10 ditë pas situatës së tensionuar në veri të Kosovës, e pas dy ditësh negociatash intensive në Bruksel, u arrit një marrëveshje për targat e veturave të Kosovës dhe Serbisë.
Autoritetet në Kosovë më 20 shtator nisën aplikimin e masës së reciprocitetit për targat e automjeteve nga Serbia, duke detyruar serbët që të vendosin targa të përkohshme kur hyjnë në Kosovë. Të njejtën praktikë e kishte përdorur edhe Serbia për vite me radhë për veturat me targa të Kosovës.
E ky vendim i Qeverisë së Kosovës solli tensione të mëdha në veri, përkatësisht në pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak.
Për dhjetë ditë rresht, Forcat e Njësisë Speciale të Kosovës qëndruan në këto pika kufitare për të shmangur ndonjë eskalim të situatës.
Ndërkohë, qytetarët serbë bllokuan rrugët në afërsi të pikës kufitare në Jarinjë, me kamionë e vetura duke krijuar kolona disa kilometërshe, si shenjë pakënaqësie.
Ndonëse situata gjatë këtyre dhjetë ditëve ishte kryesisht e qetë, pati disa incidente që lidheshin pikërisht me këtë vendim.
Serbët më 25 shtator, djegën Qendrën e Regjistrimit në Zubin Putok dhe hodhën granata dore në Qendrën e Regjistrimit në Zveçan, për të treguar se nuk po e pranojnë reciprocitetin e targave.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq kërkonte largimin e vendimit për reciprocitetin në mënyrë që të vazhdonte dialogu Kosovë-Serbi, mirëpo nga Qeveria e Kosovës thanë se do e largojnë vendimin vetëm nëse edhe Serbia bën të njejtën gjë me Kosovën.
Përfaqësues ndërkombëtar bënin vazhdimisht thirrje për një zgjidhje të situatës.
Pas shtatë ditësh me tension të shtuar në dy pikat doganore në veri të Kosovës, më 27 shtator në terren dolën edhe njësitet e forcave paqeruajtëse të KFOR-it, dhe sipas marrëveshjes së arritur gjatë të enjtes së 30 shtatorit, do të vazhdojnë të qëndrojnë në pikat kufitare Jarinjë e Bërnjak, edhe për dy javë të tjera.
Ndërsa, Forcat e Njësisë Speciale kanë kohë deri më 2 tetor të largohen nga këto pika kufitare.
Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë për targat e veturave, u arrit në Bruksel pas dy ditësh bisedime mes të dërguarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, zëvendëskryeministrit të Kosovës dhe njëherit kryengociator i Kosovës për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimit dhe kryenegociatorit të Serbisë, Petar Petkoviç.
Sipas kësaj marrëveshje nga 4 tetori 2021, do të fillojë vendosja e “stikerave-ngjitës” në targat e të dyja vendeve.
Marrëveshja e arritur përbëhet nga tri pika kryesore:
Forcat Speciale që po qëndrojnë në Jarinje dhe Brnjak duhet të largohen me barrikadat duke filluar nga 2 tetori 2021 në orën 08:00, dhe të përfundojë jo më larg se ora 16:00. KFOR-I do të vendoset në Jarinje dhe Brnjak para fillimit të largimit dhe do të qëndrojë aty për rreth dy javë, në mënyrë që të mbajë dhe sigurojë një ambient të sigurtë dhe të lirë.
Nga 4 tetori 2021 në orën 08:00, do të fillojë vendosja e “stikerave-ngjitësve” në target e të dyja vendeve, siç është vendosur në dialogun e BE-së, dhe do të mbetet masë e përkohshme deri në një zgjidhje të përhershme.
Pritet të formohet një grup punues me përfaqësues nga BE-ja, Prishtina dhe Beogradi, i cili do të gjejë një zgjidhje të përhershme rreth çështjes së targave, i cili bazohet në standardet e BE-së. Takim i parë i grupit punues do të mbahet më 21 tetor 2021 në Bruksel. Gjashtë muaj pas këtij takimi, grupi do të paraqesë gjetjet e kësaj zgjidhje në nivelin e lartë të bisedimeve.