Xhelal Sveçla i kundërpërgjigjet edhe njëherë Bekë Berishës

Aktuale

Xhelal Sveçla i kundërpërgjigjet edhe njëherë Bekë Berishës

Nga: P.R Më: 12 tetor 2021 Në ora: 17:12
Xhelal Sveçla dhe Samedin Mehmeti

Gjatë ditës së sotme, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka raportuar në Komisionin për Çështje të Mbrojtjes dhe Sigurisë.

Në mbledhjen e Komisionit, Sveçla ishte i shoqëruar nga Drejtori i Policisë, Samedin Mehmeti, dhe kjo shkaktoi kundërshtimin e kryetarit të Komisionit Bekë Berisha, i cili tha se ministrin e ka ftuar të raportojë i vetëm, gjë që bëri që të dështojë njëherë raportimi, për të vazhduar më pas pa praninë e deputetëve të opozitës.

E përmes një postimi në facebook, Ministri Sveçla ka reaguar edhe njëherë ndaj deputetit të AAK-së, Bekë Berisha, i cili njëherit është edhe kandidat për kryetar të Komunës së Istogut.

“Punët dhe rezultatet konkrete do të kem vullnet e gadishmëri ti prezantoj në çdo kohë dhe në çdo rrethanë para çdokuj që e ka interesin ti dëgjojë por asnjëherë nuk do të jem pjesë e lojërave dhe skenareve të ulëta politike”, ka shkruar Sveçla, përcjellë “Bota sot”.

Postimi i plotë:

Vendimi i 20 shtatorit për vendosjen e reciprocitetit me targa me Serbinë i cili pasoi me Marrëveshjen e Brukselit është zbatuar dhe vazhdon të zbatohet me përpikmëri në të gjitha pikat kufitare të Republikës së Kosovës dhe në të gjitha komunat e saj.

Për të gjitha zhvillimet dhe veprimet tona që nga marrja e vendimit deri te ekzekutimi i tij në hyrje/daljet e Kosovës, sot ishim ftuar për të raportuar në Komisionin Parlamentar për Çështje të Mbrojtjes dhe Sigurisë dhe me gadishmëri të plotë i jemi përgjigjur Komisionit për raportim. Për ne si Ministri e Punëve të Brendshme ka qenë dhe vazhdon të mbetet prioritet llogaridhënia jo vetëm para deputetëve por edhe para qytetarëve ndaj të cilëve jam mirënjohës për përkrahjen dhe mbështetjen ndaj Policisë së Kosovës.

Puna e jashtëzakonshme dhe profesionale e Policisë së Kosovës për 13 ditë na ka bërë të gjithëve krenarë sepse 13 ditë kanë kaluar pa asnjë incident të vetëm. Të gjithë zyrtarët e Agjencive të Ministrisë së Punëve të Brendshme kanë qenë në nivelin më të lartë të detyrës në ofrimin e shërbimeve ndaj qytetarëve dhe këtë po e bëjnë çdo ditë, në ndërkohë që reciprociteti vazhdon të zbatohet me përpikmëri.

Punët dhe rezultatet konkrete do të kem vullnet e gadishmëri ti prezantoj në çdo kohë dhe në çdo rrethanë para çdokuj që e ka interesin ti dëgjojë por asnjëherë nuk do të jem pjesë e lojërave dhe skenareve të ulëta politike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat