Refuzohet padia ndaj Ministrisë së Drejtësisë për rastin “Vicianum”

Aktuale

Refuzohet padia ndaj Ministrisë së Drejtësisë për rastin “Vicianum”

Më: 28 shtator 2021 Në ora: 18:17
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu

Gjykata Themelore në Mitrovicë – Dega Vushtrri, ka refuzuar kërkesëpadinë e një personi ndaj Ministrisë së Drejtësisë për pengim posedim faktik dhe juridik të paluajtshmërisë, që njihet si “Vicianum” në Vushtrri.

Lajmin e bëri të ditur ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka tha se të martën ka pranuar aktvendimin e Themelores.

Me këtë aktvendim, sipas saj, vërtetohet sërish se vendimi për shkëputje të njëanshme të kontratës nga ana e Ministrisë së Drejtësisë “ka qenë i drejtë për faktin se ajo kontratë ishte lidhur në kundërshtim flagrant me rendin juridik të Republikës së Kosovës”.

“Për më tepër, akterët me lidhjen e asaj kontrate kanë konsumuar vepër penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe veprave tjera të ndërlidhura me të”.

“E drejta triumfon kur ata që kanë keqpërdorur detyrën dhe kompetencat, përgjigjen për veprimet e tyre”, ka shkruar Haxhiu në profilin e saj në Facebook.

Muaj më parë, Ministria e Drejtësisë kishte shkëputur kontratën për dhënien në shfrytëzim të pronës (tokës) së ish motelit “Vicianum” në Vushtrri.

Në këtë pronë, në të cilën Komuna e Vushtrrisë e kishte paraparë për ndërtimin e stacionit të autobusëve, Ministria e Drejtësisë kishte thënë se ka gjetur shkelje ligjore.

Ky vendim kishte shkaktuar përplasje verbale mes ministres së MD-së dhe kryetarit të Vushtrrisë, Xhafer Tahiri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat