Bulliqi: Largimi i ynë nga lista e gjunjëzoi LDK-në në këto zgjedhje

Aktuale

Bulliqi: Largimi i ynë nga lista e gjunjëzoi LDK-në në këto zgjedhje

Më: 13 qershor 2017 Në ora: 16:12
Ish deputeti i Kuvendit të Kosovës dhe anëtari i LDK-së, Shpejtim Bulliqi

Ish deputeti i Kuvendit të Kosovës dhe anëtari i LDK-së, Shpejtim Bulliqi thotë se është për keqardhje rezultati i Lidhjes Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e 11 qershorit.

Bulliqi në një intervistë për KosovaPress theksoi se kjo situatë e krijuar në LDK është për shkak se elektorati e ka ndëshkuar këtë parti, sepse ka qenë në koalicion me PDK-në dhe janë përjashtuar nga lista për deputetë, njerëzit e çmuar të LDK-së.

Bulliqi: LDK nga këto zgjedhje doli më e dëmtuara

“Me të thënë të drejtën është një rezultat për keqardhje për Lidhjen Demokratike të Kosovës, sepse faktikisht nga krejt ky proces duket se LDK del ndoshta prej subjekteve më të dëmtuara. Dhe kjo sipas mendimit tim është një hakmarrje sipas elektoratit të LDK-së për faktin që ne në njëfarë forme pa marr fare pëlqimin e tyre kemi bërë një koalicion të ngutshëm në mandatin i cili kaloi me PDK-në. Në njëfarë forme në shenjë revolte nga krejt këto veprime të papërgjegjshme të menaxhmentit të LDK-së ose strukturave udhëheqëse të saj faktikisht ka rezultuar edhe ky rezultat,  i cili është një rezultat për të ardhur keq si subjekt politik. Si subjekt i cili ka dhënë shumë mund për Kosovën , i cili ka qenë prej partive më serioze , më institucionale deri më sot dhe faktikisht po del që gradualisht LDK-ja me këtë strukturë udhëheqëse veç kaloi në pozicionin e tretë në vendet tërheqëse të subjekteve politike të radhitura në nivel qendror në Republikën e Kosovës”, tha  Bulliqi.

Bulliqi shprehet se rezultati zgjedhor nuk i jep hapësirë shumë të madhe pothuajse asnjë subjekti politik për të mundur ta krijojnë shpejt Qeverinë e ardhshme.

 Sipas tij, nga këto zgjedhje nuk është që vetëm LDK-ja ka pasur rënie, sepse po del që edhe PDK-në elektorati i saj e ka sanksionuar për shkak të atij koalicioni që është bërë me LDK dhe në njëfarë forme është një rezultat që është relativisht vështirë për ta dhënë një konkludim se si do të përfundojë i tërë ky proces.

Bulliqi është shprehur se LDK-ja  nuk duhet të bëjë më koalicion me PDK-në ngase do të ishte vdekjeprurës për këtë parti. Sipas tij, më e shëndetshme është që të LDK të rrijë në opozitë.

Bulliqi: Nëse shkon prapë në koalicion me PDK-në do të jetë vdekjeprurës

“Janë pothuajse tri variante për LDK-në, faktikisht varianti i parë i cili për mua nuk është variant që sërish dy subjektet e mëdha të bëhen në koalicion, që për mendimin tim do të ishte vdekjeprurës  për LDK-në dhe procesin e mëtejmë të zhvillimit të saj. Subjekti i dytë politik që faktikisht doli fitimtar në këtë proces të zgjedhjeve Lëvizja Vetëvendosje  faktikisht është si subjekt i dytë dhe në rast që nuk do të ketë mundësi që subjekti i parë të bëjë një gjë të tillë dmth në kushte normale do të duhet që t’i ofrohet mundësia subjektit të dytë me të cilin LDK në njëfarë forme do të ketë mundësi të ofrohet,  por mendoj se prapë nuk do të jetë një rezultat i kënaqshëm për LDK-në dhe elektoratin e saj. Prandaj unë them që LDK me mijëra të mira në këtë proces do të ishte që të bëjë punë në ndihmën e krijimit të institucioneve tà « reja të vendit që në një farë forme të mbetet si parti opozitare dhe të ulet qetësisht në strukturat e veta , t’i analizojë krejt këto lëshime, krejt këto punë që janë bërë , krejt këto probleme që janë shkaktuar ta gjej faktorin dhe shkaktarin kryesor të krejt këtyre defekteve , ta mënjanojë atë shkaktar dhe në njëfarë forme të fillojë të këndellet dhe të fillojë punën me strukturat legale të saj në terren për me mujt me rikuperu  për zgjedhjet lokale të cilat dihet që janë në vjeshtën e këtij viti”, theksoi Bulliqi.

Bulliqi thotë se përjashtimi i tij, i Fatmir Rexhepit, i Adem Salihajt dhe i Hatim Baxhakut nga lista për deputetë ka shkaktuar përmbysjen e LDK –së në Gjilan, Ferizajt dhe fitoren e zbehtë në Podujevë.

Bulliqi: Me largimin tonë u hakmorën elektorati i LDK-së

“Në qoftë se bëjmë një analizë pak më të thjeshtë ne nuk kemi qenë ata që jemi hakmarrë. Në  fund të fundit ne jemi individë, por praktika tregoi që u hakmor elektorati i LDK-së . Me analizu çështjen e Fatmir Rexhepit ,ai është njëri prej njerëzve kyç në strukturat e LDK-së që nga fillimi dhe sidomos një njeri shumë i çmueshëm,  një familje shumë e çmuar në rajonin e Anamoravës,  konkretisht në Gjilan dhe shihet rezultati i LDK-së në Gjilan, e shihni çfarë përmbyllje dhe çfarë përmbytje të rezultatit ka bërë Vetëvendosje ...  Unë mendoj që Fatmir Rexhepi u tregua edhe kësaj radhe që ka besimin e elektoratit të LDK-së sepse elektorati i LDK-së në njëfarë forme sanksionoi LDK-në për shkak të këtyre malverzimeve që u bënë me listat votuese. Shihni dhe analizoni çështjen e LDK-së në Ferizaj.  Z. Salihaj ju e dini që është themelues i LDK -së për atë pjesë, një bashkëpunëtor  i ngushtë i presidentit Rugova me një periudhë relativisht të gjatë kohore dhe shifne përmbysjen e rezultatit në Ferizaj . Shifeni përmbytjen e rezultatit në Prizren z.Hatim Baxhaku një mjek i çmuar, një njeri i respektuar jo vetëm për Prizrenin por edhe për Dragashin. Dhe shihni përmbysjen e rezultatit, i cili ndodhet në komunën e Podujevës që gjithmonë është llogarit bastion i LDK-së... dhe ato nëndegë kanë humbur dhe i ka fituar Vetëvendosje”, thotë  Bulliqi.

Duke i marr parasysh krejt këto ndryshime, krejt këto defekte në menaxhimin e LDK-së, Bulliqi mendon  që është momenti që të lihen fjalët dhe diskutimet publike, por të thirret Këshilli i përgjithshëm dhe të zhbllokohet nga individët të cilët në njëfarë forme e kanë uzurpuar LDK.

 Sipas tij, këta uzurpatorë LDK-në e shohin vetëm si një institucion nga i cili realizojnë të mira dhe interesa dhe assesi si një institucion që duhet përparuar dhe të shkojë përpara. Bulliqi tha se LDK-së po dëshirojnë t’ia ndërrojnë edhe identitetin.

Bulliqi: LDK-së po dojnë t’ia ndërrojnë  identitetin

“Kam qenë kundër,  jam kundër dhe do të jem prapë në të ardhmen kundër atyre njerëzve dhe individëve të cilët po i mathen LDK-së vetëm e vetëm që të realizojnë disa interesa të ngushta personale , dhe ai numër për fat të keq viteve të fundit është rrit tejmase në LDK saqë e kanë pru LDK-në në një situatë kur donë me ja ndërrua edhe identitetin komplet. Sepse partia jonë është shndërruar si një punëdhënëse dhe në realizim të interesave të një grupi të caktuar , të individëve të cilat janë jashtë dhe të cilët kanë qenë jashtë LDK-së. Prandaj, është momenti i fundit që strukturat e LDK-së , njerëz të cilët e donë LDK-në të ulen dhe t’i analizojnë gjakftohtë të gjitha këto probleme në struktura të partisë dhe partinë ta konsolidojmë dhe të ecim tutje në drejtim të rikthimit të anëtarësisë së humbur të LDK-së ose anëtarësisë së fjetur, sepse unë prapë kam besimin që pj esa më e madhe e kësaj anëtarësie që është zhgënjyer me neve faktikisht është anëtarësi pasive e cila ka dhënë një sinjal që LDK-ja nuk është në rrugë të mirë andaj nevojiten reforma të reja në LDK”, theksoi Bulliqi.

Ai ka ripërsëritur se ka pas kërkesë pothuajse nga të gjitha subjektet politike që të jetë pjesë e listës së tyre , por deklaroi se nuk ka dashur, sepse është interesuar që të punohet dhe të reformohet LDK , deri në fazën dhe shkallën kur të krijohen kushte që të punohet. 

Mirëpo, sipas Bullliqit në qoftë se do t’i mbyllen të gjitha rrugët dhe nuk do të ketë asnjë mundësi tjetër në LDK, atëherë thotë se duhet ta shikojë situatën dhe ta analizojë procesin se çka tutje, edhe pse nuk ka asnjë preferencë.

Bulliqi tha se në LDK-në nuk ka qëndruar pse ka realizuar interesat e tij në LDK, por sipas tij, ka qëndruar sepse ka dhënë një kontribut dhe ka aksione përmes 27 vite në këtë subjekt.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat