​Evidentohen dhjetëra shkelje në mosregjistrimin e shpenzimeve në MPJD

Aktuale

​Evidentohen dhjetëra shkelje në mosregjistrimin e shpenzimeve në MPJD

Më: 12 tetor 2021 Në ora: 13:47
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës nuk ka regjistruar në regjistrin e pasurisë kapitale, dhjetë vetura të blera në vitin 2020 për nevoja të ambasadave. Në raportin e auditimit që u prezantua sot në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike u evidentuan disa shkelje, kryesisht me avance të pambyllura dhe mos regjistrim të plotë të shpenzimeve të misioneve diplomatike dhe konsullore. Ky raport u shqyrtua pa prezencën e ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, e cila nuk mori pjesë.

Kryetarja e Komisionit, Hykmete Bajrami tha se disa herë e ka fituar ministren, por e njëjta ka kthyer përgjigje negative për shkak të agjendës së ngarkuar, derisa ftoi që mbledhja e komisionit të vazhdonte.

Me një gjë të tillë nuk u pajtua, anëtari i komisionit nga radhët e LVV-së, Enver Haliti, i cili tha se nuk është e nevojshme të diskutohet raporti, përderisa mungon kreu i atij institucioni.

Haliti: Nuk është e nevojshme të diskutojmë mes veti pa qenë dikush nga institucioni

“Është vetëm humbje kohe që ne të diskutojmë pa qenë as një përfaqësues i institucionit këtu për të na dhënë sqarime dhe për t’u përgjigjur në shqetësimet, ose pyetjet shtesë që kanë anëtarët e komisionit, lidhur me këtë raport të auditimit. Unë po mendoj që nuk është e nevojshme të diskutojmë mes veti pa qenë dikush nga institucioni”, tha ai.

Megjithatë, mbledhja vazhdoi, deputetja raportuese për raportin e auditorit për MPJD-në gjatë vitit 2020, Mirlinda Sadiku paraqiti disa nga shkeljet e gjetura.

Sadiku: Në shpenzimet nuk janë regjistruar dhjetë vetura që janë blerë në vitin 2020

“Mos regjistrimi i plotë i shpenzimeve të misioneve diplomatike dhe konsullore. Në pasqyrat financiare janë avance të pambyllura për ambasada dhe konsullata në vlerë prej 1 milion e 641 mijë euro, këto si avance të pambyllura kanë të bëjnë me shpenzimet që kanë bërë e të cilat nuk janë regjistruar si shpenzime nga ministria, edhe pse ishin të raportuara nga Ministra e Diasporës....shkaqet e mos regjistrimit të shpenzimeve ishin të ndryshme, njëra ndër to ishin menaxhimi i dobët nga ministria, lëvizja e zyrtarëve financiar në misione diplomatike, pamjaftueshmëria e kontrollit të brendshme nga zyrtarët financiar... Në regjistrin e pasurisë nuk janë regjistruar dhjetë vetura që janë blerë në vitin 2020 për nevojë të ambasadave dhe atë në vlerë preje 200 mijë euro, si dhe në vlerën e mobileve të 2565 euro për konsullatën në Strugë”, tha ajo.

Ndërsa, deputetja Bajrami pyeti auditoren pse në këtë raport nuk është adresuar cështja e blerjes së tri BMË-ve nga MPJD.

Bajrami: Pse në këtë raport nuk është adresuar fare çështja e tri veturave BMW

“Pse në këtë raport nuk është adresuar fare çështja e tri veturave BMË të cilat ka pasur raportime që janë blerë nga ambasada në Gjermani dhe thuhet që vlera e tyre është diku 50 mijë euro për secilën. Ato qëndrojnë të parkuara se nuk janë të shfrytëzueshme, janë marrë me çmim përgjysmë më të lirë në Gjermani që të përdoren në misione diplomatike atje, por janë sjell në Kosovë, por si të tilla eksiton një lloj kontesti aty. Megjithatë është shpenzim i parasë publike, megjithëse janë marrë në Gjermani me gjysmë çmimi”, tha ai.

Auditorja nga Zyra Kombëtare e Auditimit, Arveta Zymberi tha se të njëjtat nuk janë audituar pasi janë blerë në vitin 2019.

Zymberi: Këto vetura nuk janë audituar pasi nuk janë blerë në vitin 2020

“Ne e kemi për obligim ta auditojmë vitin fiskal, këtë rast vitin 2020. Si e tillë këto vetura nuk kanë qenë të përfshira në pasqyrat financiare të vitit 2020. Janë blerë 1 ose 2 vite më herët”, tha ajo.

Komisioni me rekomandime dërgoi këtë raport në Kuvendin e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat