Kurti: Ky regjim e do Kosovën si një komunë të vetme për qeverinë formale të Haradinajt

Aktuale

Kurti: Ky regjim e do Kosovën si një komunë të vetme për qeverinë formale të Haradinajt

Nga: A.M. Më: 20 korrik 2018 Në ora: 10:42
Albin Kurti

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se përkundër që Qeveria e Kosovës e ka dërguar në Kuvend "Raporti mbi arritjet dhe sfidat në zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit", shefi i saj Ramush Haradinaj pa e përfillur dhe diskutuar fare këtë shkoi në Bruksel.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka thënë se “kemi edhe një tjetër Raport të Qeverisë që nuk është raport ndaj Kuvendit por informatë për Kuvendin. Jo për t'i dhënë llogari Kuvendit, por për ta margjinalizuar atë”.

Postimi i plotë:

Më 9 korrik 2018, Qeveria e Kosovës, ka dorëzuar në Kuvend një material me titull "Raporti mbi arritjet dhe sfidat në zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit". Këtë e bëri Qeveria e cila e ka kryeministër Ramush Haradinajn. Mirëpo, Qeveria faktike e cila e ka për kryeministër Hashim Thaçin shkoi në Bruksel te Vuçiqi, pa e përfillur dhe diskutuar fare këtë Raport në Kuvendin e Republikës. Haradinaj është i përfshirë edhe në këtë Qeverinë tjetër, porse këtu vetëm si ministër pa portofol.

Kësisoj, kemi edhe një tjetër Raport të Qeverisë që nuk është raport ndaj Kuvendit por informatë për Kuvendin. Jo për t'i dhënë llogari Kuvendit, por për ta margjinalizuar atë. Ky regjim e do Kosovën si një komunë të vetme për qeverinë formale të Haradinajt dhe si një republikë presidenciale për autokracinë e Thaçit.

E thonë edhe vetë, se gjithçka me Serbinë duan ta rrumbullakësojnë para zgjedhjeve të pranverës 2019 të Bashkimit Evropian. Me fjalë të tjera, kalendari i BE-së duket se është gjithçka për ta, jo sovraniteti shtetëror dhe integriteti territorial i Kosovës. Ata po na dëshmojnë se nuk janë të interesuar për dialog të brendshëm e formulim kërkesash ndaj Serbisë, për parime dhe kushte të dialogut, për ekip negociator të Kosovës me qëllime të qarta dhe strategji fitimtare.

E kanë veçse hallin e brendshëm personal që u varet nga kalendari i jashtëm politik. Tanimë s'ka pse njeriu flet më për ta a me ta. Kjo koniukturë politike me këtë keqtrajtim që po ia bën interesave jetike të Kosovës po ia imponon sërish qytetarëve të ngriten në demonstrata në këtë vjeshtë, në mënyrë që të mos humbet në dimër edhe ky gjysëm shteti që ka mbetur.

Për përmbajtjen e Raportit, një herë tjetër, mirëpo me këto dy qeveri dhe sjelljen e tyre, kjo përmbajtje tashmë është çështje dytësore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat