“Presidenti Thaçi është njëri ndër faktorët që po e mban gjallë Qeverinë Haradinaj dhe pikërisht ai i cili mund ta rrëzojë atë”. Kështu vlerëson opinionisti, Nexhat Haziri.
Ai ka thënë për “Bota sot”, se refuzimi i të ashtuquajturës platformë e qeverisë për bisedimet me Serbinë që është kundërshtuar nga opozita, në rast të refuzimit të saj në Kuvendin e Kosovës, do të krijoj një ngërç politik dhe institucional.
Sipas tij, pikërisht kjo përbën një arsye të fortë për rrëzimin e qeverisë Haradinaj, qeveri për të cilën as skeptikët më të mëdhenjtë të saj nuk e kanë pritur një dështim katastrofal në qeverisjen e vendit, pasoja e së cilës do t’i bartim për një kohë të gjatë.
“Kurse sa i përket rrolit të presidentit Thaçi në funksionimin e kësaj qeverie, mendoj se vazhdimi i saj i konvenon vetëm Thaçit, pasi ai duke parë një kryeministër të dobët dhe të papërgatitur e të pa dije në qeverisje dhe politik bërjen për postin që e mban. Pra këto mangësi të Haradinajt përbejnë avantazhe për Thaçin që ti forcoj pozitat e tij të vendimmarrjes edhe përtej kompetencave që i parasheh kushtetuta e vendit si president. Andaj Thaçi do mundohet më të gjitha mjetet që ta mbajë në pushtet Haradinajn, dhe koalicionin qeverisës”, ka thënë opinionisti Haziri.