Skandali i Policisë – afro 300 vetura lëvizin pa sigurim

Aktuale

Skandali i Policisë – afro 300 vetura lëvizin pa sigurim

Më: 12 tetor 2021 Në ora: 12:42
Policia

Nëse ju zë Policia me automjet pa regjistrim dhe sigurim, gjoba është e lartë. Mirëpo vetë ky institucion nuk i ka të gjitha automjetet në rregull. Fiks 292 automjete zyrtare të Policisë kanë qarkulluar për më shumë se një vit në rrugët e Kosovës.

Media ka siguruar listën e plotë të 292 automjeteve policore të cilat nuk janë mbuluar me regjistrim dhe sigurim.

Në mesin e tyre figurojnë edhe pesë vetura që përdoren për mbrojtjen e afërt të zyrtarëve shtetërorë.

Rreth gjashtë milionë euro ishte paraparë të jetë kostoja e mbulimit të kartonit të gjelbër për të gjithë automjetet e bashkëatdhetarëve që do të hynin në Kosovë nga 1 korriku. Vendimi vlen deri në ditën e fundit të vitit.

Megjithatë një numër prej 292 automjetesh zyrtare, i rëndësisë së lartë shtetërore, kanë mbetur pa regjistrim për një periudhë disa mujore gjatë vitit 2021.

Një listën të cilën e posedon mediumi, shfaqen llojet e 292 automjeteve të Policisë së Kosovës të cilave u kishte skaduar afati i regjistrimit disa muaj më parë.

Në listë figurojnë pothuajse të gjitha llojet e automjeteve që ka në dispozicion Policia e Kosovës, përfshirë veturat, motoçikletat, furgonat dhe rimorkiot.

Me afat të skaduar të regjistrimit dyshohet të kenë qarkulluar edhe tri vetura ToyotaLandCruiser J15TM, të cilat figurojnë në listën e siguruar. Ato përdoren nga Policia e Kosovës për ndërhyrje, bastisje dhe të gjitha llojet e operacioneve.

Burime të mirëinformuara brenda organeve të rendit, kanë thënë se një pjesë e automjeteve janë vendosur në qarkullim pavarësisht prej mungesës së shërbimeve të sigurimit.

Policia e Kosovës ka inicuar më 1 prill të këtij viti një procedurë të hapur tenderuese për shërbimet e sigurimit të automjeteve policore, por kontrata është ende në vlerësim si pasojë e ankesave të kompanive konkurruese.

Pavarësisht nga ngecja e procedurave në këtë aktivitet tenderi, Zyra e Prokurimit në Policinë e Kosovës ka arritur të sigurojë regjistrimin e automjeteve të saja përmes lidhjes së kontratave me negocim direkt me operatorët ekonomikë.

Më 1 tetor, Policia lidhi marrëveshje me kompaninë e sigurimit “Scardian J.S.C.” për mbulimin e sigurimit për rreth 500 automjete. Kontrata peshon 124 mijë euro.

Nëse në mesin e 500 automjeteve të siguruara – sipas kontratës emergjente me “Scardian J.S.C.” – ndodhen 292 automjetet e listës së siguruar nga mediumi, nuk është bërë e ditur nga Policia e Kosovës.

Zyra për Media e Policisë së Kosovës, nuk ka pranuar të përgjigjet në pyetjet në lidhje me procesin e menaxhimit të regjistrimit dhe sigurimit të 292 automjeteve me afat të skaduar regjistrimi.

Në pyetjet e mediumit nuk është përgjigjur as Ministria e Punëve të Brendshme.

Numri i veturave të paregjistruara në Kosovë për vite vazhdon të jetë një sfidë e madhe për institucionet.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, numri i veturave të paregjistruara në territorin e Kosovës në total është rreth 150 mijë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat