Shërbimi Korrektues me probleme të shumta

Aktuale

Shërbimi Korrektues me probleme të shumta

Më: 29 korrik 2017 Në ora: 14:26
Ilustrim

Kryetari i Sindikatës së Shërbimit Korrektues, Zenun Sadikaj, përmes një letre drejtuar drejtorisë qendrore ka paraqitur problemet dhe shqetësimet e tyre që i ka shërbimi korrektues.

Ai në një intervistë për Kp ka paraqitur këto probleme të cilat, sipas tij, janë shumë shqetësuese. Sadikaj thotë se ka mbi shtatë vite punëtorë punojnë si ushtrues dhe nuk paguhen.

Image
Zenun Sadikaj

Sadikaj: Ka mbi shtatë vite që punojnë punëtorë si ushtrues detyre dhe nuk paguhen

“Problem shumë i madh sipas nesh i ka mbi shtatë vite që punojnë punëtorë si ushtrues detyre dhe nuk paguhen, kjo është edhe e jashtëligjshme. Pika dy, sistematizimi i vendeve të punës që është fol se do të bëhet shumë vite më herët, por ende nuk është kryer, që kjo është shumë që po i hyjn në hak punëtorëve. Në pikën tre jam munduar t’i paraqes disa probleme rreth rrezikshmërisë mbi stafin civil, të cilët nuk po paguhen ashtu siç iu kanë premtuar dhe ashtu siç e meritojnë se ata punojnë direkt me të dënuarit. Nën pikën katër kam paraqitur se stafi civil e kanë bërë një transferim nga stafi civil në staf mbështetës dhe askush nga ministria nuk është në gjendje të shpjegoj qartë dhe mirë të drejtat dhe obligimet që dalin për këta. Këtyre iu kanë zvogëluar pushimin vjetor, kurse si benificion nuk kanë përfituar asgjë”, tha ai.

E si problem Sadikaj e ka paraqitur edhe vdekjen e një personi në vendin e tij të punës, e që më pastaj nuk është zbatuar ligji për dhënien e pagës për gjashtë muaj familjes së të ndierit. Për më tepër ai thotë se ky nuk është rasti i vetëm.

Sadikaj: Vdesin në vendin e punës por nuk paguhen

“Është e pashpjegueshme, kam shkruar që kolegu vdes në vendin e punës dhe zyrtari ligjor nuk e dinë që në ligjin mbi sanksionet penale, neni 228 pika 2 thotë shumë qartë që personi i cili vdes në vendin e tij të punës, familjarëve iu takon nëse vërtetohet që është mbajtës i familjes i takojnë gjashtë paga. Këta e kam pasur pengesë shumë të madhe edhe unë mendoj që ta dërgoj deri në fund, nëse nuk realizohet, atëherë do të ngriti edhe padi për institucionin, nëse nuk realizohet ky deri në fund. Kemi pas edhe dy raste të mëhershme që kanë vdekur në vend të punës dhe askush nuk është marrë me to. Jo që i ka mbytur dikush, zakonisht ne jemi të stresuar shumë, si staf kemi stres shumë dhe zakonisht prej zemrës qysh e kanë konstatuar mjekët. Jo nga lëndimet e dikujt tjetër, por kanë pasur fatin kanë vdekur në vendin e punës”, theksoi ai.

Kurse, anulimin e konkursit për zyrtarë korrektues ai e quan si maltretim për personat që kanë aplikuar, duke e theksuar se nuk iu është sqaruar se pse është anuluar ai konkurs.

Sadikaj: Nuk na është dhënë sqarimi se pse është anuluar konkursi

“Ka pasur konkurs për mbikëqyrës dhe mbikëqyrës të lartë dhe është kryer intervistomi me shkrim dhe me gojë dhe në momentin e fundit ka dështuar, arsyeja ka thashetheme të ndryshme, por arsyen më së miri e din ata që nuk na kanë sqaruar neve. Ne si sindikatë e kemi lypur një sqarim, i ka maltretuar njerëzit pas pesë gjashtë muajsh ka dështuar dhe kurrgjë askujt”, tha ai.

Po ashtu, kryetari i Sindikatës së Shërbimit Korrektues, Zenun Sadikaj, tha se një dukuri e kohëve të fundit është emërimi i mbikëqyrësve të lartë pa konkurse.

Sadikaj: Po emërohen mbikëqyrës të lartë pa konkurse

“Kohëve të fundit është si dukuri që po emërohen mbikëqyrës ose mbikëqyrës të lartë pa konkurse, pa kritere, dhe emërohet si ushtrues detyre dhe menjëherë fillon pagesa, kurse për ata që thash më herët që shtatë tetë vite punojnë për ta nuk ka pare. Jo vetëm në Dubravë edhe në burgje të tjera, kemi informacione që edhe në burgje të tjera, si ushtrues detyre dhe menjëherë me pagesë, jo vetëm në burgun e Dubravës”, tha ai.

Përveç këtyre problemeve, sipas Sadikaj edhe uniforma që iu takon për çdo vit është dhënë e cunguar, ku uniforma jepet në mungesë.

Po ashtu, Sadikaj thekson se edhe kushtet higjienike nuk janë në nivel.

Sadikaj: Kushtet higjienike nuk janë në nivel

“Kushtet higjienike nuk janë në nivel, ende në drejtorinë në burgun e Dubravës enët pastrohen me dorë, do të thotë nuk ka makinë larëse, makinë larëse ka për kuzhinën numër një edhe ajo ka ndodh që me tre muaj ka qenë jashtë qarkullimit”, tha ai.

KosovaPress ka provuar të marrë një përgjigje nga Drejtoria Qendrore lidhur me këto probleme, por që zyra për media e këtij institucioni ka kthyer përgjigje se Sokol Zogaj – Ushtrues Detyre i Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës, është në pushim dhe se ai është kompetent për intervistë dhe përgjigje në pyetjet e  drejtuara.

Gjithashtu, gjatë javës media ka provuar të kontaktoj përmes telefonit me ushtruesin e detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Korrektues, Sokol Zogaj, por që i njëjti nuk ka qenë i qasshëm.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat