Germin rikujton kërkesat e Diasporës karshi institucioneve të Kosovës

Aktuale

Germin rikujton kërkesat e Diasporës karshi institucioneve të Kosovës

Më: 2 gusht 2018 Në ora: 15:58
Kuvendi i Kosovës

Në ditën kombëtare të Diasporës në Kosovë, organizata jo-qeveritare Germin rikujton kërkesat e Diasporës tek institucionet politikbërëse për të përmirësuar dhe avancuar të drejtat politike, socio-ekonomike dhe kulturore të pjesëtarëve të Diasporës.

“Me themelin e Ministrisë së Diasporës (2011)  u bë një hap shumë i rëndësishëm për të njohur rëndësinë dhe kontributin e bashkatdhetarëve, mirëpo, mundësitë e angazhimit të Diasporës në vendin amë janë të limituara dhe duhet akoma punë në lehtësimin e dialogut të dyanshëm mes Institucioneve Publike dhe Diasporës”, thuhet në komunikatën e Germin.

Tutje kjo organizatë kujton se gjatë konferencës “Diaspora Flet”, organizuar nga Germin, komunitetet e diasporës kanë paraqitur disa nga kërkesat dhe sfidat, të cilat kërkojmë që të trajtohen më me seriozitet nga ana e institucioneve për grupin më të madh social që jeton jashtë vendit:

Avancimi i të drejtës së votës, e drejtë e garantuar me Kushtetutë, do të lehtësonte pjesëmarrje më të madhe në zgjedhje. Zgjatja e afatit për pranimin e fletëvotimeve nga diaspora dhe transparenca gjatë numërimit do të përmirësonte votimin me postë. Në planin afatmesëm, duhet të merren hapa për lansimin e votimit në misionet diplomatike, kurse në atë afatgjatë të shikohen mundësitë për votim online;

E drejta e përfaqësimit në institucione është e domosdoshme për shkak të kontributit të tyre dhe sjellë në politikën e Kosovës përvojën e demokracive në vendet perëndimore. Për këtë të inicohet krijimi i Këshillit Global të Diasporës Shqiptare që do të jetë jo-politik dhe do të shërbejë si një urë zyrtare institucionale ndërmjet shqiptarëve brenda dhe jashtë vendeve të tyre;

Mësimi plotësues i gjuhës amtare në Diasporë, ka ende probleme serioze për aplikimin e kritereve të larta. Një nga rekomandimet e Germin është që të saktësohet me ligjin e ri të Diasporës financimi i mësimit plotësues duke përfshirë kualifikimin e mësimdhënësve shqiptarë në Diasporë;

Angazhimi i ekspertëve të Diasporës në Kosovë përmes programeve për angazhim në atdhe dhe kthimin e trurit;

Të rregullohet sistemi aktual për sigurimin kufitar dhe të paguhen në përputhje dëmet e shkaktuara nga aksidentet. Vetëm në vitin 2014 janë shitur 488 mijë polica kufitare, në vlerë 14 milionë e 600 mijë, kurse dëmet e paguara janë vetëm 1 milionë e 300 mijë.

“Një nga rekomandimet është që Byroja e Sigurimeve Kufitare të ndjek rrugën e anëtarësimit  të Kosovës në organizata e tjera, të cilat kishin kriter anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe të pranohemi në Kartonin e Gjelbër. P.sh Banka Qendrore e Kosovës, apo anëtarësimi në FIFA.  Në anën tjetër, edhe diaspora duhet të organizohet me angazhim dhe avokim që të ndikojë nëse dëshiron të shohë ndryshimet e bëra realitet”, thuhet në komunikatën e Germin.

Sot është dita nderkombëtare e Diasporës. Për këtë ditë Kuvendi ka hapur dyert për mërgimtarët por ata u pritën vetëm nga katër deputetë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat