VOA: Përfshirje e ulët e grave në listat për zgjedhjet lokale të 17 tetorit

Aktuale

VOA: Përfshirje e ulët e grave në listat për zgjedhjet lokale të 17 tetorit

Më: 7 tetor 2021 Në ora: 19:15
Prishtinë

Në listat e partive politike në Kosovë për zgjedhjet lokale të 17 tetorit, prej rreth pesë mijë e 300 kandidatëve për kuvendet komunale, vetëm një mijë e 943, apo 37 për qind janë gra, ndonëse ligji për barazi gjinore parasheh që të jenë 50 për qind.

Situatë edhe më e keqe është në radhët e kandidatëve për kryetar komunash, thotë në një bisedë për Zërin e Amerikës, Eugen Cakolli nga Koalicioni i Organizatave Joqeveritare, Demokracia në Veprim.

“Sa i përket kandidimit të grave si kandidate për kryetare të komunave apo si bartëse të listave situata është dukshëm më e pafavorshme për gratë. Sa i takon kandidaturave për të parin e komunës, nga mbi 160 kandidatë sa janë gjithsej, më pak se dhjetë për qind e tyre janë gra e që flet për një përfshirje krejt minimale të grave dhe atë fatkeqësisht në komuna ku subjektet politike të cilat i kanë kandiduar ato, nuk është se kanë gjasa shumë të mëdha qoftë për të hyrë në balotazh apo për të fituar pozitën e të parit të komunës”, thotë ai.

Gresë Sermagjaj nga Rrjeti i Grave të Kosovës, thotë se kjo situatë dëshmon mungesën e vullnetit të partive politike për t’u dhënë hapësirë grave.

“Duke pasur parasysh se në rreth 75 për qind të komunave të Kosovës nuk garon asnjë grua për kreun e komunës, kjo tregon edhe një herë se gratë fatkeqësisht janë ballafaquar me një mungesë të hapësirës brenda partive, duke qenë se ashtu siç kemi thënë edhe në të kaluarën sipas hulumtimeve tona gratë brenda partive kanë më pak hapësirë”, thotë ajo.

“Legjislacioni jonë jep mundësi që ato të jenë të barabarta por është mungesa e vullnetit politik. Partitë politike janë më mbrapa se të gjitha agjencitë tjera të shtetit të Kosovës, janë tejet mbrapa sa i përket përfshirjes së grave në politikë, në jetën publike meqë ato të gjitha gati e kanë pasur pushtetin dhe ne po e shohim që gratë nuk janë prap në vendimmarrje, në borde dhe në pozita tjera të rëndësishme”, thotë Luljeta Demolli nga Qendra e Kosovës për Studime Gjinore.

Ajo thotë se gratë përballen edhe me mundësi më të kufizuara financiare për të shpalosur programet e tyre.

“Faktikisht është respektuar kuota dhe ka gra kandidate për asambleiste por kur është mundësia që të bëhet thirrje për t’i votuar, ato janë vetëm brenda lokaliteteve të tyre, jo përmes mediave apo fushatës në Facebook sepse financat i kanë më të pakta dhe nuk janë aq të dukshme sa do të duhej të ishin”, thotë ajo.

Derisa të mos harmonizohen dy ligjet, ai për zgjedhjet dhe ai për barazi gjinore, gratë do të vazhdojnë të mbesin të nënpërfaqësuara thotë ajo.

Zoti Cakolli ndërkaq thotë se vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të respektuar ligjin për zgjedhjet që garanton 30 për qind pjesëmarrje të grave, kundruall ligjit për barazi gjinore që garanton pjesëmarrje 50-50, duhet të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.

“Ne kemi konsideruar që subjektet politike apo kushdo nga kandidatët është dashur ta sfidoj në Gjykatën Kushtetuese vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në këtë rast zyrës që pranon listat me proporcionin vetëm 30 për qind gra, meqenëse sipas vlerësimit tonë ligji për barazinë gjinore që është ligj që ka epërsi juridike ndaj ligjeve tjera, do të duhej të ishte ligji që merret parasysh nga ana e KQZ-së”, thotë ai.

Në Kosovë që nga pas lufta, vetëm një komunë është udhëhequr për një mandat nga një grua. Organizatat që trajtojnë çështjet e barazisë gjinore shprehin shqetësimin me përfshirjen e paktë të grave në politikë dhe posaçërisht vendimmarrje, duke bërë thirrje për ndryshim të kësaj kulture si domosdoshmëri për zhvillimin e demokracisë në vend./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat