Kusari- Lila: Dorëheqjet e pjesëtarëve serbë nga FSK, skenare nga Serbia për t’u viktimizuar

Aktuale

Kusari- Lila: Dorëheqjet e pjesëtarëve serbë nga FSK, skenare nga Serbia për t’u viktimizuar

Më: 5 korrik 2018 Në ora: 19:41
Mimoza Kusari-Lila

Udhëheqësja e partisë Alternativa, Mimoza Kusari-Lila po e sheh si skenar të përgatitur nga Serbia, çështjen e largimit të pjesëtarëve serbë nga Forca e Sigurisë së Kosovës.

Kusari-Lila ndërsa ka debatuar dorëheqjet e fundit të pjesëtarëve serbë nga FSK, ka thënë në Info Magazine se veprime të tilla gjithnjë janë bërë nga ana e Serbisë, në prag të secilës marrëveshje madhore për vendin, për të dalë e viktimizuar.

”Ofrimi i dorëheqjeve të pjesëtarëve serbë nga FSK është një paralajmërim tjetër në prag të nisjes së thellimit të negociatave Kosovë- Serbi. Secilën herë kur jemi në prag të arritjes së një marrëveshje parapara, Serbia krijon kauza artificiale të cilat e ulin nivelin e palës kosovare”, ka thënë Kusari-Lila.

Ajo ka theksuar se që nga shpallja e pavarësisë e më tej Serbia krijon kriza, sikurse ata janë viktima.

”Rasti konkret edhe paralajmërirmi për dorëheqjet e pjesëtarëve serbë, për të dalur viktimë me arsyetimin e tyre se kanë presion nga kolegët e tyre shqiptar por kjo është kundërta. Nuk mundemi t’i qasemi problemit, ne shohim një element. Nuk mund të ketë shtet pa ushtri. Është e paevitueshme krijimi i ushtrisë së Kosovës. Kjo mund të jetë një kërkesë për një autonomi të krijuar në veri, e kjo është e patolerueshme. Skenar i papranueshëm”, theksoi Kusari-Lila.

Kusari-Lila, shtoi se partitë kosovare nuk kanë një konsensus të përbashkët për të zgjidhur çështjen e udhëheqësit të dialogut.

”Ne jemi shtet dhe Republikë Parlamentare, jemi të thirrur ta mbrojmë Kushtetutën në këtë sistem parlamentar. Duhet të ekzistojë baza e secilës marrëveshje. Sjellja e Presidentit Hashim Thaçi në këtë mënyrë e ka dëmtuar kredibilitetin e secilit proces. Në kuadër të tryezave mes partive politike ai nuk ka një respekt të ndërsjellë ndaj tyre”, tha ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat