Marrëveshja vlen edhe për targat “KM”

Aktuale

Marrëveshja vlen edhe për targat “KM”

Më: 30 shtator 2021 Në ora: 20:50
Targat ilegale në Mitrovicën e Veriut

Targat serbe për Mitrovicën e Veriut, Ferizajn, Prishtinën e Gjilanin, të cilat mund të qarkullonin vetëm në komunat veriore të Kosovës, nga e hëna e 4 tetorit do të mund të qarkullojnë vetëm me simbole shtetërore të mbuluara, ashtu siç thotë marrëveshja e sotme e Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

Pavarësisht insistimit të autoriteteve serbe, se këto targa serbe me akronime do të vlejnë në veri të Kosovës, nga kryeministria thonë se do të zbatohet marrëveshja e nënshkruar sot midis dy palëve.

Duke folur për targat, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha se Beogradi ishte ai që insistoi për regjimin e letrave ngjitëse mbi simbolet shtetërore.

Madje, ai shton se qarkullimi i rreth nëntë mijë veturave me këso lloj targash nuk do të pengohet, por nuk përmend vënien e letrave ngjitëse mbi simbolet e tyre.

Do të vlejnë edhe targat e Serbisë të lëshuara për qytetet Mitrovicë, Prishtinë, Gjilan e Ferizaj. Ata që i kanë ato, e që janë rreth 9.000 vetura, do të mund të lëvizin lirshëm nëpër Serbinë qendrore dhe në veri të Kosovës, askush nuk do t’i pengojë e as nuk do t’ua marrë”, ka thënë Vuçiq derisa foli për marrëveshjen e arritur sot në Bruksel për targat.

Por për lejimin e qarkullimit të tyre brenda territorit të Kosovës janë deklaruar nga Qeveria e Kosovës

Nga kryeministria thonë se ashtu sikurse ka potencuar kryeministri në deklaratën e tij pas marrëveshjes, ku thotë se “meqë targave të Republikës së Kosovës në Serbi do t’iu mbulohet simboli shtetëror, të gjitha targave të Serbisë pa dallim do t’iu mbulohet po ashtu simboli i tyre në territorin e Kosovës”, nënkuptohet se edhe këtyre targave do t’u mbulohen simbolet shtetërore.

Kosova nuk ka lëshuar targa KM, UR, GL”, shtojnë nga zyra e kryeministrit.

Ndërmjetësuesi i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka njoftuar të enjten se është arritur një marrëveshje me palët lidhur me krizën e shkaktuar së fundmi në veri të Kosovës.

Nëpërmjet një postimi në Twitter, Lajçak ka publikuar edhe marrëveshjen e arritur midis kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq.

Në pikën 2 të marrëveshjes, nga 4 tetori 2021, ora 08:00, hyn në fuqi regjimi i letrave ngjitëse me të cilat do të mbulohen elementet shtetërore në targat e veturave të Kosovës dhe Serbisë.

Pse targat me akronime përdoren vetëm në Veri?

Në komunat veriore të Kosovës; Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok, tash e sa kohë vazhdojnë të qarkullojnë automjete me targa jolegale me akronime si; “KM” (Mitrovica e Kosovës), “PR” (Prishtinë), “GL” (Gjilan), “UR” (Ferizaj), të cilat qytetarët e këtyre komunave i regjistrojnë në territorin e Serbisë.

Deri më tani nuk ishte dhënë ndonjë urdhër për organet e rendit të ditës nga instancat politike të vendit që të ndalohet qarkullimi i automjeteve me targat e këtij lloji anipse nga Prishtina zyrtare konsiderohen të paligjshme pasi që lëshoheshin nga dikush që nuk ka kompetencë në këtë fushë – strukturat paralele serbe në Kosovë.

Këto targa do të duhej të hiqeshin nga përdorimi brenda territorit të Kosovës që nga korriku i vitit 2011 – me Marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë, e cila u arrit në dialogun teknik midis Kosovës dhe Serbisë.

Aty ishte përcaktuar që të gjithë pronarët e veturave që banojnë në Kosovë, duhet të përdorin targat ‘KS’ (Kosovë) ose ‘RKS’ (Republika e Kosovës) dhe të fillonte mospërdorimi i targave që serbëve të Kosovës ua lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.

Derisa automjetet me targa ilegale mund të hynin në territorin e Serbisë përmes pikave kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, automjetet me targa “RKS” nuk mund ta bëjnë këtë pa i hequr tabelat dhe në vend të tyre të vendosnin tabela të quajtura “Prova” – të imponuara nga autoritetet kufitare atje.

Në shtator të vitit 2016 ishte arritur marrëveshja që tabelat “KS” të hiqeshin tërësisht dhe automjetet e të dyja vendeve të bartnin targat përkatëse gjatë qarkullimit në territorin e njëra tjetrës.

Me të përfunduar kjo marrëveshje më 15 shtator 2021, Ministria e Brendshme e Kosovës mori vendim që vetëm pesë ditë më vonë të vendoste masën e reciprocitetit të targave, duke mos lejuar të hyjë brenda territorit të Kosovës asnjë veturë me tabela të Serbisë.

Brenda Kosovës hynin vetëm veturat të cilat i ndërronin targat e tyre me ato të përkohshme të Kosovës.

Për të siguruar se po zbatohej ky vendim, Njësia Speciale e Policisë së Kosovës u pozicionua në pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak.

Serbët e veriut nuk u pajtuan me këtë aksion që për qëllim kishte vendosjen e rendit. Një numër i madh i tyre dolën në rrugë, ku pos protestave – bllokuan rrugët me dhjetëra kamionë.

Përgjatë dy javëve protesta të banorëve lokalë serbë përballë forcave të rendit, pati provokime të njëpasnjëshme nga pala serbe.

Baneri “Asociacioni i Komunave Serbe” i vendosur në Jarinje, brohoritjet “Kosova është Serbi”, e këngët nacionaliste serbe ishin provokimet që vinin nga protestuesit serbë, që më pas dogjën edhe Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve në komunën e Zubin Potokut.

Ndërsa mëtanë kufirit, ushtria serbe provokonte nga ajri. Për dy ditë me radhë janë parë disa helikopterë serbë duke vëzhguar situatën brenda Kosovës me ç’rast bënë që të reagojë edhe KFOR, i cili shpeshtoi patrullimet deri në momentin kur edhe u arrit marrëveshja për të vëzhguar terrenin që kishte në dorë Njësia Speciale e Policisë së Kosovës për dy javë rresht.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat