Barrikadat dhe Njësia Speciale do të largohen, ja çfarë parasheh marrëveshja Kosovë-Serbi

Aktuale

Barrikadat dhe Njësia Speciale do të largohen, ja çfarë parasheh marrëveshja Kosovë-Serbi

Më: 2 tetor 2021 Në ora: 08:18
Jarinje

Këtë të shtunë do të bëhet largimi i barrikadave në dy pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë në Jarinjë dhe Bërnjak.

Që nga 20 shtatori këto dy pika kufitare janë bllokuar nga serbët lokalë, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për masën e reciprocitetit për targat e automjeteve nga Serbia.

Sipas vendimit, makinat me regjistrim të Serbisë, duhet të heqin këto targa në hyrje të Kosovës, dhe të marrin targa të përkohshme gjatë lëvizjes në Kosovë.

Megjithatë, delegacionet e dy shteteve me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, kanë arritur marrëveshje më 30 shtator për çështjen e targave dhe zhbllokimin e veriut, sipas së cilës nga 2 tetori do të largohen barrikadat.

Nga marrëveshja parashihet që largimi i barrikadave dhe Njësisë Speciale pritet të fillojë në ora 08:00 dhe të përfundojë jo më larg se në orën 16:00.

Pikat që parasheh kjo marrëveshje: 

1. Sipas marrëveshjes, forcat e Njësisë Speciale të vendosura në Jarinjë e Bërnjak do të largohen njëkohësisht me bllokadat në rrugë më 2 tetor, nga ora 8:00 dhe kjo do të përfundojë maksimalisht deri në orën 16:00. KFOR-i do të vendoset në Jarinjë e Bërnjak para se të nisë largimi i sinkronizuar dhe do të qëndrojnë për dy javë për të mbajtur ambient të sigurt dhe lëvizje të lirë.

2. Nga 4 tetori, ora 8:00, hyn në fuqi regjimi i letrave ngjitëse (mbulimi i simboleve shtetërore), në pajtim me kornizën e dialogut të ndihmuar nga BE-ja dhe do të aplikohet si masë e përkohshme derisa të vendoset një masë e përhershme.

3. Do të krijohet një grup punues i përbërë nga përfaqësues të BE-së dhe palët e Beogradit e Prishtinës, e do të kryesohet nga BE-ja, për të gjetur një zgjidhje të përhershme për çështjen e targave të bazuara në standardet dhe praktikat e BE-së. Takimi i parë i Grupit Punues do të mbahet më 21 tetor në Bruksel. Brenda gjashtë muajve nga takimi i parë, Grupi Punues do të paraqesë zbulimet e saj për një zgjidhje të përhershme te formati i nivelit të lartë të Dialogut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat