Provokimi i radhës i Serbisë pas një muaji përmes Asociacionit të Komunave Serbe

Aktuale

Provokimi i radhës i Serbisë pas një muaji përmes Asociacionit të Komunave Serbe

Më: 15 janar 2017 Në ora: 16:43
Ilustrim

Pas dështimit për të futur trenin ilegal serb në Kosovë dhe ndërtimin e murit në Veri, Serbia planifikon veprime tjera për të provokuar situatën në Kosovë. Kjo pritet të ndodh pas një muaji kur edhe skadon ultimatumi i udhëheqësve serbë për të themeluar Asociacionin e Komunave më Shumicë Serbe. Ndërkohë, Kryeministri Isa Mustafa ka thënë se ky mekanizëm do të fillojë të themelohet bazuar në Ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Qeveria e Serbisë i ka dhënë ultimatum Kosovës të themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, më se largu, deri më 15 shkurt të këtij viti. Në të kundërtën kanë paralajmëruar se një hap të tillë do ta bëjnë vetë.

Ky është veprimi i katërt i Serbisë në drejtim të destabilizimit të Kosovës pas ndërtimit të Murit në Veri të Mitrovicës, ndaljen e Haradinajt në Francë dhe dështimit për të futur trenin e nisur nga Beogradi për në Mitrovicë.

“Edhe një herë, zëshëm e qartë, porosis: Nëse Prishtina deri në Sretenje (15 shkurt) nuk e formon Asociacionin e Komunave serbe, atë do ta formojmë ne …”, kishte paralajmëruar Marko Gjuric, Shef i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuric.

Ndërkohë, sot, Kryeministri Isa Mustafa ka paralajmëruar fillimin e zbatimit të marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të Komuave me Shumicë Serbe.

“Do të fillojmë me implementimin edhe të marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Asociacioni do të themelohet nga institucionet e Republikës së Kosovës me procedura të përcaktuara nga Gjykata Kushtetuese dhe me involvim të plotë të përfaqësuesve serbë në institucionet e Republikës së Kosovës”, ka thënë Kryeministri, në një postim në FB.

Qeveria e Kosovës, pos me themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, do të ballafaqohet edhe me punët e para të Gjykatës Speciale, e cila pritet t’i bëjë arrestimet në pjesën e parë të këtij viti. Ndërkohë, që ende mbetet pezull rarifikimi në Parlament i Demarkacionit me Malin e Zi.

Për të kundërshtuar themelimin e Asociacionit janë mbajtur edhe protesta në Kosovë prej partive opozitare që kanë kundërshtuar këtë marrëveshje të Kosovës me Serbinë, e arritur në Bruksel.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat