Lëvizja Vetëvendosje paralajmëron reciprocitet ndaj Serbisë edhe në fusha tjera

Aktuale

Lëvizja Vetëvendosje paralajmëron reciprocitet ndaj Serbisë edhe në fusha tjera

Më: 2 tetor 2021 Në ora: 11:23
Artan Abrashi

Lëvizja Vetëvendosje po paralajmëron se reciprocitetin ndaj Serbisë do ta përdorin edhe në fusha të tjera, përveç targave të automjeteve. Në partinë e kryeministrit, Albin Kurti, thonë se reciprociteti do të jetë qasja kryesore se si Kosova do t’i trajtojë marrëdhëniet me Serbinë. Sipas tyre, çfarëdo barriere tarifore dhe politike do t’i kthehet me të njëjtën monedhë shtetit fqinj. Pavarësisht kërkesave dhe presionit ndërkombëtar, partia në pushtet zotohet se s’do të themelojë Asociacionin e komunave serbe. Ndërkohë, thotë se dialogun me Serbinë për marrëveshjen përfundimtare nuk e kanë për ngut, derisa vlerësojnë se presidenti serb, Aleksandër Vuçiq nuk do ta njohë asnjëherë pavarësinë e Kosovës.

Anëtari i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi thotë se fillimisht do të bëjnë bilancin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel, pastaj të gjitha barrierat dhe pengesat që Serbia i bënë Kosovës, të njëjtat do t’i përdorë edhe Kosova.

Abrashi: Reciprociteti do të jetë qasja kryesore se si Kosova do t’i trajtojë marrëdhëniet me Serbinë

“Reciprociteti do të jetë qasja kryesore se si Kosova do t’i trajtojë marrëdhëniet me Serbinë...Ne fillimisht duhet ta bëjmë një bilancë të marrëveshjeve të arritura deri më tani në Bruksel, do të shohim cilat marrëveshje po zbatohen, cilat janë barrierat dhe pengesat të cilës do formë që Serbia i ka ndaj Kosovës, qofshin ato barriera tarifore apo politike. Në të njëjtën monedhë pastaj Republika e Kosovës do t’i aplikojë ndaj Serbisë. Në rastet kur shohim se ka ndryshim të qasjes atëherë kjo do të reflektojë edhe nga ana jonë. Reciprociteti është qasja e vetme dhe duhur që ne do të ballafaqohemi me Serbinë”, thotë deputeti Abrashi në një intervistë për Kp.

Duke e konsideruar të favorshme marrëveshjen me Serbinë për targat e automjeteve, Abrashi thotë se Kosova për herë të parë ka një përfaqësim të dinjitetshëm në procesin e dialogut.

Abrashi: Marrëveshja është e favorshme për Kosovën

“Marrëveshja natyrisht që është e favorshme. Kosova për herë të parë ka një përfaqësim shumë më dinjitet në këto procese. Kemi të bëjmë me një marrëveshje që ka forcuar pozicionin tonë karshi Serbisë, ngase nuk mund të themi që një gjë të tillë e kemi pasur deri më tani. Gjitha koncesionet që janë bërë në të kaluarën kanë qenë në dëme të Kosovës....Po besoj se tashmë kemi marrë edhe mbështetje ndërkombëtare, këtu vlen të theksohet mbështetja amerikane”, thotë ai.

Pavarësisht kërkesave dhe presioneve ndërkombëtare, Abrashi thotë se s’do të ketë Asociacion të komunave serbe në Kosovë, përderisa është në pushtet Lëvizja Vetëvendosje.

Abrashi: S’do të ketë Asociacion për aq kohë sa është në pushtet Lëvizja Vetëvendosje

“Lëvizja Vetëvendosje e ka të qartë qëndrimin sa i përket asociacionit të komunave serbe. Kjo pikë e marrëveshjeve që janë bërë në të kaluarën ka probleme me Kushtetutën e Kosovës. Ne konsiderojmë se ky propozim për themelimin e këtij entiteti është në dëm të funksiononim të brendshëm të Republikës së Kosovës, cenon elementet thelbësore të shtetit tonë. Lëvizja Vetëvendosje tashmë e ka të formuar pozicionin politik karshi këtij propozimi, i cili është që nuk do të ketë Asociacion të komunave serbe në Kosovë, për aq kohë sa është në pushtet Lëvizja Vetëvendosje”, deklaron ai.

Deputeti i mazhorancës në Kuvendin e Kosovës thotë se Qeveria Kurti nuk do të ngutet për dialogun me Serbinë, derisa presidenti serb, vazhdimisht thotë se nuk do të njeh pavarësinë e Kosovës.

Abrashi: Nuk do të ngutemi për dialogun

“Duhet të bëhemi realist, sidomos pas deklaratave të vazhdueshme publike të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq i cili gjithmonë përkujdesët të qartësojë pozicionin e Serbisë karshi Kosovës, kur thotë se Serbia asnjëherë nuk do ta njeh pavarësinë e Kosovës. Kjo për ne është problematike dhe pyetja shtrohet për çka të bisedohet me Serbinë. Ne nuk do të ngutemi do të shikojmë se cilat janë çështjet që mund t’i zgjidhim, por synimi final i Kosovës në këtë proces është njohja”, shton Abrashi.

Krahas këtyre, Abrashi flet edhe për zgjedhjet lokale të 17 tetorit, ku shprehet optimist për rezultate pozitive.

Abrashi: Jemi shumë optimist për zgjedhjet lokale

“Ne jemi shumë optimist, këtë po e shohim në takimet e përditshme që po i kemi me qytetarët, takime të drejtpërdrejta në tubime të shumta që mbahen konfrom rregullave të menaxhimit të pandemisë. Ky trendi i fitores së 14 shkurtit do të reflektojë edhe në zgjedhjet e 17 tetorit edhe pse jemi plotësisht të vetëdijshëm se procesi zgjedhor i nivelit komunal është shumë më ndryshe se i nivelit qendror...Në Prizren gara tashmë është e padiskutueshme, synimi është që këtë garë të përfundojmë që në raundin e parë, të kemi një fitore pa balotazh sepse ka shumë punë që janë akumuluar si rezultat i sabotazheve dhe presioneve që janë bërë nga ish qeveritë e kaluara. Shumë projekte kanë mbetur pengë i hakmarrjes politike, qoftë nga ish qeveria Hoti dhe qeveria e PAN-it. Prandaj konsiderojmë se tash me ndryshimin e pushtetit në nivel qendror nuk do t’i kemi këto obstruksione, përkundrazi do të kemi shumë lehtësira për t’i realizuar projektet”, thotë Abrashi.

Gjatë kësaj jave u arrit marrëveshja me Serbinë në Bruksel për targat e automjeteve të të dy vendeve, pas dy javë tensionesh dhe bllokim të rrugëve në veri të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat