Serbia po e tregon fytyrën e saj Millosheviçiane, kërkohet reagim i drejtë BE-së dhe këmbëngulje e Kosovës

Aktuale

Serbia po e tregon fytyrën e saj Millosheviçiane, kërkohet reagim i drejtë BE-së dhe këmbëngulje e Kosovës

Mimozë Lakna, Bota sot Nga Mimozë Lakna, Bota sot Më 26 shtator 2021 Në ora: 20:55
Foto ilustrim

Ka disa ditë që Kosova nuk po gjen qetësi, ndonëse mori një vendim që është plotësisht në të drejtën e saj si shtet.

Pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak në pjesën veriore të vendit po mbahen të bllokuara nga persona të inkriminuar, fantom e të porositur nga Serbia, për të mbajtur të destabilizuar situatën.

Ndërsa në veri të vendit situata është e brishtë, në pikat tjera kufitare me Serbinë procedurat shtetërore po zhvillohen normalisht. Serbët dhe qytetarët tjerë që po hynë në Kosovë nga Merdari, Dheu i Bardhë, Mutivoda etj, nuk po e kanë problem zëvendësimin e targave të veturave të tyre me ato të Republiës së Kosovës.

Pra, zbatimi i vendimit që doli si rrjedhojë e marrëveshjes Kosovë-Serbi në Bruksel po i pengon një mase të caktuar të njerëzve me ide shoviniste e që kanë për qëllim ndarjen e Kosovës.

Nuk ishin të rastësishme kërcënimet me helikopterë e tankse luftarake, që Serbia i defilonte shumë pran kufirit me Kosovën.

Kujtojmë që javë më parë, priftërinjtë ortodoksë serbë, në vend se t`iu pëkushtoheshin riteve të tyre fetare, në Cetinje të Malit të Zi bënë thirrje për futjen e ushtrisë serbe në Kosovë.

Nisur nga kjo, janë paksa të pakuptueshme thirrjet për dialog dhe ulje të tensioneve nga të dyja palët. Kjo pasi Kosova nuk po bën asgjë më shumë e as më pak se sa ushtrimin e sovranitetit në territorin e saj, ndërsa Serbia po e tregon fytyrën e saj Millosheviçiane. 

Pra, të gjitha shtetet e BE-së që sot bënë thirrje për “ulje të tensioneve nga dy palet”, janë shtete që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe besoj janë në dijeni të destruktivitetit të Serbisë në vazhdimësi.

Këto ditë, kemi parë një heshtje apo një indiferencë të shtetit të Shqipërisë në lidhje me situatën në veri. Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama kohët e fundit vazhdmisht ka qenë ai krahu mbështetës i Serbisë, duke nisur nga projekti “Open Balkan”, ku hapur nënçmoi Kosovën, ani pse edhe dy shtete tjera përveç saj nuk ia përkrahin nismën.

Po heshtë edhe për tensionet në veri. U mjaftua me një deklaratë ku thoshte se “Kosova po e ngre problemin me plot të drejtë” dhe përfundoi: “Duhet që Kosova të dialogojë, Serbia të bashkëpunojë, BE të ndërmjetësojë”. Pra e quajti problem dhe jo Vendim, vendosjen e reciprocitetit të targave nga ana e Kosovës.

Me diplomaci la të kuptohej që as nuk dëshiron t`ia prish qejfin vëllait të tij nga Serbia, Aleksandër Vuçiq e as të bjere në sy se nuk po e mbështet Kosovën.

Nesër, Rama do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Kosovë. Mbetet të shihet se anën e kujt do ta mbajë, apo do të tregohet neutral!

Mbase edhe do ta çortojë Kosovën si për Ballkanin e Hapur në Tiranë. Gjithçka mund të pritet nga dikush që ka jo rrallë ka shprehur përkrahje më të madhe ndaj Serbisë se sa ndaj Kosovës.

Por, Rama është Rama dhe fundja u mësuam me të.

Ajo që na duhet sot është këmbëngulja e Kosovës në të drejtën e saj dhe bindja e BE-së, se është Serbia ajo që po e rrezikon paqen në rajon!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat