet serbe të ribëhen të ditura botërisht dhe opinioni botëror të bindet që Serbia ka kryer gjenocid, krime kundër njerëzimit, krime lufte dhe ka fshehur kriminel në kërkim për dekada. Bashkimi Evropian është destinacioni ynë i përbashkët edhe i Shqipërisë edhe i Kosovës dhe vendet tona nuk kanë asnjë plan tjetër, por vetëm një plan që është ai me një drejtim ai i integrimit në BE. Shpresojmë që brenda kryesimit slloven të BE-së Shqipëria të organizojë konferencën e parë ndërqeveritare për hapjen e negociatave dhe që Kosova të marrë një vendim pozitiv për liberalizimin e vizave për t’i dhënë fund një herë e përgjithmonë trajtimit të padrejtë që po u bëhet qytetarëve të Kosovës. Lobimi i Shqipërisë për avancimin e procesit të integrimit evropian të Kosovës, veçanërisht për liberalizimin e vizave ka qenë i vazhdueshëm dhe do të vazhdojë derisa kjo aspiratë të realizohet”, u shpreh ajo.

E pyetur se meqenëse Kosova nuk ka ulëse në OKB, a mund ta ketë mbështetjen nga Shqipëria që përmes saj të bëhet padia për gjenocid ndaj Serbisë, Nikolla tha se Shqipëria do të përdorë të gjitha mekanizmat ku bënë pjesë që të dihet gjenocidi që Serbia ka kryer në Kosovë.

Nikolla: Shqipëria do të përdorë të gjithë mekanizmat ndërkombëtarë që gjenocidi serb të bëhet i ditur

“Shqipëria do të intensifikojë dhe do të përdorë të gjitha organizmat ndërkombëtarë ku ajo bënë pjesë për të bërë të mundur atë që gjenocidi serb ka bërë në Kosovë dhe gjithë krimet e luftës që Serbia ka bërë kundrejt Kosovës”, deklaroi ajo.

Sa i përket dialogut, Nikolla tha se Shqipëria e vlerëson rihapjen e dialogut dhe se është inkurajuese mbështetja e plotë nga administrata e re amerikane për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse me njohje të ndërsjellë.

Nikolla: Vlerësojmë rihapjen e dialogut Kosovë-Serbi

“Patjetër që ne Shqipëria dhe bashkërisht vlerësojmë rihapjen e dialogut Kosovë-Serbi takimin e 15 qershorit dhe 19 korrikut midis kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq në koordinim me partnerët tanë strategjik, SHBA-të dhe BE. Është inkurajuese mbështetja e plotë nga administrata e re amerikane e presidentit Biden për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovës, e fokusuar në njohjen e ndërsjellë. Fakti që SHBA-të dhe BE nuk kanë asnjë dallim qëndrimesh për sa i përket dialogut dhe rrugëtimit që Kosova duhet të bëjë, patjetër është një nxitje pozitive dhe një argument i fortë për të thënë që po Kosova ashtu sikurse i kishte këta partner të rëndësishëm në krahë kur fitoi luftën, i ka sërish në krahë të saj për të fituar edhe në paqe”, tha ajo.

Nikolla që vizitën e parë pas marrjes së detyrës së kryetares së Kuvendit e bëri në Kosovë, u shpreh se bashkërendimi i punëve dhe veprimi i përbashkët me Kuvendin e Kosovës do të jetë një nga prioritetet e punës së saj.

Ndërkaq, tha se janë dakorduar me Konjucën që të nxisin bashkëpunimin mes dy Kuvendeve dhe të instrumentalizojnë mbledhjet e përbashkëta të drejtuesve të komisioneve parlamentare të të dyja shteteve.

Në anën tjetër, kryetari i Kuvendit të Kosovës GLauk Konjufca u shpreh se marrëdhënies mes Kosovës dhe Shqipërisë janë në relacion vëllazëror. Ai tha se nëpër çdo fazë në të cilën ka kaluar Kosova, ka pasur në krah Shqipërinë.

Konjufca: Kosova ka shumë sfida përpara

“Natyrisht që Kosova ka shumë sfida përpara, por meqë vazhdimisht po sigurohemi edhe nga kryetarja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë edhe nga kryeministri, edhe nga personalitetet më të rëndësishme politike të Republikës së Shqipërisë se do të qëndrojnë gjithmonë krah Kosovës në mbrojtje të interesave tona, kjo na mbush me më shumë kurajë se e ardhmja e popullit tonë kudo që jeton ai do të jetë më i ndritur se sot. Për shkak se ne gjithmonë do të lidhemi më shumë me njëri tjetrin në vitet në vazhdim për arsye se ky është në fakt thelbi i interesit tonë të përbashkët kombëtar”, tha ai.

Edhe Konjufca deklaroi se duhet të ketë bashkëpunim më të madh ndërmjet Kuvendit të Kosovës dhe atij të Shqipërisë.

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, ka ftuar homologun e saj nga Kosova, Glauk Konjuca që të vizitojë Shqipërinë. Nikolla gjatë ditës është takuar edhe me kryeministrin Albin Kurti dhe kryetarin e komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat