Sherri i klanit “Pronto”, Kosova s’ka njohje të reja

Aktuale

Sherri i klanit “Pronto”, Kosova s’ka njohje të reja

Më: 24 tetor 2016 Në ora: 09:32
Pronto

Deputetët opozitar të Kuvendit të Kosovës kanë thënë se shkaku i mungesës së njohjeve të reja të vendit është dështimi i Qeverisë ‘Mustafa’ e në veçanti i Ministrisë së Punëve të Jashtme e cila tash e sa kohë udhëhiqet nga Enver Hoxhaj.

E një fakt që sipas deputetëve opozitar e dëshmon se kjo Qeveri  tashmë ka dështuar është edhe mos anëtarësimi i Kosovës në UNESCO, për çka edhe akuzojnë këta të fundit se nuk kanë lobuar sa duhet.

Valdete Bajrami, deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Nisma për Kosovë tha se as drejtuesi i mëhershëm i MPJ-së, tashmë President i Kosovës Hashim Thaçi nuk ka punuar sa duhet që vendi të ketë njohje të reja.

“Se ky kabinet qeveritar është i dështuar e kemi thënë shumë kohë më parë, ndërsa sa i përket pyetjes tuaj në lidhje me mos njohjet e reja, puna është se, ashtu siç kemi thënë se koalicioni PDK-LDK-LS është krijuar vetëm për t’i plotësuar apetitet e bashkëpartiakëve të tri partive. Dikasteri të cilin tash e udhëheq z.Hoxhaj ka dështuar në këtë çështje, por nuk është i vetmi, ju e dini që edhe sa ishte z.Thaçi në krye të këtij dikasteri, ashtu edhe ministri i tanishëm nuk ka punuar në këtë drejtim dhe si pasojë e dështimeve të ish ministrit dhe ministrit të tanishëm nuk kemi asnjë njohje”, tha ajo.

Përveç kësaj, deputetja Bajrami, ka akuzuar krerët e shtetit edhe për mungesë të seriozitetit.

“E gjitha që na servohet nga ministri është se jemi në prag të një njohje nga ky shtet e nga ai shtet. Nuk ka seriozitet, sepse këta e kanë keqkuptu rolin e tyre, sepse të krijohet përshtypja se z.Hoxhaj tërë kohën e kalon jashtë vendit sikur të ishte në ekskursione”, është shprehur ajo.

E mos anëtarësimi i vendit në UNESCO sipas deputetes Bajrami, është rasti më i freskët i cili e dëshmon dështimin e kësaj Qeverie.

“Ndërsa sa i përket lobimit, këta e kanë obligim të lobojnë për njohje të reja, por këta në vend që të lobojnë për shtet, ata e shfrytëzojnë të lobojnë për përmirësim të imazhit personal të tyre dhe të bizneseve të tyre, kjo u dëshmua edhe me rastin e dështimit të anëtarësimit të Kosovës në UNESCO e shumë e shumë dështime tjera. Për këtë arsye e edhe shumë të tjera që ne i kemi ngritur është nevojë emergjente që qytetareve t’i ofrojmë zgjedhjet të parakohshme, sepse jo vetëm këta që kanë dështuar por i gjithë kabineti qeveritar”, ka thënë Bajrami.

Fakti që vendi nuk ka njohje të reja që një kohë të gjatë, sipas deputetit Bali Muharremaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, tregon se politika e jashtme e Kosovës ka dështuar në këtë drejtim.

“Po ta shohim realisht dhe mbi bazën e një analizë të thellë, kjo qeveri e ky pushtet, nuk ka as strategji e as kuadër të nevojshëm për Politikë të Jashtme! Shtetet e komprementuara si ky i yni, jo vetëm në planin e jashtëm, që s’mund të sjellin njohje, e as të bindin vendet e caktuara që ta njohin Kosovën, por edhe në planin e brendshëm, Imazhi i Kosovës sot pasqyrohet me krim e korrupsion të nivelit të lartë, me klane e banda hajdutësh të sponzoruara nga klasa politike në pushtet! Fakti se tash e një kohë të gjatë s’kemi njohje të reja, tregon se politika e jashtme e Kosovës ka dështuar dhe urgjentisht duhet ndryshuar kjo gjendje”, tha Muharremaj.

Deputeti nga radhët e AAK-së, tha se Komisioni Parlamentar për Politikë të Jashtme duhet të kërkoi llogari për dështimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme në sjelljen e njohjeve të reja për vendin.

“Komisioni Parlamentar për Politikë te Jashtme duhet të ngris zërin e të kërkojë llogari, nga Ministria e Jashtme e cila me qasjen e saj shterpë nuk po e bindë as vendet, të cilat hamenden tash e sa kohë ta njohin Kosovën. Duhet të definohen qartë interesat dhe strategjia në planin e jashtëm. Nuk mjafton vetëm të kërkosh njohje, duhet t’ i bindesh tjerët pse duhet te të njohin”, ka thënë ai.

Muharremaj, me pesimizëm tha se vendi mund të këtë njohje të reja edhe për një të kohë të gjatë, kjo pasi që siç thotë ai udhëheqësi i MPJ-së është i dirigjuar nga klani “Pronto”

“Me ministër kukull, të tempuar e të dirigjuar nga klani “Pronto” , me shërbimin diplomatik të pakualifikuar, të paditur e as pak serioz, që Kosova e ka, i cili është me logjikën partizane, s’mund të pritet me shumë! Përfaqësuesit diplomatik të Kosovës, në vende të ndryshme , shpesh janë bërë edhe objekt turpi për vendin tonë atje, duke i detyruar shtetet pritëse edhe t’ i kthejnë nga kanë ardhur! Me një fjalë, kjo qeveri me këto politika e këto kuadro të pa emancipuara, jo vetëm politikisht, Kosova do të mbetet edhe për një kohë të gjatë me vetëm këto 109 apo 112 njohje, sepse as vetë qeveria nuk e dinë sa njohje saktësisht Kosova ka?!!!”, tha ai.

Se ka dështuar Qeveria këtë e tha për Blic edhe Teuta Rrusta, koordinatore e qëndres së Lëvizjes Vetëvendosje, sipas saj krerët e institucioneve më të larta të vendit janë njerëz të krimit, tregon më së miri për imazhin e Kosovës jo vetëm brenda, por dhe jashtë.

“Jemi dëshmitarë që Qeveria e Kosovës ka dështuar në çdo aspekt, si brenda dhe jashtë. Fillimisht, fakti që krerët e tre institucioneve më të larta të vendit (Mustafa, Veseli e Thaçi) janë njerëz të krimit, tregon më së miri për imazhin e Kosovës jo vetëm brenda, por dhe jashtë”, tha ajo.

Sipas kësaj koordinatoreje, vendi ka një diplomaci të dobët dhe komplet pasive, se një gjë e tillë është e pakontestuar sipas Rrustës tregon edhe mos anëtarësimi i vendit në UNESCO.

“Ne kemi një diplomaci të dobët, Presidentin që është figurë kontroverse, që lidhet me krimin, dhe përgjithësisht politikë të nënshtruar ndaj Serbisë. Politika jonë e jashtme është komplet pasive, kurse politika e Serbisë jashtëzakonisht aktive në anti-fushatën ndaj Kosovës. Kjo ka bërë jo vetëm të mos këtë njohje, por edhe të dështojmë në anëtarësime në organizata ndërkombëtare, sikur me rastin UNESCO, ku dështuam të marrim vota edhe nga shtetet që na njohën”, ka thënë ajo.

E ajo që do t’i hapte rrugë ndërtimit të shteti, njohjeve dhe integrimeve sipas Rrustës është largimi nga skena politike i figurave të krimit.

“Me një qeveri si kjo, me një President si Thaçi që me lehtësi e thotë se janë dy muaj që nuk kemi njohje, do të jemi edhe më të izoluar. Prandaj, është jashtëzakonisht e nevojshme të largohen nga skena politike këto figura të krimit. Kjo i hap rrugë ndërtimit të shtetit, njohjeve dhe integrimeve”, përfundoi ajo.

Kosova e deklaroi pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008 dhe që nga ajo kohë vendi është njohur nga 109 shtete.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat