VV: Të intervenohet në Miradi të Ulët dhe Vragoli për shmangie të aksidenteve

Aktuale

VV: Të intervenohet në Miradi të Ulët dhe Vragoli për shmangie të aksidenteve

Më: 23 tetor 2016 Në ora: 16:34
VV

Pas aksidenteve me fatalitet, të përsëritura në aksin rrugor Prishtinë-Pejë, afër fshatrave Vragoli dhe Miradi e Ulët, siç ishte ai i para dy ditëve , ku nga plagët e rënda nga goditja me makinë humbi jetën 62 vjeçarja Sabrije Gjyrevci, ka reaguar Lëvizja Vetëvendosje dega në Fushë Kosovë.

Sipas kësaj lëvizjeje, Fushë Kosova është i vetmi qytet përmes së cilit kalon një rrugë magjistrale në të cilën zhvillohet shpejtësi e lartë dhe nuk ka një unazë të qytetit.

 “Me dhjetëra qytetarë kanë humbur jetën në pjesën e urbanizuar ku kalon kjo rrugë, ndërsa vendi më i pasigurtë është ai afër shkollës fillore “Mihail Grameno” ku ka lëvizje të shumta të nxënësve”, thuhet në reagimin e VV-së.

 Pasiguria e kësaj rruge afër fshatrave Miradi e Ulët dhe Vragoli, mungesa e nënkalimit apo mbikalimit dhe masave të tjera mbrojtëse  sipas VV-së është shqetësuese dhe sigurisht që nëse nuk intervenohet në të aksidentet do të përsëriten.

 “Siç zakonisht ndodhë me pushtetet e PDK-LDK, banorët e fshatit edhe pse protestuan nuk i takoi askush nga zyrtarët përgjegjës, as nga Ministria e as nga Komuna. Përkundrazi e dërguan policinë për t’i disiplinuar ata. Kjo qasje e këtij pushteti në nivel qëndror po edhe në atë lokal nuk u jep shpresë qytetarëve se kërkesat e tyre do të plotësohen, andaj e vetmja rrugë për përmirësimin e gjendjes së tyre mbetet vetëorganizimi në protesta dhe forma të tjera të reagimit”,  thuhet tutje në reagimin e VV-së.

VV qendra në Fushë Kosovë  thotë se i mbështet fuqishëm kërkesat e banorëve të fshatit Miradi e Ulët si dhe protestat e tyre. VV u bënë thirrje institucioneve gjegjëse që t’i përgjigjen kërkesave të qytetarëve ashtu siç e kanë  për detyrë dhe të intervenojnë me kohë para se të bëhemi dëshmitarë të ndonjë tragjedie tjetër pikërisht për neglizhencë të këtyre institucioneve.

VV me këtë rast ka ngushëlluar familjen Gjyrevci nga fshati Miradi e Ulët.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat