Paralajmërimi i kryeprokurorit Smith “dridhë” vrasësit e intelektualëve më të shquar të Kosovës

Aktuale

Paralajmërimi i kryeprokurorit Smith “dridhë” vrasësit e intelektualëve më të shquar të Kosovës

Nga: Mimozë Lakna, Bota sot Më: 8 tetor 2021 Në ora: 11:50
Jack Smith

Institucioni i Dhomave të Specializuara po vazhdon punën. Ndërsa ditëve të fundit dëgjuam dëshmi tronditëse për krimet e supozuara të luftës.

Për ironi këto dëshmi nuk ishin në gjuhën serbe apo në ndonjë gjuhë tjetër! Dëshmitarët janë shqiptarë të cilët rrëfejnë dhunën dhe maltretimet e përjetuara nga bashkëkombësit e tyre.

Dhe pas gjithë kësaj, të qohet dikush dhe të dalë kundër punës dhe vet ekzistencës së kësaj gjykate, është absurditet.

Ishte një arsye e fortë që ndikoi në formimin e Gjykatës Speciale jashtë Kosovës.

Për vite të tëra drejtësia ishte pasqyra e dështimit të Kosovës.

Nga kjo drejtësi e dështuar nuk mund të pritej që të zgjidhte rastet më të ndjeshme që ndërlidhen me luftën në Kosovë.

Nuk mund të pritej të zbardhen gjithë ato vrasje me motive politike që goditën vendin gjatë dhe pasluftës.

Gjykata Speciale erdhi si një shpresë e re për gjithë ato familje që prisnin të dinin se cila dorë kriminale shtiu mbi më të dashurit e tyre.

Kosovës iu vranë njerëzit më të mirë e intelektualët më të shquar, por ende askush nuk ka dhënë llogari për këtë.

Nëse qenkan të pafajshëm pse nuk e lënë drejtësinë që të kryej punën e saj?

Pse duhej një Gjykatë Speciale për t`ua vërtetuar (pa)fajësinë këtyre. Pse gjatë luftës disa shqiptarë u trajtuan prej shqiptarëve të tjerë njësoj si armiku!

Pse shqiptarëve duhej t`iu pengonte që disa shqiptarë të tjerë mendonin dhe besonin ndryshe nga ata politikisht.

Pra, demokracia në të cilën sot jetojmë të gjithë, kundërshtohej ashpër nga grupe të caktuara në Kosovë, që qenë në gjendje edhe të vrasin kundër saj!

Udhëheqësi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Jack Smith, deklaroi dje se në Kosovë ka një grup të fuqishëm të njerëzve që nuk duan të ekzistojë Gjykata Speciale.

Ai paralajmëroi edhe fakte e dëshmi.

“Ekziston një grup i vogël, por i fuqishëm njerëzish në Kosovë, të cilët nuk e duan ekzistencën e kësaj gjykate dhe të cilët do të bëjnë gjithçka për ta dëmtuar por pa pasur sukses në orvatjen e tyre për ta shpëtuar idenë e rreme se asnjë ushtar i UÇK-së nuk ka kryer krime gjatë luftës. Siç e dinë mirë ata që janë kundër kësaj gjykate, çështjet e paraqitura nga zyra që unë drejtoj dhe faktet, faktet që do të dalin në dritë nga gjyqet e zhvilluara në këtë sallë nuk do të lënë asnjë dyshim se kjo ide nuk është e vërtetë. Por, kjo ide e rreme është aq e rëndësishme sa që disa udhëheqës të caktuar të UÇK-së do të bëjnë çmos, gjithçka që të pengojnë daljen në dritë të informacioneve që tregojnë se kjo është e vërtetë”, u shpreh Kryeprokurori.

Kjo deklaratë e kryeprokurorit Smith dhe fakti që ende askush nuk ka dhënë përgjegjësi për vrasjet politike në Kosovë gjatë dhe pas luftës, janë dëshmia më e mirë se pse Kosovës i duhet Gjykata Speciale.

Ideali i përgjithshëm dhe lufta për liri, duhet të ndahen nga ideologjia vrastare e luftës për pushtet!

Specialja është e vetmja shpresë për ta bërë këtë ndarje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat