Kosova pas një dekade, në sytë e të rinjve të saj

Aktuale

Kosova pas një dekade, në sytë e të rinjve të saj

Më: 27 qershor 2018 Në ora: 18:38
Kosova pas një dekade, në sytë e të rinjve të saj

Nol Musa ende nuk ka të drejtë vote, sepse ende nuk i ka mbushur 18 vjeç, por po që se do ta kishte atë të drejtë do të votonte për një Kosovë me të drejta më të avancuara të grave.

Megjithatë atij sot iu dha mundësia që votën e tij ta jap në ekspozitën “Kosova Next 10”, e cila u hap në Muzeun e Kosovës dhe do të jetë e hapur  për një muaj për të gjithë ata që duan të shohin Kosovën e dhjetëvjeçarit të ardhshëm.

Ekspozita e organizuar nga Shoqata e Shkëmbimeve Kulturore të Tajvanit dhe Kosovës, ka për qëllim që të vizualizojë 10 vitet e ardhshme të shtetit më të ri në Evropë përmes artit dhe mendimit të të rinjve të saj.

E kjo është arsyeja pse Nol Musa, 15 vjeç, ka zgjedhur të vizitojë këtë ekspozitë.

Nol Musa: Votova për barazi gjinore se gratë në vende rurale nuk kanë të drejtat si burrat

“E pashë eventin në Facebook Kosova Next 10 edhe erdha këtu dhe unë votova, e pashë një ide shumë të bukur që ke këtu se çka doni me ndrru për Kosovën dhe çka doni me pa pas dhjetë viteve për Kosovën. Unë votova për dy gjëra njëra ishte gender equality, pra barazia gjinore e cila në Kosovë, e sidomos në vendet nuk është aq...femra nuk i ka të drejtat e barabarta si burri. E dyta ishte për integrimin ndërkombëtar në BE dhe në NATO se ato janë hapat kryesor që Kosova duhet me i marrë që Kosova me qenë një shtet stabil dhe po ashtu me u njoft ndërkombëtarisht në mbarë  botën...Më ka tërhjek, se kam qejf me studiu juridikun dhe më pëlqen me pa Kosovën në nivel më të lartë se që është sot, pra më shumë se në ditët e sotit sepse sot Kosova nuk njihet shumë për ditë të bukura”, ka thënë Musa.

Njëlloj si Musa, edhe  Diellza Përvetica votoi për një Kosovë me  më pak korrupsion dhe më arsim më cilësor.

Përvetica: Kosova ka nevojë për arsim që të përgatit për jetë

“Dy gjërat për të cilat votova unë sonte së pari ke për reformat në arsim, sepse ajo çka mësojmë sot në shkollë është kurgjo prej asaj që ka me na u nevojit në të ardhmen.  Është thjeshtë ajo dëftesa me nota që marrim në fund...Edhe diçka tjetër çka votova ishte për korrupsionin [me luftu], mos të folim mandej edhe për situatën politike...”, ka thënë Përvetica.

Kuratorja e ekspozitës dhe drejtoresha e Shoqatës së Shkëmbimeve kulturore mes Tajvanit dhe Kosovës, Chiayo Kuo tregoi se qëllimi i ekspozitës ishte paraqitja e Kosovës me të arritura të saj, ashtu siç shihen nga jashtë, dhe me vizionin e së ardhmes nga ata që janë e ardhmja e vendit – fëmijët dhe të rinjtë.

Kuo: Ekspozita edhe si formë e ndërtimit të marrëdhënieve kulturore mes dy shteteve

“Janë shtatë gjëra në këtë ekspozitë. Gjëra e parë është në të majtën time, janë 10 fotografi të cilat kanë dalë nga punëtoritë në të cilat kemi pyet personat e ndryshëm se çka janë dhjetë gjërat më interesantë që dinë për Kosovën. Dhe nëse shihni fotografitë ju e shihni faktin se keni presidenten e parë grua në rajon dhe po ashtu keni makiaton më të mirë në botë. Ju keni po ashtu penetrimin më të lartë të internetit në Evropë, më të lartë edhe se Britania e Madhe nëse nuk e keni ditur si fakt këtë. Dhe po ashtu Kosova ka mbajtur për herë të parë paradën e krenarisë, dhe është një arritje e madhe për ju”, tha Kuo.

Ajo sqaroi se në këtë ekspozitë është prezantuar edhe simbolikat tjera dhe se si duhet votuar për ato çka kanë prezantuar.

Në ekspozitë është prezantuar edhe pema e dëshirës që sipas organizatorëve është pema që njerëzit  shkruajnë dëshirat tyre për Kosovën pas 10 vjetësh.

Gjatë ekspozitës vizitorët po ashtu kanë pasur mundësinë që përmes makinës së VR, të udhëtojnë pa viza, në shtete të tjera.

Kuo ka treguar se kjo është bërë në mënyrë që të mendohet se pas dhjetë vjetësh nuk do të ekzistojë më problemi me vizat dhe lirinë fizike të lëvizjes për kosovarët.

Me rastin e hapjes së ekspozitës  drejtori i Muzeut Skënder Boshtrakaj, tha se prioritet i parë i tij është që Muzeu të jetë gjithmonë i hapur për të rinjtë.

Boshtrakaj: Prioriteti jonë i parë janë rinia

“Jam shumë i lumtur që Muzeu e ka mbërri atë nivel që çdo ditë të jetë jo vetëm me vizitorë, i mbushur por në kuptimin programor me të ri që prodhojnë aktivitete për vetën dhe për vendin dhe njëri prej këtyre aktiviteteve është edhe ky projekt shumë i dashur për mua dhe për Muzeun e Kosovës që në shënimin e dhjetëvjetorit të pavarësisë së vendit të mos e ngarkojmë veten dhe njëri-tjetrin vetëm me historicizma, të cilat gjithsesi janë të rëndësishme dhe muzeu i sheh si të rëndësishme por të vizionojmë për 10 vjeteshin e ardhshëm”, tha Boshtrakaj.

Zëvendësministrja e Kulturës, Burbuqe Deva – Bakija tha se artistët po arrijnë të bëjnë atë që politika nuk po mundet, dhe se do të përkrahin projekte me  për të rinjtë.

Për këtë ekspozitë kanë dhënë donacione  185 tajvanezë, emrat e të cilëve janë vendosur në manualin e ekspozitës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat