Kosova faktikisht ka ushtri

Aktuale

Kosova faktikisht ka ushtri

Më: 31 korrik 2018 Në ora: 12:25
Agim Çeku

Shpesh në opinion dëgjojmë fjali si “formimi i ushtrisë”, “Kosova do ta formojë ushtrinë”, “Kosova shumë shpejt do ta ketë ushtrinë”, “Kosova ende nuk ka ushtri” etj. Kështu krijohet përshtypja se Kosova po tenton të formojë diçka të re që nga fillimi, gjë që fare nuk qëndron. Sepse FSK-ja faktikisht është ushtri por ligjërisht ende jo.

Edhe fjalia “Transformimi i FSK-së në FAK” nuk është terminologji adekuate, sepse kur flitet për transformim mund të kuptohet se FSK-ja e braktis misionin, strukturën dhe detyrat aktuale dhe merr mbi vete një mision dhe detyra të tjera. Kurse në realitet bëhet fjalë për evoluim apo ngritje të FSK-së në forcë kombëtare ushtarake, që përpos detyrave dhe kapaciteteve që i ka sot i zgjerohet Misioni, Detyrat, Kapacitetet , dhe Kompetencat apo Mandati që e bëjnë atë e gatshëm dhe aftë që ta mbrojë edhe sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës dhe që ta shndërroj Kosovën nga konsumuese në ofruese të sigurisë.

FSK-ja qe nga viti 2014 kur është definuar, përcaktua, dizajnua, planifikua dhe vendos e ardhmja e saj si Forcat te Armatosura te Kosovës është në proces kalimtar apo tranzicioni dhe në FSK çdo gjë, përpos operacioneve reale, është ushtarake (jeta, puna, dukja, fryma, pajisjet, infrastruktura etj. ) dhe faktikisht FSK-ja është ushtri.

Mbetet qe edhe ligjërisht te behët e tillë.

Kam besimin e plotë që shumë shpejt do ta gjejmë rrugën dhe mënyrën e përmbylljen e këtij procesi.

FSK-ja faktikisht është ushtri sepse:

1.    Punon si ushtri

2.    Duket si ushtri

3.    Ndihet si ushtri

4.    Njihet(Pranohet) si ushtri

1.    Punon si ushtri

a)    Puna dhe jeta e brendshme në FSK është e organizuar dhe zhvillohet në bazë të rregulloreve të shumta. Që të gjitha janë të njëjta me rregulloret e ushtrive anëtare dhe partnere të NATO-s;

b)    Sistemi i Komandimit, Kontrollit dhe Administrimit në FSK është tipik ushtarak;

c)     Të gjitha njësitë e FSK-së janë të vendosura në kazerma dhe kampe, që janë tipike ushtarake dhe janë objekte të mbrojtura ku hyrjet dhe daljet janë të kufizuara dhe të kontrolluara;

d)    Pjesëtarët e FSK-së rekrutohen sipas procedurave, që janë tipike ushtarake, të njëjta me ushtritë anëtare dhe partnere të NATO-s;

e)    Zhvillimi i karrierës së secilit pjesëtar të FSK-së ka karakter ushtarak, duke filluar nga trajnimet individuale bazike e deri tek ato të avancuara.

2.    Duket si ushtri

a)    FSK-ja është forcë e armatosur me armatim të lehtë (armë të gjata dhe revole – pushkë dhe revole më moderne);

b)    FSK-ja është forcë e uniformuar me uniforma tipike ushtarake dhe unike;

c)     FSK-ja e ka strukturën e gradave për oficerë, nënoficerë dhe ushtarë, tipike ushtarake, të njëjta si të ushtrive anëtare dhe partnere të NATO-s;

d)    Automjetet dhe pajisjet tjera ushtarake që i ka në përdorim FSK-ja për nga lloji, tipi, dedikimi dhe ngjyra janë tipike ushtarake.

3.    Ndihet si ushtri

a)    Çdo pjesëtar i FSK-se frymon dhe ndihet si ushtarë

b)    Kodi i mirësjelljes dhe kodi disiplinor në FSK janë tipike ushtarake;

c)     Çdo pjesëtar i FSK-së e ndien veten, prezantohet dhe  sillet si ushtar i Kosovës, si në kazerma ashtu edhe jashtë tyre në komunitet;

d)    Çdo pjesëtar i FSK-së është i vetëdijshëm dhe është krenar për faktin që u shërben të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe që detyra e tij primare është mbrojtja e qytetarëve, pronës së tyre dhe mbrojtja e Republikës së Kosovës.

4.Njihet(Pranohet) si ushtri

a)    Kemi vendosur partneritet shtetëror me Gardën Kombëtare të IOWA-s  të SHBA-ve (marrëveshje të tilla lidhen vetëm në mes ushtrive);

b)    Kemi 14 memorandume të mirëkuptimit me vende të ndryshme dhe të gjitha janë të nënshkruara me ministritë e Mbrojtjes së shteteve respektive;

c)     Çdo vit, me shtetet që kemi memorandume të mirëkuptimit, nënshkruajmë plane të bashkëpunimit dypalëshe në fushën e mbrojtjes. Në bazë të këtyre planeve zhvillojmë vizita të ndërsjella zyrtare, shkëmbim përvojash, pjesëmarrje në seminare dhe konferenca, kurse dhe trajnime si dhe ushtrime fushore. Që të gjitha këto në fushën e mbrojtjes dhe me forcat e armatosura të tyre;

d)    Nga shtetet e ndryshme anëtare dhe partnere të NATO-s ftohemi dhe marrim pjesë në ushtrime të përbashkëta;

e)    Pjesëtarët e FSK-së shkollohen në institucione ushtarake të shteteve të ndryshme anëtare dhe partnere të NATO-s;  

f)      Ftohemi dhe marrim pjesë në takime  me ministra të mbrojtjes dhe shefave të shtabeve të përgjithshme të ushtrive nga shtetet e ndryshme anëtare dhe partnere të NATO-s;

g)    Ftohemi dhe marrim pjesë në takimet ministeriale, të shefave të shtabeve dhe në nivel të drejtorëve politikë, në iniciativat rajonale të sigurisë siç janë Karta e Adriatikut A5, RACVIAC etj.;

h)    Shtetet partnere që ndihmojnë zhvillimin e FSK-së dërgojnë këshilltarë ushtarakë, specialistë në fusha ushtarake për të ndihmuar FSK-në;

i)       Shumë vende partnere (ato që kemi kërkuar ne) kanë pranuar atashe ushtarakë të FSK-së në ambasadat tona, të barabartë me atashetë ushtarakë të vendeve tjera.

j)       Edhe vendet e ndryshme që nuk e mbështesin FSK-në, këtë e bëjnë për faktin që FSK-ja faktikisht është ushtri.

Për Fund: Kërkohet edhe pak durim por edhe shumë pune , shume angazhim dhe koordinim ne rrafshin politik që edhe ligjërisht Kosova ti ketë Forcat e Armatosura te veta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat