Kërcënimi me tren, për formimin e Asociacionit

Aktuale

Kërcënimi me tren, për formimin e Asociacionit

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 15 janar 2017 Në ora: 17:39
Treni serb

Njohësit  e sigurisë dhe analistët politikë kanë theksuar, se ky provokim i radhës i Serbisë, është matës për të parë se si do të reagonte pala jonë dhe hapi i parë drejt jetësimit “defakto” të iniciativës për krijimin e Asosiacionit të Komunave me Shumicë Serbe.  Ata kanë theksuar për “Bota sot”, se ka ardhur koha që me Serbinë të qartësohen gjërat një herë e mirë, dhe nëse Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, të ndërpriten menjëherë bisedimet në Bruksel.

Në vazhdën e provokimeve të shumta të kohëve të fundit, shteti serb, mbrëmë ka tentuar që të fus ilegalisht në terrritorin e Kosovës trenin nga Beogradi në Mitrovicë, për herë të parë që nga viti 1999.  Ndonëse, zyrtarët serb ishin shprehur të sigurt se treni do të shkelte në territorin e Kosovës, një gjë e tillë nuk ndodhi dhe treni u kthye mbrapsht, meqë institucionet e Kosovës u mobilizuan për të mos ndodhur kjo. 

Presidenti i vendit Hashim Thaçi dha urdhërin që treni serb, në të cilin kishte mbishkrime provokuese “Kosova është Serbi”, të mos lejohej të futej në vend, meqë sipas tij Serbia e ka tepruar me provokime.  Ndërsa, kryeministri Isa Mustafa në një konferencë të jashtëzakonshme për media, ka thënë se treni nuk është lejuar të futet në Kosovë, por edhe në rast se do të ndodhte një gjë e tillë, ai do të trajtohej në bazë të ligjeve të Republikës sonë.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës Faton Abdullahu, në një prononocim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se për lëshimin e këtij treni, Serbia nuk ka marrë leje, dhe se ai nuk është në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve dhe procedurave ligjore të cilat i parasheh shteti i Kosovës.  “Ashtu do t’ ju qasemi, meqë nuk është bërë në bashkëpunim me institucionet e Kosovës. Pra është jolegjitime dhe do t’iu qasemi duke u bazuar në ligjet tona”, ka konfirmuar Abdullahu.

(Tekstin e plotë mund ta lexoni të Hënën në publikimin e shtypur të gazetës kombëtare “Bota sot” në Kosovë dhe diasporë)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat