​Kurti ia uron komunitetit boshnjak festën kombëtare

Aktuale

​Kurti ia uron komunitetit boshnjak festën kombëtare

Më: 28 shtator 2021 Në ora: 17:53
Foto ilustrim

Roli i boshnjakëve në të gjitha proceset është historik dhe i palëkundur, prandaj sot, boshnjakët e Kosovës janë pjesë përbërëse e pandashme e shoqërisë sonë, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me rastin e shënimit të Ditës së Boshnjakëve.

Ai tha se ndihet krenar që Kosova është atdhe i boshnjakëve të cilët me vite kanë dhënë kontribut dhe angazhim në zhvillimin e vendit tonë, përkundër sfidave në të kaluarën.

Komuniteti boshnjak, përveç si pjesë e peizazhit multietnik të Kosovës, siç theksoi Kurti, mund të luajë rol të rëndësishëm si urë kryesore në mes të shtetit tonë dhe Bosnjës, në heqje të vizave, qarkullim normal të njerëzve dhe të kapitalit, deri te njohja dhe ndërtimi i marrëdhënieve diplomatike.

"Boshnjakët në këto hapësira, kanë arritur ta ruajnë identitetin e tyre unik, gjuhën e tyre, kulturën dhe traditën e tyre. Ata janë kategori kushtetuese dhe gjuha e tyre mund të përdoret si gjuhë zyrtare", tha kryeministri Kurti.

Zëvendëskryeministrja Emilija Rexhepi tha se komunitetet pakicë në Kosovë duhet t’i shfrytëzojnë këto mundësi për ruajtjen e vlerave kulturore, identitetin, gjuhën dhe kulturën.

“Në këtë ditë feste të përçojmë mesazhe paqeje për ne që jetojmë në Kosovë dhe që bashkërisht të angazhohemi për marrëdhënie të mira fqinjësore me të gjithë popujt në rajon”, tha Rexhepi.

Në shënimin e Ditës së Boshnjakëve ishin të pranishëm ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, deputetja e Kuvendit të Kosovës Samra Ilijaz dhe të tjerë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat