Kamerat e sigurisë në trafik, shpëtimi i vetëm nga aksidentet e përditshme në Kosovë

Aktuale

Kamerat e sigurisë në trafik, shpëtimi i vetëm nga aksidentet e përditshme në Kosovë

Nga: Drilon Rrahmani Më: 3 gusht 2018 Në ora: 17:52
Foto ilustrim

Në muajin që e lamë pas, nëpër rrugët e Kosovës nga aksidentet e komunikacionit, humbën jetën 15 persona, ndërsa të enjten e 2 gushtit, rrugët e Kosovës u përgjaken nga gjashtë viktima pikërisht nga aksidentet në komunikacion, shkruan “Bota sot”.

Zëvendëskryeministri i Parë dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka zhvilluar sot një takim të jashtëzakonshëm me delegacionin e MPB-së në përbërje të ministrit të Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, drejtorin e Trafikut në Policinë e Republikës së Kosovës, Samedin Mehmeti dhe Drita Perezic, këshilltare e Lartë në ICITAP në Ministrinë e Punëve të Brendshme, me qëllim diskutimi mbi gjendjen alarmante në trafik, e cila këto ditë ka marrë jetën e shumë qytetarëve të Kosovës.

Pacolli ka kërkuar nga ta që të shtohen patrullimet e policisë nëpër rrugët më të frekuentuara e disa masa tjera emergjente.

Mirëpo, nëse Kosova do të dëshironte që të ketë sa më pak viktima në rrugët e Kosovës për shkak të shoferëve të papërgjegjshëm, atëherë duhet të shqyrtojë mundësinë e vendosjes së kamerave të sigurisë, nëpër rrugët rajonale si dhe ato lokale.

Kjo me siguri do të funksiononte që shoferët të vetëdijesohen dhe të kenë kujdes sa më të shtuar në trafik. Një shembull adekuat mund ta marrim qytetin e New York në SHBA.

Image

Atje kamerat e sigurisë në trafik u vendosën në vitin 2014, e ky investim amerikan kushtoi 22 milionë dollarë. Por, ato të holla u rimbursuan shumë shpejt nga pagesat e dënimeve të shoferëve që kishin shkelur rregullat e komunikacionit.

Gjithashtu në New York, pas vendosjes së atyre kamerave, shpejtësia mesatare e zhvilluar nga shoferët atje, kishte rënë për 18% më pak.

Nuk është vetëm New York-u që posedon këto kamera të sigurisë, por edhe shumë shtete të tjera të zhvilluar evropiane dhe botërore. New York-u është një shembull i qëlluar se si mund të zhvillohet ekonomia në Kosovë nga ata që thyejnë rregullat, por edhe që aksidentet të jenë sa më të pakta në mënyrë që edhe viktima të mos ketë, ani pse qëllimi i atyre kamerave në New York është që të shmangen aksidentet dhe për të eliminuar vdekjet në trafik.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat