Dita e pestë e gjykimit ndaj Mustafës në Hagë/ Dëshmitari i dytë: S’ka pasur koordinimin mes BIA-s dhe Brigadës 153

Aktuale

Dita e pestë e gjykimit ndaj Mustafës në Hagë/ Dëshmitari i dytë: S’ka pasur koordinimin mes BIA-s dhe Brigadës 153

Më: 24 shtator 2021 Në ora: 09:46
Salih Mustafa

(E plotësuar 12:22) -Në Dhomat e Specializuara në Hagë po vazhdon të dëgjohet dëshmitari i dytë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar kundër Salih Mustafës i cili po akuzohet me pretendimin për krime lufte. Edhe dëshmitari i dytë është i mbrojtur, identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur për publikun.

Dëshmitari me kodin W04600 po përgjigjet në pyetjet e prokurorit lidhur me njësinë BIA dhe disa personave që thuhet të kenë qenë pjesë e saj, për të cilët dëshmitari ka thënë se i kujton në bazë të pseudonimeve.

Prokurori: Njësia BIA a ka qenë pjesë e Brigadës 153, a ishte pjesë e zinxhirit të komandës të Brigadës 153?

 

Dëshmitari: Jo

Prokurori: A ka pasur njësi të brigadës 153 që ka qenë e varur tek njësia BIA ose e lidhur me njësinë BIA?

Dëshmitari: Jo nuk e di që ka pasur.

Ndër të tjera dëshmitari ka thënë se njësitë kanë bashkëpunuar me njëra tjetrën në operacione luftarake por sipas tij nuk ka pasur një komandë qendrore.

Prokurori: A kanë bashkëpunuar ndonjëherë me njëra tjetrën njësitë, për shembull në operacione luftarake?

Dëshmitari: Po kemi bashkëpunu.

Prokurori: Dhe kur ka ndodhur kjo gjë a ka pasur ndonjë komandë qendrore apo a ka pasur ndonjë lloj koordinimi, një njësi që ka bërë bashkëpunimin e atyre dy njësive?

Dëshmitari: Jo nuk besoj që ka pasur për arsye se forcat serbe kur kanë sulmuar, nuk ka pasur komandë, por jemi gjetë secili qysh kemi mujt për me u mbrojt. Komandë të veçantë nuk ka pasur as nga brigada, as nga BIA, as nga Zona Operative e Karadakut që ka vepruar në Zllashë, por forcat serbe kur kanë sulmuar ne kemi qenë të gatshëm gjithmonë edhe i kemi dalë për ballë ashtu qysh kemi mujt, komandën me ta jep kjo njësi apo ajo njësi nuk ka pasur.

Gjatë dëshmisë së tij, dëshmitari i mbrojtur ka thënë se komandant “Cali” ka pasur një zëvendës, ndërsa është përgjigjur se nuk e di kush ka qenë eprori i Mustafës.

Prokurori: Kush ka qenë eprori i drejtpërdrejt i komandant “Calit”?

Dëshmitari: Nuk e di.

Prokurori: Komandant “Cali” a ka pasur zëvendës?

Dëshmitari: Po

Prokurori: Si e ka pasur emrin zëvendësi i komandant “Calit” në atë kohë?

Dëshmitari: Nuk ja di, por pseudonimin ja di, me pseudonim “Dardani”[...]Të them të vërtetën ata të gjithë kanë pasur pseudonime, kështu që një kohë e gjatë ka shkuar që ndoshta i kam harruar, jo ata por shumica e ushtarëve kanë qenë me pseudonime, jo vetëm njësia BIA por shumica e ushtarëve kanë qenë me pseudonime.

Prokurori: Po emri Nazif Musliu të kujton ndonjë gjë. Kështu e kishte emrin ky personi, ai kishte edhe pseudonim por ky është emri i vërtetë, a të kujtohet si e ka pasur pseudonimin?

Dëshmitari: Me pseudonim “Tabuti”.

Tutje, prokurori ka përmendur Nazif Musliun e Bahri Gashin për të cilët pastaj dëshmitari ka thënë se kanë qenë pjesë e njësisë BIA, derisa për një person me pseudonimin “Bimi” ka thënë se nuk e di nëse ka qenë pjesë e njësisë.

Dëshmitari ka thënë se pjesëtarët e BIA-s kanë lëvizur me rroba civile dhe uniforma, por më shumë me këto të fundit, ndërsa ka shtuar se komandant “Cali” kur ishte në uniformë barte një kapelë të kuqe.

Dëshmitari: Komandat “Cali” me uniformë e mbante një kapelë të kuqe

Kur ka qenë me uniform ka qenë herë me kapelë, herë pa kapelë, herë me uniform herë pa uniform, por megjithatë më shumë ka qenë me uniformë me një kapelë të kuqe”, ka thënë dëshmitari.

Ndërsa i akuzuari Salih Mustafa po merr pjesë në seancë përmes video-lidhjes.

Në pjesën e dytë të seancës do të vazhdohet me pyetjet e mbrojtëses së viktimave për dëshmitarin e mbrojtur. 

***

Dëshmitari i dytë në rastin kundër ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, po vazhdon edhe të premten të intervistohet para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Dëshmitari ka lënë të nënkuptohet se ka qenë pjesë e një njësie luftarake gjatë luftës në Kosovë, pasi kur është pyetur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar se a kanë bashkëpunuar njësitë në operacione luftarake, ai u përgjigj: “Po kemi bashkëpunuar”.

Prokurori i ZPS-së e ka pyetur se a ka pasur komandë qendrore apo koordinim për të bashkërenduar dy njësitë në Zllash. Dëshmitari është përgjigjur se “kur na sulmonin serbët jemi gjind qysh kemi mujt”.

“Nuk ka pasur koordinim. Nuk besoj që ka pasur për arsye se kur kanë sulmuar forcat serbe jemi gjind secili qysh kemi mujt për mu mbrojtë. Komandë të veçantë s’ka pasur as nga BIA as nga zona operative në Zllashë që ka vepruar, por kur kanë sulmuar ne jemi kon të gatshëm me dal përballë qysh kemi mujt”.

Më tej, dëshmitari ka pohuar se Mustafa që njihej me pseudonimin “komandant Cali” kishte një zëvendës dhe ai njihej me nofkën “Dardani”.

“Ata zakonisht kanë pasur pseudonime. Një pjesë të tyre ndoshta i kam harru. Jo vetëm ata, por shumica e ushtarëve kanë qenë me pseudonime”.

I pyetur se çfarë uniforma vishnin anëtarët e njësive dhe i akuzuari, dëshmitari është shprehur se “herë ka pasë uniformë, herë nuk ka pasë. Por, ma shumë ka pasë uniformë dhe ka pasur kapelë të kuqe”.

***

Ka nisur seanca e gjykimit ndaj Salih Mustafën në Hagë.

Vazhdon edhe sot gjykimi ndaj Mustafës

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë të premten do të vazhdojë gjykimi kundër ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, i cili po akuzohet për krime lufte. 

Kjo është dita e pestë e gjykimit ndaj tij.

Të enjten ka përfunduar intervistimi i dëshmitarit të parë kundër çështjes së tij, ndërsa ka filluar intervistimi i dëshmitarit të dytë. 

Dëshmitari i parë para ZPS-së ka deklaruar se në fshatin Zllash gjatë kohës së luftës është rrahur dhe maltretuar për orë të tëra siç pretendon ai nga Mustafa, të cilit ka refuzuar të ia përmend emrin dhe i është referuar si “i akuzuari”.

Ndërsa, dëshmitari i dytë në këtë çështje, ka deklaruar se “në Zllash ishte Njësia BIA, komandant i të cilës ishte Salih Mustafa me nofkën komandant ‘Cali’”.

Teksa është pyetur nga prokurori i ZPS-së se nga dhe deri kur ka filluar të qëndrojë kjo nësi në Zllash, ai ka pohuar se kohën kur janë vendosur nuk e di, por se Njësia e BIA-s ka qëndruar në Zllash “deri në bombardimin e forcave serbe”.

Salih Mustafa, i njohur në luftë si “komandant Cali” është i arrestuari i parë nga Specialja dhe ky është gjykimi i parë në Dhomat e Specializuara. Aktakuza ndaj tij është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020, ndërsa u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat