Përzgjidhet kompania e cila do të ndihmojë Kosovën në rekrutimin e pozitave të larta në institucionet publike

Aktuale

Përzgjidhet kompania e cila do të ndihmojë Kosovën në rekrutimin e pozitave të larta në institucionet publike

Më: 23 tetor 2016 Në ora: 18:38
Pamje nga konferenca

Ambasada Britanike ka nënshkruar kontratë me kompaninë BDO LLP në partneritet me kompaninë A&DC;, për t’i ndihmuar institucionet e Kosovës në rekrutimin e kandidatëve për pozita të larta të institucioneve publike të Kosovës.

Nënshkrimi i kësaj kontrate vjen në kuadër të projektit “Fuqizimi i qeverisjes së mirë, transparencës dhe llogaridhënies të institucioneve të Kosovës”.

Sipas njoftimit për media, Kompania BDO LLP është dega e kompanisë ndërkombëtare BDO në Britani të Madhe.

Kjo kompani është pjesë e 5 rrjeteve më të mëdha të shërbimeve profesionale në botë, e cila ka përvojë për më shumë se 30 vjet në dhënien e asistencës teknike.

“Kompanitë BDO dhe A&DC janë përzgjedhur pas një procesi konkurrues të tenderimit. Së bashku ato kanë përvojë të konsiderueshme në menaxhim dhe këshillim të proceseve të rekrutimit. Në bashkëpunim me institucionet përkatëse të Kosovës, kompania BDO në bashkëpunim me A&DC do të jetë përgjegjëse për përgatitjen e listës së ngushtë të kandidatëve më të mirë për t’u përzgjedhur në pozitat e larta të shpallura, listë e cila do të përpilohet përmes një procesi transparent dhe të paanshëm rekrutimi. Përzgjedhja përfundimtare e kandidatit/es do të bëhet nga institucionet e Kosovës. Kompania BDO në bashkëpunim me A&DC do të mentoroj dhe këshilloj kolegët vendas me praktikat më të mira të rekrutimit dhe komunikimit të rezultateve të proceseve të rekrutimit tek institucionet përkatëse dhe tek publiku i gjërë”, thuhet në njoftim.

Ky është projekt i përbashkët me Parlamentin e Kosovës dhe Qeverinë e Kosovës, ku të tre palët janë dakorduar për një listë prej 30 pozitave të lira brenda 20 institucioneve të Kosovës, të cilat do të rekrutohen para fundit të muajit mars në vitin 2017.

 "Nepotizmi dhe klientelizmi janë probleme për Kosovën. Unë kam kënaqësinë që ne mund të mbështesim Kuvendin e Kosovës dhe Qeverinë e Kosovës për të bërë ndryshime pozitive. Ky është vetëm fillimi. Është një proces i gjatë dhe suksesi mund të arrihet vetëm me angazhimin politik nga udhëheqësit e Kosovës, me mediat aktive dhe me një shoqëri civile që kërkojnë llogaridhënie nga institucionet. Unë shpresoj se ky projekt do të kontriboj drejt një administrate publike më profesionale, efikase, llogaridhënëse dhe të pavarur”, tha ambasadori britanik në Kosovë, Ruari O’Connell.

 Ndërsa, kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli tha se zbatimi i marrëveshjes së mirëkuptimit ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar është vetëm fillimi i një procesi të rëndësishëm për depolitizimin e pozitave të larta shtetërore.

“Qytetarët e Kosovës duhet të punësohen në bazë të profesionalizmit dhe meritokracisë dhe kjo duhet të bëhet normë për institucionet tona”, tha Veseli.

 E kryeministri i Kosovës Isa Mustafa  u shpreh se Qeveria e Kosovës, gjatë dy viteve të fundit, ka shënuar rezultate evidente në të gjitha aspektet që lidhen me reformat, të cilat kanë rritur në masë të ndjeshme llogaridhënien, transparencën dhe besimin e qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtar.

“Në këtë drejtim, Qeveria e Kosovës, ka avancuar politikat që lidhen me rekrutimin e profesionistëve në pozicione të ndryshme në administratë. Edhe kjo marrëveshje, është dëshmi e përkushtimit tonë për të avancuar praktikat dhe kapacitetet e institucioneve dhe fakti i përfshirjes së Ambasadës Britanike, tregon besimin dhe përkushtimin e tyre për proceset në Kosovë”, tha Mustafa.

 Ndërkaq, partneri në BDO LLP dhe Shefi i grupit të projekteve ndërkombëtare  ka shprehur entuziazmin për bashkëpunimin në mes Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës si dhe Ambasadës Britanike në Prishtinë.

 "Jemi shumë entuziast të punojmë me Kuvendin dhe Qeverinë e Kosovës dhe Ambasadën Britanike në Prishtinë, në këtë projekt financuar nga qeveria britanike për të ndihmuar në implementimin e praktikave të drejta të rekrutimit si dhe përzgjedhjes efektive të kandidatëve në gjithë qeverinë dhe administratën publike. Së bashku me partnerët tanë në A & DC, ne kemi një ekip me përvojë të profesionistëve të gatshëm të ofrojë asistencë teknike për të ndihmuar të gjitha palët në arritjen e objektivave të tyre. Presim me padurim të takojmë hisedarët kryesorë pas lansimit të projektit”, tha ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat