Ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie, u shpreh i brengosur me dorëheqjet e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës nga radhët e komunitetit serb.
Ai i cilësoi të papranueshme ndërhyrjet dhe frikësimet e tyre nga jashtë.
Një grup pjesëtarësh të komunitetit serb në Forcën e Sigurisë së Kosovës, u kanë kërkuar zyrtarëve që t’i lirojnë nga detyra për shkak të siç thuhet trysnisë së Beogradit ndaj tyre.
Që nga fillimi i këtij viti, zyrtarë në Serbi kanë kundërshtuar vazhdimisht ndërsa kanë bërë thirrje edhe për largimin e serbëve të Kosovës të përfshirë në Forcën e Sigurisë që shihet si Ushtria e ardhshme e Kosovës. Disa raste të djegies së makinave kanë ndodhur në veriun e Kosovës, që lidhen kryesisht me familjarë të pjesëtarëve serb të Forcës së Sigurisë.
Të premten ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandër Vulin, ritheksoi se "çdo serb që jeton në hapësirat e Kosovës, duhet ta dijë se shërbim në çfarëdo ushtrie të rrejshme të Kosovës, është shërbim kundër popullit të tij dhe kundër shtetit të tij".
Deeply concerned about recent resignations of #Kosovo Serb members of the #KSF. External intimidation of KSF members is unacceptable. KSF’s diversity is a model for the country. It should be celebrated, not destroyed.
— Amb. Greg Delawie (@USAmbKosovo) July 6, 2018
Ambasadori amerikan në Prishtinë në një postim në rrjetin twitter shprehu "shqetësimin e thelë me dorëheqjet e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë nga radhët e komunitetit serb. Frikësimi nga jashtë i pjesëtarëve të kësaj force është i papranueshëm. Shumëllojshmëria e Forcës së Sigurisë së Kosovës është model për vendin. Ajo duhet të përgëzohet e jo të shkatërrohet", shkroi ai.
Të enjten kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj mblodhi këshillin kombëtar të sigurisë për të diskutuar këtë çështje dhe e cilësoi "trysninë e Serbisë kundër pjesëtarëve serb të Forcës së Sigurisë si krim dhe veprim kundër konventave dhe të drejtave të njeriut".
Aktualisht në Forcën e Sigurisë së Kosovës shërbejnë rreth 135 pjesëtarë të komunitet serb, numër ky që është shtuar viteve të fundit.
Forca e Sigurisë së Kosovës u themelua në janar të vitit 2009 në bazë të planit të kryenegociatorit të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, në bazë të të cilit edhe është shpallur pavarësia e Kosovës. Shndërrimi i saj në ushtri po pamundësohet për shkak të mospajtimeve të përfaqësuesve politik të serbëve të Kosovës të cilët bashkë me Beogradin vazhdojnë të kundërshtojnë ngritjen e tyre. Ata thonë se një gjë e tillë është e papranueshme dhe rrezikon sigurinë e rajonit.
Autoritetet në Prishtinë kërkojnë transformimin e Forcës së Sigurisë në Ushtri të Kosovës, por diplomatët perëndimorë kërkojnë që kjo të ndodhë me ndryshime kushtetuese për të cilat kërkohen edhe votat e deputetëve të komunitetit serb.
Diplomatët amerikanë kanë paralajmëruar Beogradin se askush nuk mund të vërë veto ndaj themelimit të ushtrisë së Kosovës.