Vdes veprimtari i çështjes kombëtare dhe ish-themeluesi i LDK-së në Skenderaj, Sejdi Koca

Aktuale

Vdes veprimtari i çështjes kombëtare dhe ish-themeluesi i LDK-së në Skenderaj, Sejdi Koca

Nga: N.Sh. Më: 8 tetor 2021 Në ora: 09:17
Sejdi Koca

Sot ka ndërruar jetë ish-themeluesi i degës së LDK’së në Skenderaj, Sejdi Koca.

Lajmin për vdekjen e tij e kanë dhënë familjarët e Sejdiut.

Baca Sejdi ishte patriot e veprimtar i madh, i cili ka bërë shumë për të rritur vetëdijen kombëtare për më shumë se gjysmë shekulli.

Si mësues ka dhënë kontribut të madh për të mësuar fjalët e ëmbla shqipe shumë brezave.

Sejdi Koca lindi me 20 gusht, 1937 në fshatin Fllakë të Durrësit. U rrit në Shqipëri nën përkujdesjen e nënës së tij dhe familjarëve tjerë - babai i kishte vdekur kur ishte vetëm 3 muaj.

Pas katër viteve, familja Koca u kthye në vendbanimin e mëhershëm në Kosovë, kryesisht në fshatin Polac të Skenderajit. I shkolluar në të gjitha nivelet akademike të asaj kohe, z.Koca ishte njëri ndër idealistet më të njohur duke iu referuar arsimit. Shkollën fillore e kreu ne Polac, të mesmen në Skenderaj dhe Normalen në Mitrovicë dhe Prishtinë më 1960.

Po në të njejtin vit filloi punën në fshatin Qirez duke formuar për herë të parë dy klasë të pesta. Kështu, ai u bë një ndër mësuesit e pare, qe kishin guximin të punonin lirshëm në atë kohë, duke e vazhduar rrugen e tij ne arsim si drejtor i shkollës 18 Nëntori në Polac vite më vonë.

Në vitin 1972 përjashtohet nga procesi arsimor për shkak të aktivitetit patriotik si përkrahës i madh i demonstratave të vitit 1968 dhe ngritjes së flamurit kombëtar në fshatin Polac. Pas këtyre zhvillimeve u transeferua në komunë ku punoi si punëtor administrativ deri në vitin 1989. Për shkak të aktivitetit të tij patriotik më 1989 arrestohet nga UDB-ja dhe izolohet së bashku me 250 intelektualë të Kosovës.

Pas kthimit nga izolimi, largohet nga puna dhe mu atë vit së bashku me një grup intelektualësh të Skenderajit hapi degën e Lidhjes Demokratike ku vepron si anëtar i kryesisë deri në vitin 1999. Në vitin 2000 zgjedhet kryetar i degës së LDK-së në Skënderaj dhe vazhdon këtë pune deri në pensionimin e plotë.

Gjatë viteve 90-ta ka qenë një ndër pjesëmarrësit për pajtimin e gjaqeve në Drenicë dhe më gjerë në ekipin e Anton Qettës. Në vitet 90-ta si aktivist i LDK-së u mor shpeshherë në biseda informative nga UDB-ja. Koca ishte pjesemarrës në organizimin e Referendumit dhe Zgjedhjeve të Lira Parlamentare dhe Presidenciale.

Të paktë janë ata njerëz, të cilët kanë pasur fatin e keq që të përndiqen, të persekutohen, të keqtrajtohen mizorisht, të kërcënohen me jetë e madje edhe t’u dalin plumbave përpara e të mbesin gjallë. Sejdi Koca jetoi krenar, plot 84 vite, dhe dha frymën e fundit më 7 tetor, 2021 i rrethuar nga më të dashurit e tij.

Ai vazhdon të mbetet model i forcës së mendjes e shpirtit, dhe kujtohet me mall nga të gjithë që patën fatin ta njihnin nga afër. Varrimi do të mbahet sot në orën 16:00 në varrezat e fshatit Polac.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat