Policia në veri të Kosovës ka filluar me shpërndarjen e letrave ngjitëse për targa

Aktuale

Policia në veri të Kosovës ka filluar me shpërndarjen e letrave ngjitëse për targa

Më: 8 tetor 2021 Në ora: 15:09
Kosovë: Ngasësit vendosin letra ngjitëse në targat e makinave në vendkalimin kufitar Merdare.

Policia e Kosovës në Mitrovicën e Veriut ka filluar të shpërndajë letra ngjitëse për automjetet nga Serbia, ngasësit e të cilave duhet të mbulojnë simbolet shtetërore në targa.

Më 6 tetor, Jeta Tela, shefe e stafit dhe këshilltare e lartë e ministrit të Punëve të Brendshme, i tha Radios Evropa e Lirë se në përputhje me ligjin, të gjithë ata që nuk kanë letra ngjitëse mbi simbolet shtetërore në targat serbe do të ndëshkohen. Ajo tha se dënime do të ketë ndaj ngasësve të veturave të cilët refuzojnë të mbulojnë simbolet shtetërore edhe pse kanë mundësi të pajisen me letra ngjitëse.

Qytetarët duhej të furnizoheshin me këto afishe në Qendrat e Regjistrimit. Mirëpo, Komuna e Mitrovicës Veriore, në ndërtesën e së cilës ndodhet qendra e regjistrimit, nuk është e hapur për punë me palët as këtë javë, për faktin se një zyrtar i cili është i certifikuar të punojë me palët është i infektuar me koronavirus.

Këtë e kishte konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, nënkryetarja e komunës, Adrijana Hoxhiq. Ajo pati thënë se komuna, si dhe Qendra e Regjistrimit do të fillojnë punën me palët të hënën, më 11 tetor.

Mirëpo, nga sot, drejtuesit e makinave në Kosovë që mbajnë targat e qyteteve serbe dhe që nuk i kanë të mbuluara me letra ngjitëse simbolet shtetërore nuk do të ndëshkohen, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, Besim Hoti, zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut.

“Sa i takon anës tonë nuk është qëllimi kryesor që të ndëshkojmë. Ne kemi për qëllim që qytetarët të respektojnë marrëveshjen dhe për këtë arsye jemi furnizuar me letra ngjitëse në mënyrë që ato t’iu shpërndajmë qytetarëve. Qendra e regjistrimit të automjeteve nuk ka punuar prandaj ne po përpiqemi që qytetarëve t’ju japim kohë të caktuar që të furnizohen me letra ngjitëse dhe në këtë mënyrë të respektojnë marrëveshjen. Ndëshkimi është zgjidhja e fundit, vetëm nuk situata kur nuk ka rrugëdalje tjetër”, tha Hoti.

Në stacionin e policisë të Mitrovicës së Veriut janë hapur dy pika për furnizim me letra ngjitëse, në mënyrë që të përshpjetohet pajisja e qytetarëve, konfirmoi Branisllav Radoviq, një zëdhënës i Policisë së Kosovës.

Beogradi dhe Prishtina arritën një marrëveshje për zgjidhjen e krizës në veri të Kosovës më 30 shtator në Bruksel.

Më 20 shtator, serbët e Kosovës vendosën barrikada në rrugët që çojnë në vendkalimet Jarinje dhe Brnjak, kështu që kalimet ishin të mundshme vetëm në këmbë.

Ky ishte reagimi i tyre ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për të futur masa reciproke me Serbinë për targat, që nënkuptonte që të gjithë pronarët e makinave me targa serbe duhej të merrnin targa të përkohshme.

Kjo masë përkoi me përfundimin e afatit të vlefshmërisë të tabelave ‘KS’ (Kosovë), që ishin neutrale ndaj statusit të vendit.

Marrëveshja teknike për lirinë e lëvizjes e arritur nga Kosova dhe Serbia në vitin 2011 u finalizua në Bruksel më 14 shtator 2016, kur Kosova u pajtua që të zgjasë vlefshmërinë e targave ‘KS’ edhe për pesë vjet të tjerë. Afati pesëvjeçar përfundoi më 15 shtator të vitit 2021.

Deri në atë kohë, qytetarët me targa ‘RKS’ paguanin targat “Prova” për hyrje në Serbi në vlerë prej 3.5 euro, të cilat ishin të vlefshme për dy muaj, ndërsa qytetarët e Serbisë lëviznin lirshëm nëpër Kosovë me targat e tyre të regjistrimit.

Zgjidhja përmes letrave ngjitëse është planifikuar për gjashtë muajt e ardhshëm pasi deri atëherë, grupet e punës të Kosovës dhe Serbisë, duhet të arrijnë një zgjidhje përfundimtare, bazuar në marrëveshjen nga Brukseli./Rel/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat