Tahiri me një kërkesë për Qeverinë

Aktuale

Tahiri me një kërkesë për Qeverinë

Më: 11 tetor 2021 Në ora: 12:28
Abelard Tahiri

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka deklaruar se në mbledhjen e sotme të Kryesisë së Kuvendit janë diskutuar një sërë çështjesh, por jo edhe ato që kanë të bëjnë me gazin që pritej të vinte nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Me këtë rast, Tahiri tha se si grup parlamentar kërkojnë nga Qeveria Kurti që të rishqyrtojë vendimin sa i përket gazsjellësit në Republikën e Kosovës.

Ai shtoi gjithashtu se refuzimi i Qeverisë për projektin amerikan të gazit i bën dëm të jashtëzakonshëm vendit .

“Një çështje që ne si grup parlamentar i kërkojmë Qeverisë është që ta rishqyrtojë edhe njëherë vendimin për gazsjellësin në Republikën e Kosovës. Vendi ynë po hynë në një situatë dhe në një krizë energjetike ashtu siç po hynë i gjithë rajoni dhe një pjesë e madhe e Evropës, prandaj alternativat janë të rëndësishme aq më shumë për neve që po flasim për një projekt i cili financohet nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës – një grand që kap vlerën prej rreth 200 milionë dollarë”, tha ai.

Ai tha gjithashtu se Kosova s’e ka luksin që të refuzojë një projekt të tillë dhe do të duhej që për të realizuar një projekt duhen kredi që do të ngarkonin gjenerata të tëra që vijnë drejt neve.

“Refuzimi i Qeverisë së Kosovës për këtë projekt mendoj që i bën një dëm jashtëzakonisht të madh vendit në perspektiven tonë afatgjate dhe në raport me partnerin tonë më të rëndësishëm në shtet-ndërtim siç janë SHBA-të. Edhe njëherë po e ritheksojë se i bëjmë thirrje qeverisë që ta rishqyrtojë këtë vendim. Për çështjen e gazit mendojmë që Kosova nuk e ka luksin që të refuzojë një projekt të tillë – për të realizuar një projekt ne do të duhej që të hynim më kredia me të cilat do t’i ngarkonim gjeneratat e ardhshme teksa në këtë rast po flasim për një grand dhe mbështetje financiare që vjen direkt nga SHBA-të”,shtoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat