Veteranët e UÇK-së reagojnë për arrestimin e Haki Drenicës

Aktuale

Veteranët e UÇK-së reagojnë për arrestimin e Haki Drenicës

Më: 15 maj 2017 Në ora: 15:55
Ilustrim

Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) nga Klina e Poshtme e Skenderajt kanë reaguar pas arrestimit të bashkëluftëtarit të tyre, Haki Hajdari, i njohur si Haki Drenica.

“Ne veteranët e UÇK-së të fshatit Klinë e Poshtme shprehim shqetësimin tonë pas arrestimit të bashkëluftëtarit dhe bashkëfshatarit tonë Haki Hajdari (Haki Drenica). Hakiu është njëri ndër bashkëluftëtarët e parë të komandantit legjendar Adem Jashari i cili e filloi veprimtarinë e tij atdhetare që nga vitet ’90-ta, duke marrë pjesë aktivisht në aksionet e para kundër forcave pushtuese serbe që zhvilloheshin atë kohe në Komunën e Skenderajt. Ai ka dhënë kontribut të madh në kohën e ilegalitetit dhe sidomos ka kontribuar maksimalisht në furnizimin me armë dhe logjistikë të ushtarëve të UÇK-së nga Shqipëria. Hakiu gjatë periudhës së luftës nën komandën e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së ka përcjellë furnizimet me armatim dhe kalimet e kufirit në mes të Kosovës dhe Shqipërisë në shërbim të masivizimit dhe armatosjes së pjesëtarëve të UÇK-së”, është thënë reagimin e veteranëve të Klinës së Poshtme të Skenderajt.

Sipas këtij reagimi, Hakiu për shkak të veprimtarisë së tij të ngjeshur në shërbim të luftës për çlirim, ishte dënuar nga pushtuesi serb në mungesë me 11 vjet burgim. “Ngritja e aktakuzave, ndjekja dhe arrestimi i Hakiut janë të padrejta dhe të fabrikuara me qëllim të njollosjes së veprimtarisë së tij të begatshme patriotike. Ne besojmë se akuzat janë krijuar nga dëshmitarë të paguar nga qarqe që nuk ia duan të mirën vendit tonë dhe më qëllim të degradimit të luftës sonë të drejtë dhe çlirimtare. Pastërtia e luftës së ushtarëve dhe komandantëve të UÇK-së është dëshmuar botërisht dhe do të dëshmohet sa herë që është nevojshme.

Pavarësisht ndjekjeve të vazhdueshme që po u bëhen ish-pjesëtarëve të UÇK-së dhe në këtë rast edhe të z. Haki Hajdari, pastërtia e luftës së djemve të Kosovës të rreshtuar në radhët e UÇK-së është e pacenueshme dhe nuk do të njolloset asnjëherë”, është thënë në reagimin e veteranëve të UÇK-së nga Klina e Poshtme e Skenderajt.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat