Rrezet e diellit të rëndësishme por edhe të rrezikshme

Aktuale

Rrezet e diellit të rëndësishme por edhe të rrezikshme

Më: 29 korrik 2017 Në ora: 11:54
Ilustrim

Rrezet e diellit janë të domosdoshme për jetën e njeriut, por ato mund të jenë edhe të rrezikshme. Rrezet e diellit ndihmojnë sistemin imunitar në sintetizimin e vitaminës D që është e domosdoshme për sistemin skeletor.

Mirëpo, doktoresha Mybera Ferizi, dermatovenerologe, shpjegon edhe rreziqet që vijnë nga rrezet e diellit nëse njeriu i ekspozohet shumë.

Ajo në një intervistë për kp, thotë se mbrojtja e syve dhe pjesës ballore të kokës konsiderohet të jetë e një rëndësie të veçantë.

Ferizi: Sintetizimi i vitaminës D i domosdoshëm për sistemin skeletor

“Në aspektin mjekësor, rrezet e diellit na ndihmojnë mjaft në sistemin imunitar, në sintetizimin e vitaminës D që është e domosdoshme për sistemin skeletor në përgjithësi... Por ne duhet ta dimë se rrezet e diellit kanë edhe ato rrezet që i themi ne, spektri diellor kuptohet, i ka edhe rrezet ultravioletë, të cilat sigurisht se kanë edhe efektet negative të tyre... Pasojat janë që rrezet e diellit, nëse nuk mbrohemi me masat mbrojtëse të cilat ekzistojnë dhe të cilat janë të dijshme, atëherë në mënyrë kontinuele na bëjnë një dëm të vazhdueshëm në lëkurën tonë, edhe në sy, dhe pas disa viteve kemi ato pasojat që janë më të pakëndshme, ato të rrezikut më të lartë që janë kanceri i lëkurës. Janë disa kanceroza, apo disa ndërrime të lehta të cilat kanë tendencë të kalojnë në atë formën më të rrezikshme”, tha ajo.

Për të parandaluar më të keqen, por edhe rrezikun eventual që mund të paraqesin rrezet e diellit për trupin e njeriut, Ferizi thotë se mjafton që ekspozimi në diell të bëhet në periudha të caktuara.

Ferizi: Të shmanget ekspozimi në diell prej 11 deri në orën 15-të

“E dimë se në periudhën diku prej 11 deri në orën 15 që e kanë konstatuar shkencëtarët, rrezet e diellit bien në mënyrë pingule në tokë dhe pastaj reflektohen edhe në ambientin ku praktikisht është, qoftë ambienti rrugë, cimetoja, zalli në bregdet apo nga objekti ku faktikisht rrezja e diellit bie dhe reflektohet prapë në lëkurën tonë....Rrezitemi në periudhën prej mëngjesit, prej 7 deri në ora 11-të dhe ikim. Prapë pas orës 16 që është e mjaftueshme deri në orën 19-20 kur perëndon dielli”, thotë ajo.  

Doktoresha Ferizi thekson se për të mbrojtur lëkurën nevojitet edhe kujdesi dhe trajtimi i saj, duke thënë se kompanitë farmaceutike kanë bërë mjaft hulumtime për të ofruar kremra që shërbejnë si filtër për mbrojtjen e lëkurës nga rrezet e dëmshme të diellit.

Ndërsa shton se nga gjashtë tipet e lëkurës që kanë njerëzit, tipi i parë dhe i dytë i përbërë nga personat me lëkurë dhe flokë të çelët, janë personat me ndjeshmërinë më të madhe nga rrezet e diellit.

Ferizi: Kremrat mbrojtës kanë efekt prej 2 deri në 4 orë, pastaj duhet të ripërsërtiten

“Varësisht se cilin tip të lëkurës kemi janë edhe kremrat mbrojtëse. Ato kanë një numër që të gjithë e dimë, SPF, domethënë faktori mbrojtës nga rrezet e diellit dhe kanë numrin qoftë nga 10, 12, 20, 30 deri në 50 e bile deri në 100 i prodhojnë disa kompani farmaceutike. Duke e llogaritë atë se sa kohë mundet me qenë lëkura jonë e mbrojtur nga rrezet e diellit SPF 20, kjo është ajo që të gjithë duhet ta zgjedhim dhe ta përcaktojmë kremën mbrojtëse. Edhe një faktor i rëndësishëm është për kremat mbrojtëse, duhet ta kemi parasysh se nëse djersitemi ose jemi afër bregdetit dhe lahemi, atëherë zvogëlohet forca mbrojtëse e kremës dhe duhet të lyhemi menjëherë. Diku llogaritet prej 2 deri në 4 orë periudha që do të na mjafton për të ripërsëritur dhe për të qenë të mbrojtur” tha ajo.

Ajo rekomandon syzet për diell dhe kapelat për të mbrojtur ato zona të ndjeshme e njëherit sugjeron edhe veshjen e rrobave të bardha prej pambuku e me mëngë të gjata, për qëndrimin në diell, në ambientet jashtë bregdetit.

Për faktin se rrezet e diellit mund të jenë po aq të mira e ndonjëherë edhe të rrezikshme, doktoresha Ferizi thotë se ka disa sëmundje të lëkurës ku personat e prekur nga to nuk rekomandohen të dalin në diell, por ka edhe persona të cilët mund t’i gëzohen diellit, pasi që rrezet e tij mund të përmirësojnë gjendjen e lëkurës së tyre.

Ferizi: Dielli mund të jetë një faktor rreziku për manifestimin e sëmundjeve të lëkurës

“Ne si dermatovenerolog veç kemi kontakt me pacientë të ndryshëm. Një grupi të pacientëve iu themi të mos dalin në diell sepse do të thotë kanë ndjeshmëri dhe alergji ndaj diellit ose kemi një sëmundje tjetër, që është pak më serioze lupusi eritematoz, e cila faktikisht m’u prej rrezeve të diellit vjen deri tek dëmtimi i lëkurës dhe pastaj vjen deri tek manifestimi i sëmundjes, që do të thotë një faktorë rreziku është pikërisht dielli. Derisa në anën tjetër, personave që kanë akne, iu themi se periudha verore i ndihmon sepse ndikon në poret e lëkurës ku bëhet zgjerimi dhe faktikisht del sekrecioni, të them ajo yndyra që sekretohet nga gjëndra e yndyrës dhe faktikisht përmirësohet gjendja e personave me akne, ndërkaq shtatori dhe tetori janë muajt kur paksa mund të përkeqësohet gjendja. Edhe psoriaza vulgare është një dermatozë, një sëmundje e lëkurës mjaft e shpeshtë dhe kryesisht dielli është ai që e ndi hmon shumë”, tha ajo.

Sipas dermatovenerologes Ferizi, lëkura ka një ndjeshmëri edhe ndaj ujit të detit pasi lëkura thahet dhe kështu këshillon që të bëhen dushe të rregullta pas larjeve në ujërat e detit.

Ajo i kushton rëndësi edhe kujdesit të lëkurës për më të vegjlit, me ç’rast porositë prindërit apo kujdestarët e tyre të kenë kujdes që të mos ekspozojnë fëmijët në diell në periudha të gjata kohore dhe jo në diellin e fortë.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat