‘Ka pasur prishje të radarit, por nuk është rrezikuar siguria kombëtare’

Aktuale

‘Ka pasur prishje të radarit, por nuk është rrezikuar siguria kombëtare’

Më: 16 maj 2018 Në ora: 16:43
Komisioni për Zhvillim Ekonomik

Mbetet shqetësuese shtrenjtimi i biletave të udhëtimit, siguria dhe shërbimet në aviacionin civil. Kështu është vlerësuar gjatë shqyrtimit të raportit të auditorit për Autoritetin e Aviacionit Civil në komisionin për Zhvillim Ekonomik.

Drejtori i përgjithshëm i Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës, Driton Gjonbalaj, duke raportuar para deputetëve, pranoi se çmimet dhe mjegulla në Aeroportin e Prishtinës janë probleme të shfaqura, por për mjegullën shumë shpejt do të ketë zgjidhje. Ai beson se me liberalizimin e vizave do të ulen edhe çmimet e biletave.

Gjonbalaj: Është shqetësuese rritja e çmimit të biletave gjatë sezonit

“E përmendet me të drejtë shqetësimin e rritjes së çmimit të biletave gjatë sezonit veror, në kohën kur më së shumti ka fluturime në aeroportin e Prishtinës. Përmendet edhe disa mekanizma që mund të përdoren nga entitetet e ndryshme, duke bërë edhe stërshitje. Autoriteti i Konkurrencës është i njoftuar me të gjitha veprimet që potencialisht mund të përbëjnë shkelje të praktikave të mira të biznesit dhe mund të bëjnë shkelje të konkurrencës së lirë. Mjegulla në Aeroportin e Prishtinës, me të drejtë e ngritët këtë shqetësim. Ka një numër të madh të ditësh gjatë vitit për shkak të mjegullës, nuk mund të aterrohet në Prishtinë, dhe si rezultat avionët aterrojnë në aeroportet alternative, në Shkup, në Tiranë dhe në Sofje. Lajmi i mirë është se Qeveria e Kosovës ka nënshkruar një kontratë për ngritjen e nivelit të sistemit instrumental të aterrimit”, ka thënë Gjonbalaj. 

Ai tha se për fat të keq, anulime dhe vonesa të fluturimeve ka në çdo vend, por mënyra e parandalimit është në rregullore të Ministrisë së Infrastrukturës, ku nëse ka vonesë mbi tri orë, duhet të kompensohet udhëtari prej 250 deri 600 euro.

Drejtori i AAC-së ka garantuar se siguria në Republikën e Kosovës nuk është cenuar asnjë herë deri më tash në fushën e aviacionit, edhe pse ai pranoi se ka pasur prishje të radarit në vitin 2016 dhe 2017 në Agjencinë për Navigimin e Shërbimeve Ajrore.

Gjonbalaj: Ka pasur prishje të radarit, por nuk është rrezikuar siguria

“Sa i përket radarit, ka pasur një prishje të radarit në vitin 2016, prishja e radarit në asnjë moment nuk e rrezikon sigurinë kombëtare. Prishja ka vazhduar edhe në vitin 2017 për disa ditë. Çdo procedurë ën Aviacionin Civil, ka procedurën rezervë dhe çdo procedurë rezervë është një soj e vlefshme sa i përket mbajtjes së nivelit të sigurisë siç e përcakton organizata ndërkombëtare e Aviacionit Civil”, ka thënë ai.

Memli Krasniqi, anëtar i Komisionit, ka thënë se si është e mundur që me licencë të kompanisë ajrore “Adria Airways” operon një aeroplan i një kompanie tjetër nga Kroacia, e cila nuk ofron kushte dhe siguri për udhëtarët. Ai tregoi një përvojë të tij gjatë një udhëtimi, që nuk i ka lënë përshtypje të mirë.

Krasniqi: Jam befasuar për të keq gjatë një udhëtimi me një avion kroat

“Unë për vete u befasova  një ditë kur kishim një udhëtim për Frankfurt, ku biletat i kishim blerë në “Adria Airways”, ishin lëshuar prej kësaj kompanie, por ne fluturuam me një charter kroat, me thënë të drejtën nuk na ofroi ndonjë përshtypje të mirë, s’po flas shumë për komforin sa as për siguri prej asaj që disa prej karrigeve së paku dy mund t’i konfirmojë ishin jo funksionale, edhe deri te pjesa e stafit që nuk ishte i nivelit që së paku “Adria Airways” e ka ofruar”, ka thënë Krasniqi.

Vërejtje për këtë kompani ka dhënë edhe deputetja Mimoza Kusari-Lila, e cila tha se nuk është serioze me udhëtarët dhe kërkoi përgjegjësi për sigurinë e udhëtarëve në fushën e aviacionit civil për persona të armatosur siç ka ndodhur me një test ditë më parë.

Kusari-Lila: Një test që është bërë ka rezultuar ka rezultuar me një pasiguri të përgjithshme

“Çështjet e sigurisë, ka qenë publike kalimi i sistemeve të sigurisë në aeroportin e Prishtinës të personave të armatosur, pra deri të gjitha sistemet e sigurisë i ka kaluar deri në pikën sa me ardhur si persona të armatosur në aeroplan. Kjo ka qenë një provë ose një sprovë, një test që është bërë dhe kjo ka rezultuar me një pasiguri të përgjithshme, andaj, sa është adresuar kjo çështje, sa ka të vërtet në këtë çështje dhe a mendoni ju se në rast të një realiteti, sa janë gjasat që ai person i armatosur me mbërri deri në aeroplan?”, ka thënë Kusari-Lila. 

Ndërsa, anëtari tjetër Gani Dreshaj ka ngritur çështjen e çmimeve të shtrenjta të parkingut në aeroportin ‘Adem Jashari’, si dhe për pritjet e gjata në sportel.

Po ashtu në këtë Komision ka raportuar edhe kryesuesi i Autoritetit të Konkurrencës, Valon Prestreshi, i cili tha se ky komision ka hetuar 13 tregje, atë të naftës, sigurimeve, telekomunikacionit, tregun farmaceutik etj.

Ndërsa, deputetja Hikmete Bajrami ka thënë se ekziston tregu me monopol, siç është rasti me homologimin e automjeteve.

Prestreshi tha se kanë reaguar ndaj një udhëzimi administrativ për shtrembërimin e konkurrencës në tregun e homologimit. Ai tha se ka mbetur që në këtë javë të ulen së bashku me drejtues të Ministrisë së Infrastrukturës për rregullimin e këtij udhëzimi administrativ për fiksimin e çmimit që janë të ndaluara në bazë të ligjit të konkurrencës.

Komisioni ka shqyrtuar dhe miratuar pakon legjislative për ndryshimin dhe plotësimin e projektligjeve në fushëveprimin e Ministrisë së infrastrukturës, me qëllim të harmonizimit me Ligjin për Kundërvajtje.

Zëvendësministri i Infrastrukturës Fehmi Mujota, tha se ligji për patentë-shofer, ai për trafikun rrugor, hekurudhat, rrugët është mirë të harmonizohen nenet dhe se ka nevojë për ndryshime, në mënyrë që të bëhen funksionale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat