Policia thotë se nuk është e përfshirë në asnjë skenar

Aktuale

Policia thotë se nuk është e përfshirë në asnjë skenar

Më: 3 gusht 2018 Në ora: 10:12
Ilustrim

Disa media raportuan gjatë ditës së djeshme se Policia është duke u përgatitur për një aksion me rrezikshmëri të lartë në veri.

Por Policia e Kosovës ka reaguar pas këtyre raportimeve duke thënë se këto deklarime janë të pabazuar, të dëmshme për vendin dhe ndikojnë në rritjen e tensioneve.

“Policia e Kosovës, si një ndër institucionet kryesore për zbatimin e ligjit, reagon ndaj disa deklarimeve dhe publikimeve, të disa mediave/portaleve për gjoja përfshirjen e Policisë së Kosovës në skenare të ndryshme dhe për hirë të informimit të drejtë dhe korrekt, njofton qytetarët e vendit dhe mediat se deklarimet dhe publikimet e tilla nga kushdo qofshin ato janë të pa bazuara dhe të dëmshme për vendin pasi që ndikojnë në rritjen e tensioneve dhe krijojnë pasiguri ndër qytetarët e Republikës së Kosovës”.

Në komunikatën e Policisë këto deklarime cilësohen si spekulime dhe dezinformata, prandaj u bëhet thirrje qytetarëve që të mos bien pre e tyre.

“Prandaj inkurajojmë të gjithë, në veçanti qytetarët që mos të bien pre e dezinformatave dhe spekulimeve të ndryshme, por të shfaqin besim si deri më tani në punën e Policisë së Kosovës dhe përkushtimin e saj kushtetues dhe ligjor për rend, qetësi dhe siguri të përgjithshme në vend”.

Në këtë reagim tregohen edhe detyrat dhe autorizimet e Policisë.

“Ju konfirmojmë se detyrat e autorizimet e përgjithshme të Policisë së Kosovës janë të përcaktuara me ligjin për policinë, të orientuara në mbrojtjen e jetës, pronës dhe ofrimit të sigurisë, mbroj të drejtat dhe lirit themelore të të gjithë personave, garantimin e lëvizjes dhe shprehjes së lirë për të gjithë qytetarët e vendit pa dallim, menaxhoj dhe kontrolloj kufirin shtetëror, ofroj ndihmë gjatë fatkeqësive natyrore dhe në raste tjera emergjente”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat