I jepet lamtumira Fadil Vokrrit

Aktuale

I jepet lamtumira Fadil Vokrrit

Më: 10 qershor 2018 Në ora: 12:11
Varrimi në varrezat e qytetit të Prishtinës, në Dragodan.

(E plotësuar) - Në përcjellje të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe me nderime shtetërore, kryetari i FFK-së së Kosovës Fadil Vokrri u varros sot.

Në varrimin e tij po marrin pjesë mijëra qytetarë të Kosovës të cilët po i japin lamtumirën e fundit.

Me nderime të larta shtetërore është varrosur të dielën në Prishtinë, Fadil Vokrri, Kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës.

Fadil Vokrri, 57-vjeçar, ndërroi jetë të shtunën në mëngjes, pas një sulmi në zemër.

Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës e kanë vlerësuar lartë punë dhe veprën e kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrrit për sportin e Kosovës.

Në ceremoninë e varrimit kanë marrë pjesë zyrtarë të lartë nga Kosova Shqipëria e Maqedonia, përfaqësues të partive politike, zyrtarë e udhëheqës të klubeve sportive nga rajoni e më gjerë, sportistë dhe qindra qytetarë.

Varrimi i Fadil Vokrrit (Drejtpërdrejt)

Ka filluar ceremonia e varrimit të ish kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës dhe ikonës së sportit kosovar, Fadil Vokrri.

Të pranishëm janë një numër i madh qytetarësh, familjarë, miq dhe liderë politik.

Po bëhet varrimi i legjendës së futbollit, Fadil Vokrri.

Varrimi po bëhet në varrezat e qytetit të Prishtinës, në Dragodan.

Gjatë ditës janë bërë homazhe dhe një mbledhje komemorative për legjendën e futbollit, Fadil Vokrri.

Me dhimbje e pikëllim, përfundon mbledhja komemorative për Fadil Vokrrin

Është përkujtuar vlera prej futbollisti dhe kontributi shumë i çmuar i presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrrit, në mbledhjen komemorative të organizuar në nderim të figurës së tij.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, tha se lajmi për vdekjen e parakohshme të legjendës së futbollit, ndodhi në kohën kur më së shumti kërkohej përkushtimi, profesionalizmi dhe atdhedashuria sportive e tij.

Veseli: Fadil Vokrri ishte sinomim i të mirave për Kosovën

“Fadili ishte sinonim i gëzimeve tona, ishte sinonim i lajmeve të mira për Kosovën, ishte sinonim i gjërave të bukura të vendit tonë, sinonim i shpresave për një Kosovë që bën historinë në fushën e gjelbër të sportit më të bukur në botë, futbollit. Para së gjithash, Fadil Vokrri ishte sinonim i njeriut të ndershëm të Kosovës, prandaj dhimbja është e madhe, humbja po ashtu... Ne do ta vazhdojmë ëndrrën e tij, duke mundësuar që të rinjtë e Kosovës të luajnë në kampionatet e futbollit botëror, të shënojnë gola për ta nderuar vendin tonë dhe kujtimin heroit të futbollit tonë”, theksoi kryeparlamentari Veseli.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se Fadil Vokrri ishte i të gjithëve, duke i mbijetuar kohërave të vështira për sportin dhe popullin e Kosovës.

Haradinaj: Falë tij Kosova gëzon respekt në arenën ndërkombëtare

“Falë tij, Kosova u kthye në familjen e sportit, në familjen e futbollit, në FIFA dhe falë tij, Kosova sot e gëzon respektin në arenën ndërkombëtare. Pra ai na bëri shumë miq për sportin, për vendin. Një ndarje si kjo nuk është e lehtë. Ju siguroj familje e çmuar e legjendës sonë, se sot nuk jeni në dhimbje vetëm ju, jemi të gjithë sepse ai ishte i të gjithëve dhe do të mbetet i të gjithë neve në kujtimet më të mira për të”, tha Haradinaj.

Besim Hasani, president i Komitetit Olimpik të Kosovës, tha se me ikjen fizike të futbollistit të njohur Fadil Vokrrit, mbet pa e përcjellë edhe porosinë e Al Shen-it, ish-kryetarit të klubit futbollistik Fenerbahçe, i cili një ditë më parë kishte dërguar përshëndetje dhe përqafime për të. Teksa kishte thënë “e dua si djalin tim”.

Hasani: Fadil Vokrri referenca më e mirë

“I shtrenjti miku im Fadil, po të përcjellim zemërthyer, por pafundësisht krenarë dhe falënderues ndaj Zotit që jetuam në kohën e njëjtë”, tha ai. 

Në emër të Federatës së Futbollit të Kosovës, me një fjalë rasti foli sekretari Eroll Salihu, i cili tha se trashëgimia e Fadil Vokrrit është e jashtëzakonshme, ndërsa shtoi se rëndësia e tij kuptohet më së miri nga boshllëku që la pas.

Ai potencoi se Fadil Vokrri ishte më meritori për pranimin e Kosovës në FIFA dhe UEFA.  

Salihu: Fadil Vokrri zuri vendin e përjetësisë

“Pranimi i Kosovës në UEFA dhe FIFA me të drejtë i atribuohet Fadil Vokrrit me shokë dhe për këtë ai zuri vendin e tij të përjetësisë në historinë e Kosovës. Emri i tij ka hapur rrugë, bile edhe pa prezencën fizike të tij”, u shpreh Saliu.

I pranishëm në këtë mbledhje komemorative ishte edhe presidenti i Federatës së Shqipërisë, Armando Duka, i cili tha se dikur e kishte pasur ëndërr që t’i prekte dorën një legjende si Fadil Vokrri.

Duka: Me krenari do të them se jam mik i Fadil Vokrrit

“Fadili e ka merituar përjetësinë, nuk mund t’ia japim ne. E ka merituar me atë që ka kontribuar si sportist. E ka merituar me atë që ka qenë si familjar, e ka merituar si drejtues i futbollit të Kosovës dhe e ka merituar me atë që është më kryesorja, e ka merituar duke qenë një njeri i mrekullueshëm dhe i vërtetë, andaj me krenari do të them gjithmonë se jam mik i Fadil Vokrrit”, u shpreh ai.

Në emër të familjes Vokrri, para të pranishmëve foli djali i legjendës së futbollit, Gramos Vokrri.

Vokrri: Vepra e tij flet vet

“Është për mua jashtëzakonisht e vështirë me pëshkru babain tim sepse besoj se vepra e tij flet vet. Prandaj më lejoni që shumë shkurt t’iu falënderoj të gjithëve për përkrahjen e vazhdueshme se Fadil Vokrri nuk ishte vetëm i joni por i gjithë Kosovës”, u shpreh ai.   

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, vdiç dje në moshën 57-vjeçare. Vokrri i takon të ashtuquajturës “Gjenerata e Artë e Prishtinës” dhe nga po kjo gjeneratë, si dhe nga shumë e shumë njohës dhe dashamirë të sportit në përgjithësi, e të futbollit në veçanti, Fadil Vokrri konsiderohet “legjendë” e futbollit kosovar dhe futbollist që i kalon përmasat e një sulmuesi të zakonshëm.

Haradinaj: Fadil Vokrri mbajti gjallë frymën e sportit edhe në vitet 1990-1999

“Ndarjet nga një sportist i dalluar kanë dimensionin e vet dhe, të parët që preken janë sportistët, bashkë lojtarët, ata që kanë ndarë shumë momente të sportit me të. Fadili bënë përjashtim. Fadil Vokrri ishte i të gjithëve. Nuk e di kush nuk ka qenë i afërt me të. Fadili ishte një sportist shpirtbardhë, i cili mërzitej nga lajmet e këqija për këdo qofshin, jo vetëm në sport, e i gëzohej lajmeve të mira për të gjithë”, kështu tha kryeministri Ramush Haradinaj, në mbledhjen komemorative me rastin e ndarjes nga jeta të Kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, që u organizua nën patroatin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj.

Duke folur për rolin që kishte Fadil Vokrri për sportin kosovar, kryeministri Haradinaj, tha se Fadili e kishte mbijetuar një krenari të sportit në kohëra jo të lehta për popullin tonë edhe para viteve të ’90-ta.

“Ai e mbajti gjallë frymën e sportit edhe mes viteve 1990-1999 dhe u kthye për t’i dhënë edhe njëherë përkrahjen sportit, sportistëve, jo vetëm futbollistëve, jo vetëm Federatës së Futbollit, por gjithë Kosovës, në periudhën e re të shtet ndërtimit. Falë tij Kosova u kthye në familjen e sportit, familjen e futbollit, në FIFA dhe falë tij Kosova sot e gëzon respektin në arenën ndërkombëtare. Pra, ai na bëri shumë miq për sportin, për vendin”, tha kryeministri Haradinaj.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj siguroi familjen Vokrri se sot nuk janë vetëm ata me dhimbje, por janë të gjithë, sepse Fadili ishte dhe do të mbetet çdo herë i të gjithëve me kujtimet më të mira.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, tha se Fadili ishte sinonim i lajmeve të mira për Kosovën, sinonim i shpresave për një Kosovë që bënë historinë në fushën e gjelbër të sportit më të bukur në botë, futbollit. Para së gjithash, Fadil Vokrri ishte sinonim i një njeriu të ndershëm të Kosovës, andaj dhimbja për të është shumë e madhe.

Para të pranishmëve, nga një fjalë e mbajtën edhe kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, sekretari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, presidenti i  Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka.

Ndërsa në emër të familjes Vokrri të pranishmit me një fjalë i përshëndeti i biri i Fadil Vokrrit, Gramoz Vokrri. “Është tepër vështirë ta përshkruaj babin tim. Besoj se vepra e tij flet vet. Andaj më lejoni t’ju falënderoj të gjithëve, për përkrahjen e vazhdueshme, se Fadil Vokrri nuk ishte vetëm i joni, por ishte i gjithë Kosovës. I qoftë i lehtë dheu i Kosovës!”, tha ai. 

Të pranishëm në mbledhjen komemorative ishin edhe kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi, përfaqësues të Federatës Shqiptare të Futbollit, përfaqësues të Federatës së Futbollit të Kosovës, përfaqësues të FIFA-s, kryetar të komunave dhe personalitete të tjera. 

Varrimi i të ndjerit bëhet sot me nderime shtetërore në varrezat e Prishtinës, në ora 17:00.

Veseli: Vokrri, sinonim i gjërave të mira

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, sot, në seancën komemorative të Kuvendit, të mbajtur me rastin e vdekjes së presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës dhe ish-futbollistit të njohur, Fadil Vokrrit, ka thënë se ikja para kohe e heroit të futbollit të Kosovës, është një humbje e madhe kombëtare.

Në fjalën e tij para deputetëve, familjarëve të ish-futbollistit dhe të pranishmëve të tjerë, Veseli tha se lajmi për vdekjen e papritur të Fadil Vokrrit ishte tronditës.

“Fadili ishte sinonim i gëzimeve tona, ishte sinonim i lajmeve të mira për Kosovën, ishte sinonim i gjërave të bukura të vendit tonë, sinonim i shpresave për një Kosovë që bën historinë në fushën e gjelbër të sportit më të bukur në botë, futbollit. Para së gjithash, Fadil Vokrri ishte sinonim i njeriut të ndershëm të Kosovës, prandaj dhimbja është e madhe. Humbja po ashtu. Një humbje kombëtare”, theksoi kryeparlamentari Veseli.

Ai shtoi se jo vetëm familja, por secili që ka pasur rastin ta njoh Fadilin, sot duhet të ndihet krenar se ka një rrëfim për këtë njeri të madh të Kosovës.

“Kemi humbur legjendën e futbollit tonë, në kohën kur më se shumti kërkohej përkushtimi, profesionalizmi dhe atdhedashuria sportive e tij. Ne do ta vazhdojmë ëndrrën e tij, duke mundësuar që të rinjtë e Kosovës të luajnë në kampionatet e futbollit botëror, të shënojnë gola për ta nderuar vendin tonë dhe kujtimin heroit të futbollit tonë, Fadil Vokrrit”, tha kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

Image

***

Pas homazheve të kryera për Fadil Vokrrin, ka filluar mbledhja komemorative.

Me një minutë heshtje ka filluar mbledhja komemorative për Fadil Vokrrin, e organizuar nën patronazhin e kryeministrit të Republikës së Kosovës.

***

Nën patronatin e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, po mbahet mbledhje komemorative për legjendën e futbollit, Fadil Vokrri.

Mbledhja komemorative po mbahet në sallën e seancave plenare të Kuvendit të Kosovës.

Në Kuvend fillimisht janë bërë homazhe varrimi i legjendës së futbollit, Fadil Vokrri bëhet në varrezat e qytetit të Prishtinës, në Dragodan, në ora 17:00.


Mesazhi prekës i Bobanit: Shpresoj të luaj futboll me Fadilin në botën tjetër

I pranishëm në homazhet e organizuara në nderim të Fadil Vokrrit ishte edhe një nga futbollistët më të mëdhenj kroatë, Zvonimir Boban.

Fjalët e kroatit janë vërtetë prekëse për një futbollist dhe njeri të madh si Vokrri.

 “Erdha për ta ngushëlluar familjen e Vokrrit për këtë humbje të madhe. Normalisht që përcjell ngushëllimet edhe të presidentit të UEFA-s, Ceferin.  Ka qenë legjendë e futbollit. Më rrallë jemi takuar viteve të fundit me njëri-tjetrin, por ka qenë njeri i madh. Shpresoj se do të takohemi në një botë tjetër, për të luajtur futboll.”

Image

***

I pari i futbollit të Kosovës la pas shumë miq, kurse miq kishte anekënd botës.

Zvonimir Boban ishte i pranishëm në homazhe për Vokrrin, ku ai shprehu ngushëllime familjarëve dhe gjithë popullit shqiptar.

Boban momentalisht është zëvendës sekretar i FIFA-së.

Gjatë kohës kur Kosova priste debutimin në ndeshje ndërkombëtare, Boban ishte përgjegjës për dhënien e lejes për futbollistët vendor, duke dhënë kontribut të çmuar në këtë drejtim.

Ai pritet të jetë i pranishëm edhe në varrimin e Vokrrit i cili bëhet në ora 17:00.

Image

***

Sportisë, trajnerë, gjyqtarë, politikanë e qytetarë të shumtë po vazhdojnë të marrin pjesë në homazhet për Fadil Vokrrin.

Në homazhe po marrin pjesë skuadrat në mënyrë të organizuar, tifozeria Dardanët, Haradinaj me qeverinë, deputetë të LDK-së etj.

Legjenda e futbollit vendor dhe kryetari i FFK-së vdiq dje pas një arresti kardiak.

Nga ora 15:00 gjithashtu pritet një mbledhje komemorative për Vokrrin.

Kurse varrimi do të bëhet prej orës 17:00 në Prishtinë.

Në homazhe po marrin pjesë skuadrat në mënyrë të organizuar, tifozeria Dardanët, Haradinaj me qeverinë, deputetë të LDK-së etj.

Image

Ditë zie, homazhe në nderim të Fadil Vokrrit

Nën patronazhin e kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, po mbahen ceremonitë e homazheve dhe më vonë edhe mbledhja e komemoracionit me rastin e vdekjes së Fadil Vokrrit, kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës.

Fadil Vokrri, 57-vjeçar, ndërroi jetë të shtunën në mëngjes, pas një sulmi në zemër.

Federata e Futbollit të Kosovës ka njoftuar se Vokrri do të varroset në varrezat në Prishtinë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka shpallur të dielën ditë zie, në nderim të të ndjerit Fadil Vokrrit, dhe flamujt në të gjitha institucionet e Kosovës janë ulur në gjysmë shtizë.

“Në shenjë respekti shtetëror dhe qytetar, me vendim të presidentit Thaçi, të dielën flamujt shtetëror do të ngrihen në gjysmështizë në të gjitha objektet shtetërore të Republikës së Kosovës, brenda dhe jashtë vendit”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Presidentit.

Fadil Vokrri, ishte figura qendrore e futbollit të Kosovës dhe ndërkombëtarizimit të tij. Sipas njoftimeve nga Qeveria e Kosovës para ceremonisë së varrimit, nga ora 12:00 e deri në orën 13:00 në Kuvendin e Kosovës mbahen homazhe, kurse në orën 14:00, po në Kuvend do të mbajë një mbledhje komemoracioni.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas lajmit për vdekjen e Vokrrit, ka thënë Vokrri ishte ylli më i ndritur i sportit dhe jo vetëm sportit tonë.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, është shprehur se Vokrri ka qenë frymëzim për shumë breza të sportistëve.

Kryeparlamentari, Kadri Veseli ka thënë se me vdekjen e Vokrrit, sporti i Kosovës ka humbur shumë. Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka njoftuar se stadiumi i Prishtinës "me nderë do të mbajë emrin" e Fadil Vokrrit.

Kush ishte Fadil Vokrri?

Fadil Vokrri u lind më 23 korrik të vitit 1960 në Podujevë. Me futboll nisi të merret si 15-vjeçar, kurse si 17-vjeçar debutoi në KF “Llapi” në Podujevë. Më pas në vitin 1980 kaloi tek KF “Prishtina”, ku luajti 84 ndeshje dhe shënoi 33 gola me këtë skuadër në Ligën e Dytë, kurse në Ligën e Parë të Jugosllavisë në fanellën e Prishtinës pati 88 paraqitje dhe realizoi 22 gola.

Periudha e viteve të 80-ta ishte e artë për Vokrrin, i cili në vitin 1984 debutoi në ekipin përfaqësues të Jugosllavisë, duke u bërë futbollisti i vetëm shqiptar që u paraqit në Përfaqësuese, e ku regjistroi 12 paraqitje dhe shënoi 6 gola. Në vitin 1986 u transferua te Partizani i Beogradit ku në 27 ndeshje shënoi 13 gola.

Vokrri ishte bartës i flamurit olimpik në Lojërat Olimpike Dimërore në Sarajevë në vitin 1984,derisa në vitin 1987 ishte shpallur lojtari më i mirë në Jugosllavi. Në vitin 1989 kaloi në Francë te skuadra Nimes dhe më pas u transferua në klubin turk, Fenerbahçe ku luajti në edicionet 1990-1992.Pas karrierës në kampionatin turk ai u rikthye në Francë ku jetoi me familjen dhe luajti edhe për disa vjet për skuadrat e niveleve më të ulëta franceze, Bourges dhe Montluçon, para se t’i jepte fund karrierës. Pas çlirimit të Kosovës, ai, u kthye në atdhe, fillimisht për ta ndihmuar ish-klubin e tij, Prishtina, në postin e drejtorit, kurse më pas në shkurt të vitit 2008 e mori timonin e Federatës së Futbollit të Kosovës dhe e arriti që nën udhëheqjen e tij, FFK të anëtarësohet në UEFA dhe FIFA.

Vokrri ka lënë pas vetes bashkëshorten dhe tre fëmijë.

Tifozët e Kosovës “Dardanët” bëjnë homazhe për Fadil Vokrrin

Në hollin e Kuvendit të Kosovës po vazhdojnë homazhet për legjendën e futbollit të Kosovës, Fadil Vokrrin.

Homazhe kanë kryer edhe tifozët e Kosovës, “Dardanët”.

Aty janë parë të pranishme figurat më të larta shtetërore, kolegë të të ndjerit e dashamirë të shumtë.

***

Qindra qytetarë po marrin pjesë në homazhet për legjendën kosovare të futbollit, Fadil Vokrri.

Homazhet po bëhen në Kuvendin e Kosovës, ku pritet të ketë edhe mbledhje komemorative.

Vokrri do të varroset nga ora 17:00 në Prishtinë.

Ai vdiq dje si pasojë e një sulmi në zemër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat