‘Peshqit’ e mëdhenj liruan Nuhi Ukën, fatin e njëjtë do ta ketë edhe Azem Syla

Aktuale

‘Peshqit’ e mëdhenj liruan Nuhi Ukën, fatin e njëjtë do ta ketë edhe Azem Syla

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 23 tetor 2016 Në ora: 08:27
Azem Syla dhe Nuhi Uka

“ Peshqit e mëdhenj janë të lirë dhe kjo është arsyeja pse ata mund ta nxjerrin edhe Nuhi Ukën nga burgu. Niveli i drejtësisë dhe sistemi i drejtësisë në Kosovë është në nivelin zero por nuk më qudit kjo gjë kur e dimë kush ka qenë ministër i Drejtësisë deri vonë” deklaroi Abazi.

Gjykata Themelore e Prizrenit, e shpalli të pafajshëm ish-kryetarin e Gjykatës Komunale të Prishtinës, Nuhi Uka, i cili akuzohej për keqpërdorim të detyrës zyrtare, mashtrim dhe për krim të organizuar.

Ky vendim i gjykatës ka bërë që të reagojnë zyrtarët por edhe analistët duke thënë se lirimi i Ukës dëshmon edhe një herë se në Kosovë nuk ka drejtësi.

Analisti politik, Haki Abazi, deklaroi se me lirimin e Nuhi Ukës nënkupton që nuk ka sistem të drejtësisë në Kosovë dhe se drejtësia është në shërbim të interesave klanore.

“Lirimi Nuhi Ukës e bën të qartë që kemi sistem të drejtësisë jofunksionale dhe të handikepuar nga goditjet e politikës ditore që është vënë në mbrojtje dhe shërbim të interesave klanore të PRONTO grupit dhe atyre që me çdo kusht po duan ta mbajnë fuqinë në dorë për të siguruar lirinë e tyre” u shpreh Abazi.

Sipas Abazit, Nuhi Uka nuk do të ishte alarmant po të mos injoroheshin deklaratat e Hashim Rexhepit për Ahmet Shalën dhe Hashim Thaçin.

“ Nuhi Uka nuk do të ishte alarmant po të mos injoroheshin deklaratat e Hashim Rexhepit për Ahment Shalën dhe Hashim Thaçin, nëse do të shkonte deri në fund rasti shqyrtimit të rastit të privatizimeve të dështuara prej nga është gjetur forma për të marrë fondet publike pa u dënuar për formën ilegale” theksoi Abazi.

Sipas tij, janë ‘peshqitë e mëdhenj’ të lirë dhe ata e kanë mundësuar nxjerrjen e Ukës.

Abazi thotë se niveli i drejtësisë në Kosovë është zero por nuk është për t’u habitur pasi që ministri i Drejtësisë ka qenë i tillë.

“ Peshqit e mëdhenj janë të lirë dhe kjo është arsyeja pse ata mund ta nxjerrin edhe Nuhi Uken nga burgu. Niveli i drejtësisë dhe sistemi i drejtësisë në Kosovë është në nivelin zero por nuk më qudit kjo gjë kur e dimë kush ka qenë ministër i Drejtësisë deri vonë” deklaroi Abazi.

Lirimi i Nuhi Ukës konsiderohet si një ngjarje e keqe për drejtësinë në Kosovë edhe nga analisti i çështjeve juridike, Muhamet Kelmendi.

Kelmendi thotë se me rastin e Nuhi Ukës bëhen dëmet e mëdha në sistemin e drejtësisë dhe kuptohet si funksionon Prokuroria ashtu edhe Gjykatat.

Sipas tij, këto organe janë shëndrruar në mekanizma të politikës prandaj edhe liberalizimi nuk do të bëhet për një kohë të gjatë.

“Është një ngjarje shumë e keqe për drejtësinë në rastin e Nuhi Ukës. Me atë aktgjykim iu bënë dëme të mëdha sistemit të drejtësisë. Lirimi i z. Uka dha për të kuptuar se si Prokurori  ashtu edhe gjykatat janë shndërruar në meksnizma të politikës dhe se edhe liberalizimi nuk do bëhet për kohë të gjatë” theksoi Kelmendi.

Kelmendi thotë se me lirimin e Ukës kuptohet që luftimi i krimit dhe i korrupsionit në Kosovë është vetëm një çështje pa përmbajtje.

Kurse edhe sipas njohësit të çështjeve juridike, Blerim Burjani, rasti i Ukës tregon se drejtësia është plot skandale. "Sistemi i drejtësisë është përplot me skandale. Ky është njëri nga ato të shumtat, e befasushme dhe e pa pranueshme, ku me qëllim e presin vjetërsimin e lëndës duke mos kërkuar fakte, por duke thënë se prokuroria ka dështuar të mbledhë fakte dhe lënda ka arritë deri në parashkrim pë shkak të vjetërsisë së lëndës. Askush në Kosovë nuk beson në këtë çështje, prandaj vjetërsimi i lëndëve prinë në zgjidhje të rasteve", deklaron Burjani.

Burjani shton se, edhe rasti i Azem Sylës do të përfundojë njëjtë dhe se me këto raste, mund të ketë shtyrje të liberalizimit të vizave. Ai thotë se e rrugës do të ishte që qytetarët ta zgjidhin çështjen e qeverisjes, duke e larguar këtë skenë të kriminalizuar nga pushteti.

"Çështja e Azem Sylës është e ndërlidhur edhe me rastin Uka, andaj ka gjasa të mëdha që një pjesë e veprave që e rëndojnë atë, të vjetërsohen dhe fati i veprave penale do të varet shumë nga faktet që mund të prezantojë prokuroria. Në këtë vend nuk ka çudira, se vetë çudia është sistemi i drejtësisë së Kosovës. Kështu, shteti edhe një kohë të gjatë do të mbetet jashtë liberalizimit dhe e mira e të mirës do të ishte që qytetarët ta zgjidhin çështjen e qeverisjes, duke e larguar këtë skenë të kriminalizuar nga pushteti", thotë Burjani për Bota Sot.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat