Kërkohet mbështetje e NATO-s për transferim të FSK-së në ushtri

Aktuale

Kërkohet mbështetje e NATO-s për transferim të FSK-së në ushtri

Më: 30 qershor 2018 Në ora: 00:29
FSK

Anëtarët e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, të udhëhequr nga Xhavit Haliti, Nënkryetar i Kuvendit, pritën të premten në takim Delegacionin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s.

Siç njofton Kuvendi i Kosovës, zhvillimet politike në Kosovë, me fokus integrimi evropian, liberalizimi i vizave si dhe anëtarësimi i  FSK-së në NATO, ishte temë qendrore gjatë këtij takimi.

Nënkryetari Haliti, fillimisht shprehu falënderim për takimin e përbashkët me udhëheqësit e lartë të delegacionit të NATO-s duke e vlerësuar si ditë të veçantë jo vetëm për Kuvendin, por për të gjitha institucionet e vendit.

Haliti i informoi përfaqësuesit e Asamblesë Parlamentare të NATO-s për zhvillimet politike në Kosovë, për reformat që institucionet kanë bërë në rrugën drejt integrimeve evropiane, si dhe për përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave, përfshirë këtu edhe aftësimin e FSK-së për t’iu bashkëngjitur NATO-s në misionet e saj.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Haliti, nga përfaqësuesit e Asamblesë Parlamentare të NATO-s kërkoi që ta mbështesin FSK-në si forcë të armatosur të NATO-s, dhe përkrahje për heqjen e vizave për Kosovën.

Kryetarja e komisionit për Integrime Evropiane, Blerta Deliu-Kodra, njoftoi për  zhvillimet në zbatimin e procesit të MSA-së, ndërkaq, deputetët Fatmir Xhelili dhe Haxhi Shala, kërkuan mbështetje nga Asambleja e NATO-s dhe aleatëve të tjerë që FSK-ja të transformohet në ushtri të NATOS-s,

Paolo Alli, President i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, deklaroi se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është kusht esencial për anëtarësimin e Kosovës në këtë mekanizëm. Po ashtu, ai bëri të ditur se edhe luftimi i korrupsionit dhe sundimi i ligjit janë tepër të rëndësishme për anëtarësimin e Kosovës në BE dhe NATO.

“Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë mbetet kushti më i rëndësishëm për këto procese. Po ashtu edhe luftimi i korrupsionit dhe sundimi i ligjit janë bazike drejtë rrugëtimit në vendet euro atlantike. Lufta kundër terrorizmit mbetet ende sfidë për të gjithë, prandaj mbetet edhe shumë punë për tu bërë”, tha Alli.

Alli, bëri të ditur se Ballkani Perëndimor është rajon i rëndësishëm për Evropën, duke u zotuar se edhe integrimi është i garantuar, por, me kusht që secili shtet të përmbushë obligimet e veta.

“Ne jemi duke vështruar progresin në rajon, dhe e kuptojmë që qytetarët e Kosovës dëshirojnë t’i bashkohen NATO-s, natyrisht që ka ende punë për tu bërë, por, ju siguroj që Kosova është në rrugë të mirë duke i plotësuar objektivat që të bëhet pjesë e NATO-s”, tha Paolo Alli, President i Asamblesë Parlamentare të NATO-s.

Në fund të takimit, Alli, theksoi “Evropa nuk do të jetë e kompletuar pa i pasur në familje edhe vendet e Ballkanit Perëndimor”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat