Kërcënojnë kryetarët e komunave në veri: Nuk do t’i largojmë barrikadat nëse nuk anulohet reciprociteti i targave

Aktuale

Kërcënojnë kryetarët e komunave në veri: Nuk do t’i largojmë barrikadat nëse nuk anulohet reciprociteti i targave

Më: 28 shtator 2021 Në ora: 20:19
Foto

Lista serbe ka lëshuar një komunikatë në emër të kryetarëve të katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, përmes së cilës thonë se kanë kundërshtuar zëvendësimin e pjesëtarëve të Njësisë Speciale të Kosovës, me ushtarë të KFOR-it, pasi do të mbetet në fuqi vendimi për reciprocitetin me targat e automjeteve nga Serbia.

Në komunikatë thuhet se kryetarët e komunave nga veriu gjatë ditës së djeshme (e hënë) në bisedë me komandantin e KFOR -it kanë marr propozimin që “forcat speciale shqiptare” të  zëvendësohen me ushtarë të KFOR -it, “por që vendimi i njëanshëm i Prishtinës për konfiskimin e targave serbe dhe rrezikimin e lirisë së lëvizjes të mbetet në fuqi, dhe që veriu të bëhet geto serbe”.

“Në konsultim me qytetarët tanë, njëzëri hodhëm poshtë një propozim të tillë. Populli ynë dhe ne, përfaqësuesit e tij, nuk jemi të gatshëm të pajtohemi me synimin e Prishtinës për të na futur në geto dhe për të hequr të drejtën për lirinë e lëvizjes, e cila është vlera e Evropës moderne dekada më parë dhe që duhet të zbatohet për serbët në këtë zonë”, thuhet në komunikatën e Listës Serbe, në emër të kryetarëve të katër komunave në veri.

Më tej në komunikatë thuhet se “për shkak të vendimit të njëanshëm të Prishtinës, serbët protestojnë në Jarinë dhe Bërnjak tash e nëntë ditë dhe do të qëndrojnë për aq kohë sa është e nevojshme, sepse nuk pajtohen me synimin e Prishtinës për të na futur në kafaze. Është  gënjeshtër se ne jemi të prekur nga kombësia e atij që na heq targat, por vetë qëllimi për t’i hequr ato. Pa marrë parasysh se çfarë uniforme ka veshur dikush”.

“Prania e forcave speciale të armatosura deri në dhëmbë që rrahin serbët duarthatë është arsyeja për masivitet dhe këmbënguljen e njerëzve tanë në luftën për të drejtën e lirisë së lëvizjes”.

“Prandaj i bëjmë thirrje edhe një herë Prishtinës që të kthejë gjendjen në periudhën para 20 shtatorit të këtij viti, të tërheqë formacionet e saj të armatosura në dhëmbë dhe të gjejë një zgjidhje të përshtatshme përmes dialogut me Beogradin. Çdo gjë tjetër vetëm do të ndez situatën tashmë të ndezur, të cilën përfaqësuesit tanë po e mbajnë nën kontroll me shumë vështirësi, ndërsa nga ana tjetër, njerëzit tanë po maltretohen nga forcat speciale ROSU”, thuhet në kumtesë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat