Eurodeputetët bëjnë thirrje: Të gjendet zgjidhje, të hiqet Policia dhe barrikadat nga veriu i Kosovës

Aktuale

Eurodeputetët bëjnë thirrje: Të gjendet zgjidhje, të hiqet Policia dhe barrikadat nga veriu i Kosovës

Më: 28 shtator 2021 Në ora: 11:15
Eurodeputetët

Ka hyrë në ditën e nëntë bllokimi i dy rrugëve në Jarinjë dhe Bërnjak, që lidhin Kosovën dhe Serbinë.

Qytetarët serbë, me kamionë dhe mjete të tjera të rënda kanë bllokuar këto dy rrugë nacionale, në shenjë proteste për vendosjen e masës së reciprocitetit për automjetet me targa nga Serbia.

Disa deputetë të Parlamentit Evropian, që janë raportues për vendet e Ballkanit Perëndimor, të martën u bën thirrje Kosovës dhe Serbisë që të gjejnë një zgjidhje paqësore dhe të qëndrueshme për situatën në veri.

“Dëshirojnë që të shohin tërheqjen e njësive speciale të policisë dhe çfarëdo formacioneve ushtarake dhe heqjen e bllokadave të rrugëve”, thuhet në deklaratën e përbashkët të raportueses për Kosovën, Viola von Cramon-Taubadel, raportuesit për Serbinë, Vladimir Bilçik, udhëheqësit të delegacionit për raportet midis Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës, Romeo Franz dhe Tanja Fajon, që kryeson delegacionin për raportet me Serbinë në Parlamentin Evropian.

Eurodeputetët po ashtu kërkuan që të ndalen veprimet dhe provokimet, sipas tyre, ndikojnë në mirëqenien e komuniteteve.

“Kërkojmë nga Bashkimi Evropian dhe partnerët e tij që të vazhdojnë punën drejt shtensionimit të krizës dhe i ftojmë liderët e Kosovës dhe Serbisë të përdorin platformën që ofron dialogu i lehtësuar nga BE-ja për të zgjidhur të gjitha çështjet e hapura, përfshirë edhe ato që lidhen me lirinë e lëvizjes”, thuhet në deklaratën e përbashkët.

KFOR-i rrit praninë në veri për t’i ulur tensionet

Që prej vendimit për reciprocitetin për targat, në Jarinjë dhe Bërnjak po qëndrojnë njësitë speciale të Policisë së Kosovës dhe më 27 shtator, misioni i Aleancës Veri-atlantike në Kosovë, KFOR njoftoi se ka rritur patrullimet në pikëkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.

Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Franco Federici tha se masat e ndërmarra në veri të Kosovës kanë për qëllim “uljen e shpejtë të tensioneve” si dhe “rivendosjen e mjedisit të sigurt” dhe të “lirisë së lëvizjes për të gjitha komunitetet”.

Ditëve të fundit është raportuar për se avionë të Serbisë kanë fluturuar në afërsi të Jarinjës.

Më 27 shtator, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë një vizite në Prishtinë tha se “manovrat teatrale ushtarake të Serbisë” në afërsi të kufirit të Kosovës, “nuk i mbrojnë qytetarët serbë në veriun e Kosovës”. Ndërkaq, po ashtu i bëri thirrje Kosovës që të mos krijojë probleme me miqtë ndërkombëtarë përmes mbajtjes së njësive speciale të policisë në kufi.

Por, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se njësitë speciale janë dërguar atje për të mbrojtur pikat kufitare dhe policitë kufitarë dhe jo “për të demonstruar një forcë”.

Ndërkaq, më 25 shtator kanë ndodhur dy incidente në veri të Kosovës, për të cilat, Prishtina fajësoi Beogradin. Në Zubin Potok është djegur Qendra për Regjistrimin e Automjeteve, ndërkaq në Zveçan është sulmuar Qendra e Regjistrimit Civil.

Qeveria e Kosovës insiston se Serbia për vite të tëra aplikon masë të njëjtë për automjetet me targa të Kosovës.

Sipas vendimit të 20 shtatorit, të gjitha automjetet me targa të Serbisë me të hyrë në Kosovë duhet t’i heqin ato dhe të pajisjen me targa të përkohshme, të lëshuara nga autoritetet e Kosovës.

Për këto targa të përkohshme shoferët duhet të paguajnë pesë euro dhe vlefshmëria e tyre është dy muaj.

Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se në periudhën 20-26 shtator ka lëshuar 10,110 targa të përkohshme në të gjitha pikëkalimet kufitare dhe në qendrat e regjistrimit të automjeteve në mbarë Kosovën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat