Sekreti shtetëror i Kosovës, kush janë dy njerëzit që mund të arrestohen nga Interpoli?

Aktuale

Sekreti shtetëror i Kosovës, kush janë dy njerëzit që mund të arrestohen nga Interpoli?

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 16 janar 2017 Në ora: 14:32
Ilustrim

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e AAK-së Lahi Brahimaj, ka thënë se Qeveria dhe institucionet e Kosovës kanë pasur informacione të detajuara për listën e personave të kërkuar nga Interpol, dhe emrat e 157 personave që ishin në të.

Në këtë listë, sipas tij, kanë qenë edhe presidenti Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Xhavit Haliti dhe shumë të tjerë, mirëpo ata nuk i takojnë më kësaj liste pasi që me negocimin e Qeverisë së Kosovës, kjo listë është shkurtuar nga 157 në vetëm 20 persona.

Image
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e AAK-së Lahi Brahimaj

Në listën, së cilës i është ndërruar përbërja, sipas deputeti Brahimaj, përveç Ramush Haradinajt, i cili e pësoi në Francë, gjenden edhe emrat e dy politikanëve të tjerë.

I pyetur nga gazeta “Bota sot” se për cilët politikanë e ka fjalën, Brahimaj ka thënë se këtë informacion nuk mund ta bëjë publik, meqë ky konsiderohet sekret shtetëror.

Por, sipas tij, i takon ministrit të rendit Skender Hysenit apo kryeministrit të vendit, të tregojnë se si i kanë negociuar emrat për largimin nga lista e Interpol-it, dhe pse kanë mbetur emrat e 20 personave të tjerë.

“Unë e kam lexuar deklaratën e zv.ministrit Mustafa në Facebook, ku thotë se 20 emra kanë mbetur. Ata e dinë se kush janë këta 20 emra. Pse nuk e kanë njoftuar Haradinajn dhe të tjerët, ata e dinë pse”, ka thënë deputeti Brahimaj për “Bota sot”.

Sipas tij, vet fakti që këta 20 ish-pjesëtarë të UÇK-së nuk janë informuar për rrezikun e përsëritjes së skenarit si të Haradinajt, flet për tendencë për eliminimin e tyre.

“Sigurisht, vet fakti se nëse ata nuk i kanë treguar atyre njerëzve që janë në listë, është një tendencë që me i eliminu njerëzit ose ashtu ne besojmë që është”, ka shtuar Brahimaj.

Ndërsa Zëvendësministri i Brendshëm Nehat Mustafa ka thënë se dhjetëra emra janë larguar nga kjo listë si rezultat i reagimit të vazhdueshëm të Policisë së Kosovës, por për “Bota sot”, ai nuk ka dashur të komentojë më shumë, me arsyetimin se për komunikimin me Interpol-in është përgjegjëse Policia e Kosovës, e jo MPB.

Ndonëse gazeta ka provuar të marrë një përgjigje nga Policia e Kosovës lidhur me të njëjtën çështje, kjo e fundit nuk i është përgjigjur pyetjes sonë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat