Kurti: Morali i Policisë s’ka qenë kurrë më lart se tash

Aktuale

Kurti: Morali i Policisë s’ka qenë kurrë më lart se tash

Më: 25 shtator 2021 Në ora: 16:42
Albin Kurti

Kryeministri Albin Kurti në konferencën e jashtëzakonshme për media lidhur me gjendjen në veri të Kosovës u shpreh se pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnjak do të digjeshin po të mos ishte prezente policia e Kosovës me njësitë speciale.

Kurti tha se djegia e Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok është dëshmi se aty ku nuk ka policë ka incidente.

“Paramendoni se çfarë do të ngjante në pikat 1 dhe 31 sikur të mos ishte aty policia speciale. Sulmet e sotme janë dëshmi se kjo është synuar edhe në pikat në Jarinje dhe Bërnjak. Sot u vërtetua se ne kemi pika kufitare sepse kemi njësi speciale të policisë. Asnjë incident në asnjë pikë kufitare në ditën e gjashtë të vendimit të zbatimit të qeverisë së Kosovës.Aty ku ka polici të Kosovës nuk ka incidente aty ku nuk ka polici ka incidente siç ndodhi në Zubin Potok”, tha ai.

Përmes një konferencë për medie, Kurti kërkuar që shqiptarët e serbët mos të manipulohen nga, siç ka thënë ai, grupet kriminale të një grupi që përfitojnë materialisht nga këto situata.

Kurti ka thënë se konflikti rrezikon të marrë përmasa rajonale si pasojë e provokimeve nga ana serbe, sulmeve kriminale të cilat ai i quajti “terroriste”.

“Konflikti rrezikon të marrë përmasa rajonale. Ne kemi treguar interesimin tonë për dialog. Vuçiq ka refuzuar dhe ka zgjedhur inkurajimin e grupeve kriminale në veri. Bllokadat dhe veprimet kriminale me elemente terroriste janë të tilla sepse krimi, tensioni, kontrabanda dhe kaosi ka qenë e vetmja formë mbijetese”, ka thënë ai.

“Ata kanë bllokuar rrugën, jo vetëm me kamion. Por edhe me bulldozerë. Njësitet Speciale edhe po i mbrojnë kufitë, edhe policët. Asnjë incident në asnjë pikë kufitare në ditën e gjashtë. Aty ku ka polici nuk ka incidente. Aty ku nuk ka pas polici, ka pasur rrezik të ndodhë, dhe ndodhi, një akt kriminel. Gjashtë ditë, asnjë incident. Pse? Sepse ku ka polic, ka siguri dhe nuk ka incidente”, tha ai.

Ai vazhdoi duke lavdëruar policinë e Kosovës, të cilët sipas tij asnjëherë si tash nuk e kanë pasur moralin lartë.

“Kurrë s’ka qenë më lartë morali i Policëve të Kosovës dhe profesionalizmi i tyre është e shkëlqyer. Unë i falënderohem secilit prej tyre. E gjithë Kosova duhet ta mbështes Policinë e Kosovës. Por natyrisht askur sikur ata. Ju ftoj që t’i përkrahim e t’i duam ata që kaq shumë po e duan Kosovën tonë të dashur”, tha ai.

E në lidhje me vendosjen e reciprocitetit, Kurti ka thënë nga e hëna, janë lëshuar 9 mijë targa të përkohshme.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat