Shuhet familja nga Suhareka, tragjedia që tronditi gjithë Kosovën

Aktuale

Shuhet familja nga Suhareka, tragjedia që tronditi gjithë Kosovën

Nga: P.R Më: 8 korrik 2018 Në ora: 20:58
Familja Sadikaj mbetën të vdekur në aksidentin e tmerrshëm që ka ndodhur në magjistralen Suharekë – Duhël, në fshatin Biraçë të Suharekës.

Në një aksident të rëndë komunikacioni që ndodhi sot në magjistralen Suharekë – Duhël, në fshatin Biraçë të Suharekës, u shua familja Sadikaj nga fshati Sopija e Suharekës. Familja pesë anëtarëshe që u shua sot në aksidentin në Biraqë të Suharekës kishte prejardhje nga fshati Sopi, ishe me banim në Zvicër dhe kishin ardhur për pushime në Kosovë.

Sipas informatave, pesë të vdekurit ishin një familje, prindërit dhe dy fëmijët e tyre, si dhe gjyshja e tyre.

Lajmin për këtë aksident e ka bërë të ditur, Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Hazir Berisha.

Ai përmes një postimi në facebook, ka shkruar për detajet e këtij aksidenti.

“Aksident i rende komunikacioni ne Biraqe te Suharekes Rreth ores 13:21 minuta ne magjistralen Suhareke Duhel ka ndodhur nje aksident i tmerrshem komunikacioni me c'rast kane humbur jeten pese persona: dy te rritur dhe tre femije. Vdekjet jane konfirmuar nga emergjenca e cila ka dale ne vendin e ngjarjes. Aksidenti ka ndodhur ne mes te nje automjeti te llojit BMË dhe nje autobusi, Per informata shtese do te njoftoheni me kohe”, ka shkruar Berisha në facebook, përcjellë “Bota sot”.

Aksidenti ka ardhur kur shoferi ka humbur kontrollin mbi automjetin si pasojë e kushteve të këqija atmosferike dhe është ndeshur me autobusin ku humbën jetë pesë persona .

Image
Familja Sadikaj

E tragjedia e familjes Sadikaj ka tronditur gjithë Kosovën.

Ngushëllime familjes Sadikaj i ka shprehur presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

“Shumë e dhimbshme humbja e jetës së pesë anëtarëve të një familjeje, në mesin e tyre edhe fëmijë, sot në aksidentin tragjik në magjistralen Duhël-Suharekë. U shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta të afërmve të tyre dhe gjithë qytetarëve të Komunës së Suharekës. Është shumë shqetësues numri i aksidenteve në rrugët e Kosovës, prandaj kërkohet një kujdes më i madh, si prej qytetarëve, ashtu edhe prej institucioneve përgjegjëse, për uljen e rrezikut të aksidenteve të komunikacionit dhe të fataliteteve nga këto aksidente”, ka shkruar Thaçi  në fgacebook.

Po ashtu edhe kryeministri Ramush Haradinaj ka ngushëlluar familjen Sadikaj nga Sopija e Suharekës.

“Me dhimbje të thellë mora lajmin për tragjedinë në komunikacion në magjistralen Duhël - Suharekë ku humbën jetën pesë anëtarë të familjes Sadikaj.

Në emër timin personal dhe të gjithë qytetarëve i shprehi ngushëllimet më të sinqerta familjes Sadikaj.

Jemi bashkë, në ketë kohë dhimbjeje dhe trishtimi për të gjithë dhe u bëj thirrje qytetarëve dhe bashkatdhetarëve për kujdes në vozitje dhe Policisë së Kosovës për vëmendje të shtuar për sigurinë në trafik!”, shkruan Haradinaj.

Image
Aksidenti tmerrshëm që ka ndodhur në magjistralen Suharekë – Duhël, në fshatin Biraçë të Suharekës.

Gjithashtu edhe shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka shprehur ngushëllime familjes Sadikaj.

“I tronditur me aksidentin ne rrugen Suhareke-Duhel, ku vdiqen 5 anetare te nje familje. Ngushellime familjareve per kete ngjarje tragjike. Zoti qofte me ta ne keto momente te vështira”, shkruan Hoti.

“Lajm tejet i dhimbshëm humbja e jetës së pesë anëtarëve të Familjes Sadikaj, në aksidentin tragjik të ndodhur sot në magjistralen Duhël-Suharekë. Është një ditë e rëndë për të gjithë. Ngushëllimet më të sinqerta për familjarët dhe të afërmit e tyre”, sjrkuan ne faqen e tij kryetari i Kuvendit Kadri Veseli.

E Ministri i punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka apeluar tek të gjithë ngasësit e automjeteve që të kenë kujdes dhe të respektojnë rregullat e komunikacionit.

”Sot, një familje e tërë u shua në një aksident të tmerrshëm në fshatin Biraq. Një familje me banim në Zvicër e cila ka ardhur për të kaluar pushimet e tyre në vendlindje. Shumë tragjike, shumë e rëndë! Ju bëj apel: Kini kujdes, respektoni rregullat, respektoni jetën tuaj dhe të tjerëve!”.

Ngushëllime ka shprehur edhe deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli, i cili është edhe nip i familjes Sadikaj.

“Si nip i familjes SADIKAJ nga Sopija e Suharekës i shpreh ngushllime familjes së gjerë të dajallarëve , lagjes, bashkëfshatarëve Sopias dhe tërë atyre që bashkëndjejnë dhimbjen për humbjen tragjike të familjes 5 anetarëshe të Jeton Sadikaj. Ngushllime", shrkuan Avdyli në faqen e tij në facebook.

E kryetari i komunës së Suharekës, Bali Muharremaj ka shkruar se nesër në Suharekë do të jetë ditë zie pas tragjedisë së rëndë të familjes Sadikaj.

“Sot jemi tronditur nga tragjedia që i ka ndodhur Familjes Sadikaj, e cila në aksident komunikacioni ka humbur 5 anëtarë, në magjistralen Duhël-Suharekë. Si Kryetar Komune në emër të të gjithë qytetarëve të Komunës tonë u shprehë ngushllime.  Natyrisht në momente të vështira, ne bashkëndjejmë me familjarët tyre në këtë pikëllim. Si Kryetar Komune do të marrë vendim që dita e vorrimit të shpallet Ditë Zie në Komunën e Suharekës”, ka shkruar Muharremaj, përcjellë “Bota sot”.

Stafi i gazetës “Bota sot”, i shpreh ngushëllime gjithë familjes Sadikaj për tragjedinë e rëndë që goditi jo veç familjen, por mbarë Kosovën.

Image
Pamje të dhimbshme: Vdekja e familjes 5-anëtarëshe, familjari nuk mund t’i përmbajë lotët
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat