Për gazin lotsjellës në Kuvend, ish-deputeti Driton Çaushi dënohet me 1 vit e 2 muaj burgim me kusht

Aktuale

Për gazin lotsjellës në Kuvend, ish-deputeti Driton Çaushi dënohet me 1 vit e 2 muaj burgim me kusht

Më: 12 tetor 2021 Në ora: 14:13
Driton Çaushi

Ish-deputeti i Vetëvendosjes, Driton Çaushi u dënua me 1 vit e 2 muaj burgim me kusht për akuzat se ka hedhur gaz lotsjellës në Kuvend dhe ka penguar në kryerjen e detyrave zyrtare kryetarin e Kuvendit dhe deputetët.

Aktgjykimi ndaj tij u shpall të martën nga gjykatësja e rastit, Lumnije Krasniqi.

Çaushi u dënua me 1 burgim me kusht për veprën penale “përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”, kurse me 3 muaj burgim me kusht për veprën penale “pengimi i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare”. Më pas, ndaj tij u shqiptua dënimi unik në kohëzgjatje prej 1 vit e 2 muaj burgim me kusht, në afat verifikimi prej 2 vitesh.

Gjykatësja Krasniqi bëri të ditur se të akuzuari do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në arrest shtëpiak, nga 9 gushti e deri më 8 shtator 2016.

Me aktgjykim u konfiskua edhe bombola e gazit, si mjet i kryerjes së veprës penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokuroria Themelore në Prishtinë më 27 mars 2018 ka ngritur aktakuzë ndaj Driton Çaushit, ku thuhet se më 10 gusht 2016, gjatë mbajtjes së mbledhjes në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku ka qenë pjesëmarrës i akuzuari, në cilësinë e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, ka hedhur gazin lotsjellës në këtë sallë, me çka ka rënë ndesh me nenin 9.1 të Rregullores nr.04/12 për Armëmbajtje në Republikën e Kosovës, ku ndalohet përdorimi i armëve.

Me këto veprime, thuhet se i njëjti ka kryer veprën penale “përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 375, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet.

Sipas aktakuzës, Çaushi gjithashtu ka kryer edhe veprën penale “pengimi i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare” nga neni 409, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej tre muaj deri në tre vjet.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Çaushi në vendin dhe kohën e lartcekur, gjatë përdorimit të gazit lotsjellës ka penguar personat zyrtar-dëshmitarin Kadri Veseli, në cilësinë e kryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe dëshmitarët-deputetët Adem Grabovci, Ismet Beqiri, Sabri Hamiti etj, në kryerjen e detyrave zyrtare, me ç’rast të gjithë personat zyrtarë janë detyruar ta ndërpresin mbledhjen dhe të largohen nga salla.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat